Donnerstag, 11. April 2013

Dy poezi nga Qemajl Juniku

 
ZIGZAGEVE TË KOHËLIGËS

Kur të shalojnë djajtë
Koha të rëndon supeve
Marrëzitë ta turpërojnë ndërgjegjen 
 
Kur maskarenjtë të përkëdhelin
Kurthet të vihen këmbëve
Mbi kokë të krrokatin shpendkëqijtë

Kur ankthi të dredhet trupit
Bukuritë të shëmtohen
Frymëmarrja të meket

Oh
Si ta ndezë fanarin e fikur të dashurive
Zizgzageve të kohëligës
Kur në pikën e ditës errësohet qielli
Kah të nisem në këtë udhëkryq
Marëmendjes s`ime
 
 
 
 
 
E ZAKONSHME

Asnjë shqetësim për vdekjen time
Mikeshë
Vetëm një pikë loti i çastit

Po
Në vdekjen time
Zogjtë do të cicërojnë sërish
Me je...honë dashurie
Puhizat pranverore do të fryjnë
Pemët do të gjelbërojnë
Me ofshamat e pikëllimeve të mia

Çdo gjë e zakonshme do të jetë
Në vdekjen time
Mikeshë
Të dashuruarit do të përqafoheshin me afsh
Yjet do të ndriçojnë të llastuar
Hija ime do të mi mbyll sytë
Nëpër flakërimat e rrufeve
E epitafin e zhgënjimeve te mia

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen