Montag, 20. Mai 2013

Poezi nga Besim Xhelili


KËNGËT E FSHEHURA
 
Ju këngët e mia të fshehura
Prore të pandehura,
Pse gjithmonë rrini në mendime
Vallë, të shkurtohet jeta ime?!
 
Hallet e kujt ju i qani
Dertet e kujt ju i mbani,
Pse në shesh nuk argëtoheni
Vetëm shpirtit tim i drejtoheni?!
 
Gjithmonë brenda meje do të rroni?
Dilni të tjerëve diçka u tregoni,
Mjaft veç mua shpirtin ma helmuat
Deri në fund më shkatërruat.
 
Pa shihni se si trupin ma tretët
Asgjë tjetër mua s’më mbetet,
Vetëm se me dhunë t’ju largoj
Këtë jetën time ta shijoj.
 
Paskam qenë vërtetë i pafat
S’më lejuat që moti të rri rehat,
Gjithmonë më thoni të kem mëri
Veten time, të bukurën rini.
 
Në fund ju lus më dëgjoni pak
Dëgjoni, ju lutem ç’po ju them,
Dilni tash se m’keni ardhur n’prag
Me ju më vërtetë nuk mund të jem.
 
 


VENDI HEKUR
 
Oh, moj Shqipëri, kur njëherë do të vij
Kokën në zemrën tënde ta shtyj,
Kur njëherë do të vij dhe të të shoh
Diellin e artë që mbi kokë të ngroh.
 
Tregoma rrugën për tek ty që vjen
Se vetë ky syri im dot s’e gjen,
Sa më shpejtë nga të vij më tregon
Se këtu shumë shpirti më rënkon.
 
Këtu në këtë vend të humbur larg
S’mund të jetoj në vuajtje me varg,
Kopshtet e huaja s’mund t’i zbukuroj
Dhe si e kam nënën në jug të mendoj.
 
Mua sytë nuk më shohin më
Dhe një amanet po ua lë,
Të më dërgoni edhe të vdekur
Të ndjej harmoninë e vendit hekur.
 


BIRRI E THËRRET NËNËN
 
Nënë, e thërras por, ende s’përgjigjet
Syri i saj në tjetër anë përvidhet,
Mos na lë, i them, shumë të larguar
Na mblidh njëherë të bashkuar.
 
Ajo përgjigjet sikur mendon
Për fëmijën që larg saj jeton,
Pritni, thotë, bijtë e mi dhe pak
Sa t’marr shpejtësi unë me vrap.
 
Tash ka ardhur koha, bijtë e mi
Të jeni ju te e nënës dashuri,
Hija e zezë ende do të na mbulojë
Diellin s’na lëshon të na ndriçojë.
 
Ju vetëm punoni fare pa pushim
Sa të çlirohet vetë ky shpirti im,
Punoni sa t’ju lëshojnë dhe krahtë
Derisa të gjej unë rrugën e gjatë.
 
Nuk ju harroj unë, mos keni frikë
Ah, në zemër kam të ngulur një thikë,
Që më ka çarë zemrën mua përtej
Dhe ende atë rrugë s’mund ta gjej.
 
Ju bijtë e djathtë mbani fortë atë hekur
Mos mendoni se keni për të vdekur,
Ju mbi të djathtit në qetësi rrini
Çdoherë mendjen te unë të kini.
 
Nuk ju harroj dhe juve të veriut
Mos ia keni frikën njeriut,
Ju të perendimit diellin ma lironi
Shpirtin e lodhur të ma shërroni.
 
 

VENDI I SHENJTË
 
Atë vend të shenjtë atje poshtë
Pranë brigjeve të detit të gjërë
Sikur e harrova aq shpejtë dhe ika,
Diku larg që as vetë nuk e di.
 
Ika larg e erdha deri këtu
Të jetoj i mbyllur si në kafaz,
I lirë jam por, shpirtin e lidhur kam
Për një degë të thatë të drurit.
 
Kur nganjëherë atë vend e kujtoj
Në zemër më ngulet një thikë e zjarrtë,
Sytë drita e errësirës m’i verbon
Mendja ime s’di se çfarë fantazon.
 
Trupi më vlon nga brenga pa pushim
Shpirti i lodhur fillon ngadalë të bie
Drejt e më thellë në brendinë e dheut
Duke u zhytur e humbur në terr.
 
 

BISEDË
 
Bilbil i shenjtë, me të shpejtë merr një këngë
Thuaji të gjitha fjalët që më rrinë në dhëmbë,
Shko freskohu pranë përroit që lartë buron
Që me lotët e mi shkretëtirën mbulon.
 
Nëpër fantazinë që çdo herë unë fluturoj
Shko ti, bëje realitet dhe unë të shpëtoj,
Ndjeje erën e freskët që nga mali frynë
Mos lejo dikush nga shpati të më shtynë.
 
Fluturo ti të gjitha ato fusha të shkretuara
Çdokund hudh lotë, të mbeten të lulëzuara,,
Të shkoj përmes tyre duke qarë të hyj unë
Që mos më trembin fytyra të egra në gjumë.
 
Bilbil, më përcjell ngado që unë të shkoj
Që nga frika yte asnjë dreq mos të takoj,
Mos lejo që nga frika ime të frigohem
Më jep mend që me to të mendohem.
 
Me të vërtetë kam frikë se po të merr
Ti duke fluturuar në qiell një skifter,
Besoj se nuk je frikacak dhe i humbur ti
Në brendinë tënde ke të fshehur një trimëri.
 
 

NUK BESOJ
 
Qetësohu pak ti shpirt i vrarë
Pusho pak dhe ti zemër e tharrë,
Ti mendje më mos fantazo
Por, ç’dëshiron trego.
 
Mos më flakëro ti zjarr i nxehtë
Shuaju ti përvëlim aq i vërtetë,
Nxehtësi që më dogje, ulu
Ti dreq nga unë shpërngulu.
 
Nuk besoj se humbi vendi im
Gjithë e më shumë bën përparim,
S’mund t’ia ndal kush hapin
Se si shpërblim e merr zjarrin.
 
Nuk besoj që një gjë e tillë të ndodh
Kinse tjetri rrugën e shpëtimit na vjodh,
Ti dreq je duke më mashtruar
Me çdo kusht vendin tim për ta harruar.
 
 

SHPIRTI DHE ZEMRA
 
Në këtë dhomë të errët si shpellë
Shpirti im ka humbur diku thellë,
Realitetit i është larguar shumë larg
Se e shkatërruan vuajtjet me varg.
 
Fare pa të unë jetova sot
E thërras por, s’përgjigjet dot,
Rri ende i humbur nëpër gjithësi
Sikur s’do të sheh fare njeri.
 
Te gjithë i duken të korruptuar
Secili në mendje plot iluzione,
Veç vetmia i pëlqen dhe ka dëshirë
Çdoherë në vetmi të jetë i lirë.
 
Ja, tash erdhi dhe hyri në trupin tim
E pa zemrën të mbushur me përvëlim,
Të djegur nga akulli i zjarrit
Të trishtuar nga fytyra e barbarit.
 
E bashkoi forcën e tij me të saj
I tha : „ti zemër më mos qaj“,-
Se përsëri vjen e nesërmja ditë
Dielli do të na lëshojë një dritë.
 
 

SA NJERËZ KA!
 
Njeriu është i lirë, thotë Tolstoi
Vetëm atëherë kur i shërben të së vërtetës,
Vallë sa njerëz ka tani në botë
Që atë e shohin nga syri i brendshëm?!
 
Është e nevojshme që çdo njeri të ketë
Të paktën një rrugëdalje, thotë Dostojevski,
Vallë sa njerëz ka tani në botë
Që erdhën te ajo rrugë e s’dinin kah shkonin?!
 
Shpirti i munduar, thotë Konica
Ka nevojë të përmblidhet
Dhe të vuajë diku në vetmi,
Vallë sa njerëz ka tani në botë
Me shpirt të munduar që nuk e ndjejnë?!
 
Aty thellë në trurin tim
Gjendet fusha argëtuese e dreqit,
Që dëfrehet në çfarë mënyre të dojë
Që s’mendon se edhe ky tru
Fusha e tij ka një fund…
 
 

PRIMITIVI
 
Më duket se mendja e një primitivi
Ka tjetër pamje dhe tjetër rrugë,
Trupi i tij baras me shtazoren
Vërtetë më brengos e frikëson.
 
Natyra e bukur që e rrethon
Më duket se është krejtësisht ndryshe,
Nga ajo e të mençurit edhepse njëlloj
Natyrë është dhe ashtu mbetet.
 
Të tilla mendime më rradhiten
Për këtë njeri që shoh para vetes,
Për të cilin njëlloj është dhe e barabartë
E vërteta me jo të vërtetën.
 
Djalë i ri është dhe ka një mendje
Me të cilën pak a shumë “do” të mendojë,
Nuk mendon të punojë dhe përparojë
Veç të pasurohet dhe një vajzë të ç’nderojë.
 
Të lexojë fare shpirti s’i pëlqen
Një primitiv si veten dëshiron ta gjen,
Bile asnjëherë nuk mendon
Se nuk hahet krejt çka fluturon.
 
 

I ÇMENDURI
 
Të mençurit janë mbledhur rrotull
Sikur ka zbritur ndonjë nga Marsi,
Secili jep nga një mendim „te vlefshëm“
Për atë që para tyre i dëfren.
 
Të gjithë kujtojnë se ndodh diçka
Që disa e dinë por, ashtu kanë qejf,
Disa të tjerë mundet se nuk e kuptojnë
Se dëfrejnë veten dhe atë përpara tyre.
 
Bile dhe secili nga një shuplakë i bie
Pa menduar se nuk vlen më shumë se ai,
E ky përsëri mbetet ai që për ata
S’është gjë tjetër veçse i çmendur.
 
 

ABSURDITET
 
Ka shumë kohë që kam lindur
Mund të them se janë plot njëzet vjet,
Mendoj se çdoherë endem nëpër realitet
Pasiqë mendoj domethënë se ekzistoj.
 
Kështu thotë edhe Dekarti i madh
Që dyshon në gjithçka përveç ekzistencës së tij,
Këtë e vërteton edhe Gajdi i cili thotë:
“mund të ndjej domethënë se ekzistoj”.
 
Kjo mendja ime s’mund të bëjë një analizë
Mes këtyre dy të famshëve filozofë,
Se pse i pari mendon se ekziston pasiqë mendon,
Dhe pse i dyti e kuptoi se ekziston
Kur në vetmi një herë mendoi për ndjeshmërinë.
 
Dua të them se edhe unë mendoj dhe ndjej
Por, pse jetoj s’mund të kuptoj dhe frikësohem
Se një ditë dikush do të vijë të më thotë
Se e kotë është që unë dola në këtë botë.
 
Por jo. Unë do t’i them se e di pse jetoj
Brengat e mia s’mund t’i mbajë askush,
Duhet të shohësh veten tënde që ende s’e kupton
Se çka i duhesh në shekullin e njëzetë njerëzimit.
 
Çka të bëjë me ty njerëzimi
Kur vetëm si figurë sistematike ekziston,
Dhe, siç thotë Gëte në „Doktor Faust“,-
„njeriu e përçmon atë që s’e kupton“.
 
Ti ende nuk e ke kuptuar se çka duash
Vetëm endesh rrugëve si i hutuar krejtësisht,
Pa punë je dhe të punosh fare nuk dëshiron
Si t’ia prishësh virgjërinë një vajze mendon.
 
Ja, unë të them se vërtetë ti je i çmendur
Se më mentalitet primitiv se ti nuk ka,
Përsëri më kthen te vërrejtjet e Gëtes
Ku ti kërcen nga malli në gëzim
E në gëzim e sipër të merr malli.
 


FANTAZIA
 
Dita zbardh, unë zgjohem i vetmuar
Dhe pse kam mendje për të menduar,
Kjo ditë më duket si shkretëtirë
Në natyrën reale pa hapësirë.
 
Ha mëngjesin, përsëri vetë dhe mendoj
Pse kaq rëndesë çdo ditë pësoj,
Vallë nuk jam edhe unë një njeri
Që do të jetojë por, jo në errësi.
 
Mirë, gjysma e ditës tanimë kaloi
Edhepse nxehtësia më përvëloi,
Si ta kaloj tani gjysmën tjetër
Kur gjithçka që shoh m’duket e vjetër.
 
Në mend më rrotullohen ide abstrakte
Sikur në qiell yllin për bishti e mbaj,
e kur kthehem nga qielli prapë në botë
e shoh se gjithçka ka qenë e kotë.
 
Kaloi edhe kjo pasdite e besdisur
Nga nxehtësia bëj sikur i zalisur,
Më dogji krejt energjia e diellit
Në kokë më ziejnë mendime pa fund,
Sikur yjet brenda qiellit.
 
Ja, tani vjen mbrëmja e zemëruar
E dalë nga brendia e tokës, e trishtuar,
Më duket hije të zeza përpara më rrinë
Me sy të egërsuar duan të më përbijnë.
 
Kur vërtetë zgjohem nga kjo fantazi
Para syve më humb ylli i bardhë si bora,
Shoh se jam vetëm duke fjetur në shtëpi
Dhe një trishtim më dridh deri te dora.
 
 

ÇUDIA
 
Të mendosh e të mos dish çka mendon,
Të shikosh e mos të dish çka shikon,
Të kërkosh e të mos dish çka kërkon,
Të vraposh e të mos dish pse vrapon.
 
Të hutohesh s’ke pse të hutohesh
Të jetosh s’ke pse të jetosh,
Të kujtohesh s’ke pse të kujtohesh
Të mos jetosh s’ke pse të mos jetosh.
 
Je i çmendur nëse shumë fantazon
Por, i çmendur edhe pse s’fantazon,
Realitetit larg t’i largohesh
S’ke pse hiçit t’i afrohesh.
 
Të ëndërrosh s’ke pse ëndërron
Të mos ëndërrosh s’ke pse të mos ëndërrosh,
Dhe të marrësh të shkosh dikund
E sheh se ke dalur në askund.
 
Të punosh duhet të punosh
Të fleshë s’ke pse të fleshë,
Të bisedosh edhe ajo s’të pëlqen
Kotësi është gjithçka që vëren.
 
Të dish edhe ajo nuk të duhet
Se “s’vlen” nga të tjerët të thuhet,
Prandaj duhet vetëm ashtu të rri
S’ka lidhje se jam në robëri.
 
S’ke edhe pse të gjykosh
Cila është e mira e cila e keqja,
Sepse të thonë se ti gabosh
Dhe në kokë je si teneqja.
 
Në fund je pranë qiririt që harxhohet
Dhe e gjithë mendja të turbullohet,
Thua se je i mërzitur nga jeta
Dhe vetëm vdekja është e vërteta.
 
 

MENDIME
 
Moj Shqipëri ti nëna ime
Vend që çdoherë të kam në kujtime,
Fjalë që zemrën mua ma trazon
Kur pa dashje dikush e thekson.
 
Kur dikush ty të përmend
Trupi im s’rri dot në një vend,
S’di nga shkon atëherë ai
Nga fjala e rrethuar me flori.
 
Nuk kam atëherë unë lumturi
sepse ai ta prish atë bukuri,
nga njëra anë thotë se je vetëm një
kurse me zemër për ty s’vlen asgjë.
 
Them ashtu sepse ai më mjeron
Kur vetëm për ty diçka më tregon,
Kurse në mendje fare s’e ka kuptuar
Rëndesën që çdo ditë je duke pësuar.
 
Atje ti s’ke nga shkon prej hijeve
Që i kanë kalbur edhe drunjtë e pyjeve,
Vetëm në zemër ke pak gëzim
Kurse në fytyrë çdoherë hidhërim.
 
Ai vetëm thotë: „nënë Shqipëri“
Dhe s’do të të dhurojë pak lumturi,
E ti me shpirtin zvarrë mundohesh
Larg nga bijtë mos largohesh.
 
Atdhe dhe Mëmëdhe, thotë të kemi ty
Dhe të hudh një lëvdatë sa për sy,
Por, që banorët e tu i dërmon
Ende ky hipokrit nuk e kupton.
 
Pastaj do të më përmend dhe Skënderbeun
Thotë se ai vërtetë luftoi për Atdheun,
Kurse ne sot që atë e kemi hidhëruar
Se ka kuptuar dhe s’ka për ta kuptuar.
 
Rri tash dhe mendja një mendim merr
E kupton se si gjatë kohë isha në terr,
Sytë fillojnë përnjëherë të më verbohen
Shpirti e zemra nga zjarri përmallohen.
 

 
ÇFARË JAM UNË
 
Rruzulli tokësor, kosmosi dhe qielli
Pak më tutje gjendet dhe dielli,
galaktika, yjet dhe retë,
pak më poshtë ajri i qetë.
 
Toka, objektet, fushat, malet
Ku përmblidhen të gjitha hallet,
Qyteti, rruga dhe mali me shpat
Të shpiejnë drejt e këtu në fshat.
 
Nëpër fshat dhe tek shtëpia ime
E ndarë pak larg sikur jetime,
brenda saj unë gjindem
me mendjen time grindem.
 
Mendoj, vallë, pse të jem këtu
Unë, një njeri i vogël shkurtabiq
Të kem fytyrën mu ndër tru
Që n’pasqyrë m’duket lakuriq.
 
Edhepse nuk i hudhem krimit,
Çfarë i duhem unë njerëzimit,
Sikur një yll në gjithësi
Jam unë për këtë njerëzi.
 
 

HIDHËRIM ME VETVETEN
 
Kur dal të shëtis, të ec, mendoj
Që kot e kot është kjo jetë që jetoj,
Kot është gjithçka që mundohem
Vetëdijes ngapak t’i afrohem.
 
I vetëdishëm të bëhem kam dëshirë
Ndoshta atëherë gjithë do të shkojë më mirë,
Të gjitha vështirësitë do të drejtohen
Që vetvetes mos t’i hidhërohem.
 
Por, edhepse mundohem të mendoj
Ende veten time s’mund ta kuptoj,
Sepse kur gjendem në ndonjë vend
Shumë gjëra s’mund t’i marr me mend.
 
Shpirti s’mund më të durojë
Që çdo ditë dhembja ta kaplojë,
Problemet vetë s’mund t’i zgjedh
Gjithë këto mendje në një t’i mbledh.
 
Një problem s’është gjë e madhe
Shumë më mirë është kur s’ke halle,
Por, kur koka të dhemb çdo ditë
Vërtetë të kaplon një frikë…!
 
 

VENDI I SHENJTË
 
Do të jemi në Parajsën e madhe
Me plot vajza si sorkadhe,
Të gjitha lulet do të mbijnë
Gjithmonë aty do të rrimë.
 
Do të jemi në Parajsën e madhe
Me shumë çuna të shkolluar
Kur probleme s’do të ketë fare
Kur lulet kanë për të lulëzuar.
 
Do të jemi në Parajsën e madhe
Me shumë fëmijë nëpr livadhe,
Kur nënat t’i shohin sa më mirë
Fëmijët e tyre gjithmonë të lirë.
 
Do të jemi në Parajsën e madhe
Kur të gjithë të jenë punëtorë,
Do t’ju shkojë djersa mbi ballë
Kur s’do t’lëmë punë për më vonë.
 
Do të jemi në Parajsën e madhe
Kur nuk do të ketë më halle,
Do të jetojë kush si të dojë
E vendin e shenjtë ta respektojë.
 
Do të jemi në Parajsën e madhe
Duke luajtur tok plot valle,
Kur nata përgjithmonë do të shkojë
Dhe dita e përjetshme do të agojë.
 
 

BALADË ZIJE
 
Të mëdhenjtë rrinë me lapsa në dorë
S’mendojnë se njeriu vdes në dëborë,
Nuk kanë halle por, i thonë bjeri
Vetëm në Parajsë mos mbetet njeri.
 
Këtu çdo ditë arratisje, vrasje
Grave, femrave për muri përplasje,
Këtë gjë, vallë, s’e vëren askush
S’mund të reagojë dikush?
 
Të mëdhenjëve ashtu ua ka ëndja
Dhe fare nuk u shkon mendja,
Për të tjerët që po vdesin
Për të afërmit që pa ta mbesin,
Vetëm familjet e tyre të jenë mirë
E çka se të tjerët s’janë të lirë.
 
Në ëndërr vërtetë m’lindi një shpresë
Se i vjen koha armikut që të vdesë,
T’i largojë duart nga vendi i huaj
T’ia lë vendasit atë ta ruaj.
 
 

QETËSIA
 
Pasiqë s’ka tjetër zhurmë të ndërprejë qetësisinë
E cila më çlodh vërtetë shpirtin e munduar,
Ai mendon se unë ia prisha qetësinë e tij
Me të cilën në mënyrën e vetë dhe ai dëfrehej.
 
Mirëpo, mendimin e ka të gabuar krejtësisht
Pasi unë nuk bëj zhurmë, s’jam i çmendur,
Ai vetëm dëgjon mendimet e mia
Që nga zjarri duan të dalin jashtë.
 
Ai dëgjon zemrën time, botën time të fshehtë
Të mbuluar me gërmadha çmendurie pa fund,
Dëgjon dhe do të dëgjojë kotësira nga unë
Që gjithmonë i tregojnë se e hudhin në gjumë.
 
Papritmas disa punëtorë fillojnë punën
Ne të dy lirohemi nga njëri-tjetri,
Ai nga unë sepse ia prishja qetësinë
Unë nga ai sepse më prishte qetësinë.
 
 

PËRQESHJE NGA ÇMENDURIA
 
Secili ka ardhur aty të dëfrehet
Pasiqë shpirti i kërkon kënaqësi,
Por, vetëm ndonjëri prej tyre
Ha, pi dhe dëfrehet me të vërtetë.
 
Aty ka ardhur dhe një i çmendur
I cili mendoj se s’e di se ku gjendet,
Vetëm e di se gjendet diku…
Afër me njerëz të tjerë.
 
Anësh sheh edhe disa të tjerë sikur ai
Që kanë marrë rrugën për në çmenduri,
Dhe ky fillon të luajë përpara tyre
Duke menduar se i përqesh ata
Edhe ata duke menduar se e përqeshin…
 

 
NJË ÇAST
 
Mendime pa fund rradhiten
Shpalosen kujtime të vjetëruara,
Truri i lodhur ka fort pak pushim
Pastaj të fillojë më llogaritë.
 
Derë pas dere hapen pa ndalur
Sfera të ndryshme të jetës kalojnë,
Epoka historike të pakuptueshme
Mundohet t’i arrijë truri.
 
Papritur gjitha puna ndalet
Zhduken ato ngjarje të vërteta,
Truri fillon vetëm me realitetin
Dhe i largohet fantazisë.
 
Të gjitha ato ngjarje
Ndodhën vetëm për një çast,
Dhe ai tru nuk mendon
Se mbeti me kohën mbas.
 
 

KUPTIM I GABUAR PËR JETËN
 
Habitem se si njeriu
I plotë, me mendje, desha të them
Dhe ndjenja të thella njerëzore
Që i mundojnë të punojë me estetikë
Përsëri ato i përdorë çdoherë
Vetëm për veprime shtazore.
 
Vallë, s’mundet t’i kontrollojë ato,
Apo ka mentalitetin primitiv,
Por, jo, s’besoj se është ashtu
Pasi njeriu ka edhe shpirtin
Desha të them, virtytin shenjtëror.
 
Çfarë iu desh këtij trupi
Ty të drejtohem more mik,
T’i ngjitet pastërtisë së shenjtë
Kur më mirë do të ishte
Të ishim njerëz vetëm me shpirt.
 
 

FRIKËSOHEM
 
Vetë mendja ime me shkathtësi
E vëren se shumë frikësohem,
Prandaj më nxjerr përpara syve
Fytyra t’egra, të paftyra.
 
Dhe unë kujtoj se ato
Kanë dalur vërtetë nga varri,
Vetëm me një mendim kanë ardhur
Që mua me ta të më marrin.
 
Kështu më shtohen konsideratat
Më shqetësohet e gjithë ndergjegja,
Që të dënoj veten me vdekjen time
Për faje që fare nuk ekzistojnë.
 
 

MENDIM PA KUPTIM
 
…dhe kështu durova disa vite
U qetësova, durova gërmimet
Më të ashpërta nëpër shpirt,
Kontrastet e shumta n’mendjen time.
 
Sot më shpërtheu më gjaku
Për shkak të një imtësire të vogël
Për asgjë, desha të them
Kjo, përsëri dua të them
Në një pikëpamje quhet çmenduri…
 
Habitem me këtë mendjen time
Se si nga njëra anë më tregon
Për njeriun pa punë, pa jetë të drejtë
Që më vonë prishet, bëhet egërsirë,
Nga ana tjetër po për mendjen time
Që ka marrë rrugën e çmendurisë.
 
Dhe kështu mbaron mendimi
Duke qeshur mendja egërsirën
Egërsira mua
Gjithashtu unë mendjen…
 
 

KËRKIME
 
Tërë ajo lulushtë e shenjtë
Që më çlodhte trurin e munduar,
Sikur më harroi dhe u zhduk
Ndoshta pse s’i besova se ekzistonte.
 
Mirëpo, atëherë ishte herët
Për ato pyetje që m’i parashtronte,
Unë ende s’isha i vetëdishëm
Se edhe vetë ekzistoj.
 
Tani po ta shihja do ta lutja
Të kthehet përsëri tek unë,
Të më japë rrugën e drejtë
Që shkon nëpër rrezen e diellit.
 
 

NEUROPSIKIATRI I VOGËL
 
E shoh se si më vëren
Mundohët të më studiojë,
Por, me mendime të gabuara
Gjithmonë e mbush mendjen.
 
Vallë, pyetem, si më kupton ky mua
Mos ka hyrë fshehtas në mendjen time,
T’i sheh mendimet e mia pa fund
Që çdonjëri do të marrë përparësi?!
 
Vallë, më quan mua fenomen
Pasi në sytë e mi duket kjo,
apo më quan hipokrit
pasi ato veprime m’i sheh?
 
 

FJALIM I KOTË
 
Është e ditur se nuk ka njeri
Që është i drejtë plotësisht,
Që është me mendje të sigurt
Se nuk ka ndërmend të bëjë vetëvrasje.
 
Por, kur nganjëherë ndonjëri del
Dhe thotë se është plotësisht i drejtë,
S’ke si ta bindësh se nuk është ashtu
Dhe se vërtetë është i çmendur.
 
Më falni nëse i them i çmendur
Por, e vërtetë është kjo shprehje
Pasiqë gjithë janë në gjumin shekullor
Vetëm ky del, sikur zgjohet më herët.
 
Përsëri s’mund ta bindësh
Sepse mendja e tij ka marrë një drejtim,
Nuk kthen prapa sepse ashtu është
Sëpaku, ajo mendje ashtu mendon
E kotë është nëse ia tregon ujqërit
Pasi ai t’i gjen gjurmët e tyre…
 

 
EGOIZMI MË I MADH
 
Mos shko ende me mendjen tënde
I thotë ky asaj që rri urtë,
Pasi me mendjen tënde
S’mund të bëjmë gjë ne.
 
Kështu i thotë ai
Pasi ajo ska fare shkollë,
Kurse, ky edhepse s’ka shkollë
Është diçka, një asgjë, desha të them.
 
Sëpaku, këtij i duket se
Flet me një të humbur fare,
Të pajtuar me mendimin shtazor
Se “nuk e di pse jeton“.
 
Dhe kështu kam dëgjuar se
Dashuria më e lartë ndaj të afërmëve,
Në të njëjtën kohë është
Edhe egoizmi më i madh.
 

 
FOL ME SHPIRT
 
Fol me shpirt se s’të kuptoj
Hudhe zërin thellë në veshët e mi,
Mos fsheh zotësinë që kemi
Bota është e jona, mund të flasim.
 
Origjinën vërtetë e kemi të përbashkët
Marrëdhëniet duhet t’i kemi të thella,
Sepse morali i armikut mendjemprehtë
Vjen duke u shkatërruar krejtësisht.
 
Fol me shpirt edhe një herë
Të kuptojnë ujqërit në mes të malit,
Se lepuri i rrethuar në mes të tyre
Nuk ka frikë e as që do të ketë.
 
Fol me shpirt për të fundit herë
Pastaj t’parajsës hape një derë,
Humbu atëherë se vetë do të gjindem
Mos harro se shumë të jam mirënjohës.
 
 

BLETA E HUTUAR
 
Lule më lule çdo ditë shkon
Secilës nga një pjesë shpirt i merr,
Ndonjërës që është e dobët ia merr krejt
Dhe nuk kujton se asaj i humbet jeta…
 
Dhe me këtë ajo është e kënaqur
Mblodhi shpirtëra për shumë jetëra,
Se lulet që i thithi nuk jetojnë më
Kinse ajo s’ka faj dhe vërtetë s’ka…
 
 

KTHIMI NGA KOSMOSI
 
Një derë gjendet përpara meje
Nuk kam njohuri se ku shpie ajo,
Si do që të jetë unë do ta hap
Do të hudhem në botën e pasderës…
 
Ah, çfarë bote qenka kjo!
Më e bukura që deri tash parafytyrova,
Kjo qenka kosmika e panjohur
Ja, dhe më tutje ylli polar.
 
Mirëpo, tash u mërzita për Tokën
Dua të shkoj por, nuk di nga të shkoj,
Më trego ti yll rrugën për në realitet
Se shumë i ftohtë qenka kosmosi.
 
Ç’është tani kjo dritare?
Shumë e vogël, thua s’ekziston,
Vallë, pse përmes dritares të dal në Tokë
Kur hyra me rregulla kah dera?!
 

 
ËNDRRA E LUMTUR
 
Aq e vërtetë më duket kjo ëndërr
Saqë fare nuk mund të kuptoj,
Çka ndodh në realitet me mua
Mos është duke më plasur zemra.
 
Disa njerëz në varr e përcillnin një
Që kishte vdekur nga çmenduria,
U afrova, pyeta se kush kishte vdekur
U habita kur më thanë se unë!
 
Atëherë, thashë, të shkoj dhe unë
Të prek sandëkun ku unë gjendesha,
I lumtur isha që kisha vdekur
Dhe i lumtur që jetoja…
 
 

LULET E HERSHME
 
Nënë, dielli sot më shumë ndriçon
Është gjallëruar i gjithë oborri,
Lulet, edhepse dimër, kanë lulëzuar
Si duket vjen më herët pranvera!
 
Drunjtë filluan të nxjerrin fruta
Përroi i thatë u mbush me ujë,
Ditë e shenjtë, nënë, është sot kjo
Ja, shih njerëzit të gëzuar.
 
Nënë, edhepse herët u ringjallën lulet
T’i marr ato katër lule anembanë,
Të bëj një tufë mu në zemrën tonë
Sepse shumë na merr dhe i merr malli.
 
 

FRUTI I NDALUAR
 
Ditë e natë ditari rri i hapur
Pret rrëfime dhe parime,
Kujtime që s’do të harrohen
Në mendje thellë të ngulitura.
 
Sot më tha se kërkon një përmirësim
Mbi një mendim të vjetërsuar,
Pasi errësira atë e ka mbuluar
Dhe kërkon shqyrtimin estetik.
 
Mirëpo, kjo është e pamundur
Pasi Parajsa shpenzohet kudo,
Aq më shumë kur dihet se
Fruti i ndaluar është më i ëmbël.
 
 

NDJENJAT E VËRTETA
 
Njeriu fillon të dyshojë në gjithçka
I humb mendimet e vlefshme për jetën,
Fillon të shohë botën me imagjinatë
Më të shpeshta i ka konsideratat.
 
Në besime të patundura zhytet
I bindur është se s’vlen për asgjë,
Ndjenja të tmerruara ia gërryejnë shpirtin
Fillon të çmoralizohet fare pa dije.
 
Janë këto disa ndjenja të vërteta
Se afrohet vdekja, humbja nga jeta,
Dhe kur njeriu krejtësisht jetë ndërron
Bëhet banor i jetës së amshuar…
 
 

ETNOCENTRIZMI
 
Kafsha nuk e njeh identitetin e vet
Gjithçka që sheh i duket një asgjë,
Nuk kupton dhe s’do të kuptojë
Ç’është natyra, njeriu, jeta…!
 
Këto virtyte nuk i ka njeriu
Njeriu me vetëdije, desha të them,
Ai ka mendje dhe mendon
E di përse ekziston.
 
Mirëpo, ka edhe nga ata njerëz
Që rriten më lartë me vetëdijen,
I nënçmojnë të tjerët,
Kulturën e tyre
E quajnë më me përparësi
Në raport me kulturat e tjera.
 
 

NUK KAM ASGJË
 
Idealet abstrakte s’më largohen nga koka
Çdo ditë që e jetoj më duket e përsëritshme,
Tendencat konveksionale më rëndojnë trurin
Përgjigje dua të marr vetëm nga dreqi.
 
Dua t’i jap kuptim ekzistencës time
Të shkoj drejt vlerave më të larta morale,
Të pamundshmen ta bëj të mundshme
Të mos mbes pa shijuar jetën…
 
Kërkoj përkrahje emocionale
Dua të gjej forcën e fshehtë te unë,
Që të pastrohem nga këto kotësira
Nga dreqërit e egër mos trembem në gjumë.
 
Përpara më del Charcot-i
Më rrëfen për autosugjestionin e tij,
Unë filloj ta bind veten time
Se me të vërtetë nuk kam asgjë.
 
 

DRURI I RRËNJOSUR
 
Në mes të fushës s pakufijtë
Lindi një dru tepër i fortë,
Me shumë degë të drejta
Me dritë që t’i vret sytë…
 
Oksigjen jep sa gjithë drunjtë tjerë
Më i lartë është nga gjithë ata,
Lakminë ia kanë të gjithë fqinjtë
Vërtetë është krenar dhe mburet.
 
Sikur në gjithë Galaktikën
Që jetë ka vetëm në Tokë,
Vetëm nën trungun e tij
Buron një lumë, i pashterur.
 
 

NDËRRIM DREJTIMI
 
Një kohë të gjatë
përroi nuk ndërroi drejtimin,
i lumtur me gurgullimën e tij
kalonte fushën tej e përtej.
 
Sot ra një degë e drurit
E cila që moti lëkundej,
Ndaloi rrugën e përroit
Freskinë që jepte ai.
 
E ktheu atë në drejtim tjetër
Pa ia bërë të njohur ku të shkojë,
Pa pyetur drunjtë fqinjë
Vallë, u pengon tani atyre!
 

 
FSHEHTËSITË
 
Mbi shpinë ia vë këmbën
Pa e pyetur mos ka rëndesë,
Ajo fare nuk më prish qejfin
Sepse jam gjaku i saj.
 
Ia vërej vendin e mendjes
Sa mendime të mira për mua aty ka,
Sa të fshehura që ende nuk m’i ka thënë
Pasi jeta, koha është shumë e shkurtë…
 
 

BUKURIA E PËRJETSHME
 
Ka vënë dorën mu tek mendja
Mendon diçka që unë nuk e di,
Ndoshta se si do të vdesë
Neve të vetëm do të na lë.
 
Pa dashje dhe mua më shkon mendja
Për vdekjen e saj të pakuptimtë,
Si do të mbes pa të, ledhatimet e saj
Pa qeshjen dhe bukurinë e përjetshme.
 
Nuk do ta shoh më syrin e saj
Pak të shtrembër por, me lotë dashurie
Dorën më përkëdheljen e ëmbël
Gojën të mbushur me gaz lumturie.
 
 

SË BASHKU DO TË ZHDUKEMI
 
Ashtu e ka, or vëlla jeta
Që të vdiset njëherë,
Prandaj mos prit të qaj për ty
Ose të vij bashkë me ty.
 
Po të vdisja dhe unë i pari
Nuk i kërkoj këto nga ti,
Ngase e di se ti duhet të jetosh
Atë jetë të shkurtër ta gëzosh.
 
Mirëpo t’i lëmë këto mendime
Pasiqë të dy jetojmë,
Që të dy jemi në jetën reale
Që të dy së bashku do të zhdukemi.
 
 

KONTRASTI
 
Edhe i pavetëdishëm të jem
Mos prit që unë të qesh,
Me komeditë e tua të pakuptimta
Që më dërgojnë vetëm në hiç.
 
Edhe i vetëdishëm të jem
Mos prit që unë të qaj,
Me tragjeditë e tua të kuptimta
Që më dërgojnë vetëm në hiç.
 
I pavetëdishëm dhe i vetëdishëm të jem
Mos prit që unë të qesh dhe të qaj,
Me tragjikomeditë e tua,
Të pakuptimta e të kuptimta
Që më dërgojnë vetëm në hiç.
 

 
RINGJALLJA
 
Duke fluturuar në qiell
Skifteri i çmendur…
Bam, një krisje nga poshtë
Dhe skifteri bie
Në kënetën më të afërt
Që përpara disa ditëve
Shiu e kishte mbushur
Me ujin e shenjtë,
Të mbledhur
Në kosmosin e pafundtë.
 
Gjahtari u habit
kinse e mashtrojnë sytë,
kur pa se skifteri
përsëri u ringjall,
doli të jetojë
po në atë qiell,
ku kishte jetuar
epokat historike
të pafundshme…
 

 
PA VETËDIJE
 
Pa vetëdije qesh,
Pa vetëdije qan,
Natën në fshehtësi
Hap varrin
Për të hyrë vetë.
 
Nesër vjen agimi
Zgjohet i vetëdishëm,
Mu kur zbardh dielli
Kinse erdhi shpëtimi
Ky vdes pa vetëdije…
Dhe e futin në atë varr!
 

 
LARGIM MENDIMESH
 
Botën e shenjtë
Që ti e ke përreth
Të mbushur me lumturi,
Mos hudh mendjen
Ta kufizosh atë
Me harmoninë e ferrit.
 
Diellin e artë që të ngroh
Plagët e thella që t’i shëron
Mendimet e mira që t’i ofron,
Mos mendo ta përlysh
Ta rradhitësh me botën
e Marsit pasiqë atje
nuk e di se a ka jetë.
 
Gjallërimin që të vlon
Në gjoksin e pakufijtë,
Hudhe në qiell
Ta sheh
Edhe ai dritën e vet.
 
 

TRE SHPIRTËRA PRESIN
 
Lindet, me siguri për të jetuar
Me të vërtetë fillon të jetojë,
Fillon, bile, në shkollë të shkojë
Vetë shpirti i tij pret.
 
Pastaj fillon jetën të kuptojë
Në shkollë të mesme të shkojë,
Fillon të gjendet në çdo detyrë
Mendimet s’i ka të kufizuara
Familja e tij pret.
 
Pastaj më tepër i zhvillohet truri
Shkon në fakultet, magjistraturë
Më vonë në doktoraturë
Me ëndje populli pret…
 
 

GJYSMËVARRI
 
Shumë terr është në dhomë
Prandaj, thotë ajo
Duhet t’i hapim perdet
Se dhe jashtë dielli ndriçon.
 
Si jo, ia kthen ai
Mos shko me mendjen tënde,
Më terr do të të duket
Kur do të hysh në varr…
 
Atëherë jeta që jetojmë
Qenka vetëm një gjysmëvarr!
 
 

PA PRITUR
 
Pa pritur
Një zjarr i shuar
Kaplon malin e djegur,
E ringjall
Dhe përsëri
E kthen në botë
Që njerëzit
Pa pritur
T’ia shkulin flokët!
 

 
SYRI I BRENDSHËM
 
Loti i zjarrtë
Filloi të pikojë nga syri,
I djegur për ta parë
Për të fundit herë
Botën ashtu si i pëlqen…
 
 

VULLKANI
 
Vullkanin e shuar që moti
E harruan njerëzit
Vazhduan jetën normale
Thua se nuk ekziston.
 
Vetëm kupa e tij e lartë
Nganjëherë ua kujton mallin,
Për katastrofat e hershme
Derdhjen e llavës
Mbi njerëz, kafshë, çdo gjë
Shuarjen e plleshmërisë tokësore,
Djegien e gjelbërimit,
Që deri atëherë
Ua çlodhte sytë
U jepte harmoni
Shpirtërore…
 


GËZIMI DHE PIKËLLIMI NËNTOKËSOR
 
Gëzimi dhe pikëllimi
Për një çast u bashkuan,
Formuan gëzimpikëllimin
U futën në zemrën e fëmijës
Të leckosur, pis nga fytyra
Dërguan në mendjen e tij
Ndjenjat që ia sollën
Nga larg
Prej Plutonit
Zotiti të jetës
Nëntokësore…
 
 

ZOGJTË E DITËS
 
Nata mbaroi
Lakuriqët dhe korbat
Largohen nga fshati,
E lirojnë ditën
Të jetojë me zogjtë e saj…
 
 

PARA SE TË LIND
 
Morri djali babën
Shkuan në fushë,
Filloi t’ia tregojë
Gjithë kufijtë
E arës që
Para se të lind ky
Babai i tij
Kishte marrë
Babanë e vet
Dhe ia kishte treguar
Po ato kufij
Të arës që
Para se të lind ky…
 

 
FUNDI I JETËS
 
Shkoi pëllumbi përpara pasqyrë
Të pispilosej sepse do të shkonte
Diku te skifteri për darkë,
Se që dje e kishte thirrur
Të shkonte i kishte thënë
Dhe se në darkë si mysafir
Do ta thirrte të vëllanë.
 
Që te pasqyra
Pëllumbi u habit kur pa
Një gëlltitës të kafshëve,
I cili nuk kishtë fytyrë
Por, vetëm një dorë
Ku i shkruantë të mos shkojë.
 
Përsëri ai vendosi dhe shkoi
Dhe mu tek dera e shtëpisë
„atë“ për çudi si e takoi
E gëlltiti dhe jeta e tij
Mori fund!
 
 

URIA
 
I turbulluar lepuri
doli të shëtiste në mal,
të freskohej pak
me gjelbërimin
e pranverës…,
pasiqë në zgafellën e tij
e kishte marrë uria.
 
Mu aty në një livadh
U shtri i gjori
T’i bënte kurthin
Miut të zi, të trashë
Që poashtu priste ushqimin
 
Dhe kur pa një vigan
Të shëtiste nëpër pyll,
Ishte nga ai jo larg
E kishte marrë dhe atë uria
Dhe lepuri iku me vrap!
 
 
 
SIZIFI MË POROSITI
 
Në ëndërr pashë Sizifin
Më sillte sandëkun e vdekjes
Për të shkuar unë
Ta marr një njeri
Nga bota e amshuar
Dhe ta sjell
Në botën reale
Pasiqë gjithë njerëzit
Kishin vdekur
Duhej
Nga fillimi t’i mbjell…
 
 
 
ZGJIMI I TË VDEKURVE
 
Në terrin e natës qindvjeçare
Filloi trualli të dridhet,
Gjithë njerëzit realë janë në gjumë
Shpirtërat e të vdekurve zgjohen
Se i ka marrë malli
Të jetojnë vetëm një çast
Në botën e vërtetë,
Dhe nëse mundet
Të dërgojnë atje ndonjë
Në vend të tyre
Këta të mbesin përgjithmonë
Me të jetës reale jehonë…
 
 

GJARPËRINJTË E QIELLIT
 
Gjithë ajo borë
Që u hodh nga qielli
Për një çast
Sikur nuk i zbardhi
Aspak tokën dhe njerëzit
Pasiqë asaj iu duk
Se u pengon atyre…
Prandaj ktheu
Hypi përsëri në qiell
Nga ku u lëshua me hov
Por, tani ndryshe
E shndërruar në gjarpërinjë
Dhe gjithë njerëzit
Ia lëshuan vendin.
 
 

DRURI QË NUK DURON
 
Çudi!
Sot vetëtima e fuqishme
Ka marrë shpejtësi të madhe
Nga rruga e largët,
I ra drurit të lisit
Të gjatë dhe të shtrembëruar
Thua vetë do të bjerë
Por, çudi,
Nuk ra
Ende qëndron…
 
 

RINGJALLJA E YJEVE
 
Ylli lind dhe vdes
Galaktika pa atë nuk mbetet.
Posa të vdes njëri lind tjetri
Poqëse vriten njëri me tjetrin
Ata përsëri ringjallen,
vazhdojnë të jetojnë,
të bëjnë dritë…
 
 

SHUMË LARTË
 
Mali fillon të zvogëlohet,
Fushat rriten.
Lumi rrjedh përpjetas,
Ora zvogëlon ditën.
Egërsira zbutet,
Njeriu egërsohet.
Dielli ndriçon natën,
Hëna ditën.
Të gjallët vdesin,
të vdekurit dalin në jetë.
Gështenja bën ara,
Lisi bën kumbulla.
Vaj për njerëzimin
Që aq lartë duhet të hyp
Për një kokërr kumbull…
 
 

PALLTOJA E VARUR
 
Palltoja rri qetë e varur
Prandaj, mos e shqetëso
Që të çmendet,
mbi kokë të të vërsulet
sikur njeri i vdekur,
të të mbulojë sytë
për jetë mos të shohësh…
 
 

UNË JAM VIGAN
 
Unë jam vigan
Ja, shihni dhe vetë
Se si dal nga Toka
Atë e rrotulloj
Në anën e kundërt,
Dhe hënës mund
T’i jap atmosferë
Që të vini ju
Të jetojmë atje
Pasiqë edhe Toka
S’ka fuqi t’na mbajë…
 
 

FANTAZI
 
Si spiritualist studion njeriun,
Si psikiatër përsëri njeriun
Dhe formon njeriun realë.
Pastaj vazhdon si gjeolog
Të studiojë Tokën,
Si astronom kosmosin.
I bashkon këto
Dhe s’di se çka formon.
Në fund vjen kimisti
Dhe e bën një provë
Eksplodon laboratoria
Zhdukën materien,
Tokën, jetën…
 
 
IDHËSIM
 
Bariu zbret bagëtitë nga mali
Erërat e fuqishme
Sa nuk e mbytën.
Qytetin e mbulon bora
Lypësit i ngrin dora,
fytyra i zbehet
shpirti në trup
me fatalizëm i dëfrehet…
 

 
THIRRJE
 
Buka është e helmuar,
Ëmbëlsirat me barut,
Qumështi i nënës
I hidhur i duket fëmijës
Lëngjet janë të njelmët
Mbetet vetëm thirrje
Për duhan, alkool
Drogë…
 
 

GAZETAT QAJNË
 
Intelektualin e nxjerrrin nga puna
Në vend të tij vjen bariu.
I pari merr dhentë dhe shkon
T’i kullotë nëpër bjeshkë
Të pakufijta.
I dyti fillon të bëjë
Shërbime intelektuale…
 
Poashtu dhe gazetarin
E largojnë nga puna
Gazetat qajnë
S’duan të prodhohen
Nga dorë tjetër
S’duan të lexohen,
S’duan të lexohen…
 
 

BISEDË E FSHEHTË
 
Sa arrij përpara tyre
Hapi më ndalet,
Të dëgjoj bisedën e tyre
Por, edhe ajo ndalet.
E ndalin ata
Se nuk kanë fytyrë
Që këtë bisedë
Ta bëjnë në mes të rrugës.
 
Unë kaloj dhe ata përsëri vazhdojnë
Harmoninë e bisedës djallëzore.
Kurseni fjalë, kurseni pa ndalur
U them në mendjen time
Mos keni frikë
Sepse nuk ju dëgjoj
Jam memec
Vazhdoni të flitni
Për prostitucionin
Shkatërrimin
Hiçin…
 
 

BOTË ME LOTË
 
Kur Zoti i Gjithësisë Tokën e krijoi
Dhe një të deleguar në të dërgoi,
Shumë mirë melekët i kishin thënë
Dërgon njeriun të vrasë të vëllanë.
 
Unë di diçka që ju nuk dini
U tregoi Ai dhe u tha: “shihni”,
Se si njeriu amanetin e pranoi
U tha që t’i përulen atij
Gjithë u përulën, Iblisi refuzoi.
 
Refuzoi dhe nga Parajsa u dëbua
Në botë kundër njeriut doli të jetojë,
Vërtetë u bë një opozitë e madhe
Që njeriu t’i ketë gjithë këto halle.
 
 

SI E KALON DITËN LYPËSI
 
Ta shikosh djalë i ri, i mirë
Nuk është rob por, i lirë
I sëmurë më siguri nuk është
Vuan nga një plagë e rëndë
Shpirti i ka ardhur deri në dhëmbë.
 
Në fytyrë i zverdhur, gati i vdekur
E në zemër, nuk e di, ndoshta hekur
Ditën lyp, s’ha deri sa ajo të mbarojë
Vetëm njëherë në mbrëmje darkon.
 
Edhepse darkon ajo është gjysmëdarkim
Të nesërmen e sheh e të zë një trishtim,
Sepse edhe më tepër është i zverdhur
Dhe shpirti më shumë i është derdhur.
 
 

GRUAJA LYPËSE
 
Ngado që të ecësh nëpër qytet
E sheh nga një lypës të shkretë,
Me fëmijë, foshnjë apo pak të rritur
Që sikur prindi çdo ditë i uritur.
 
Pajtohem se s’ka dalje përveç asaj
Bile, kur i shoh më vjen dhe të qaj,
Por, fëmija s’mund të shtrihet në beton
Se më vonë të rënkojë do të fillon.
 
Kur është lindur vërtetë s’është pyetur
Si do të jetojë më vonë duke u rritur,
Se si ardhmëria e tij më vonë do të jetë
Apo vetëm ëndërr, ashtu si ka gjetë.
 
 

FËMIJA LYPËS
 
Lindet, rritet, i vjen koha të vdesë
Nga askushi pa kërkuar ndjesë,
Të mendosh, sa shpejt humbet ai
Sikur mos të kish lindur njeri.
 
Ndonjërit nuk i shkon fare mendja
Të kuptojë se si është gjendja,
Por, vetëm si i sheh prindërit jeton
S’ka lidhje se në shkollë s’shkon.
 
Por, ndonjëri edhe nëse e kupton
Tjetër kujt s’mund t’ia tregon,
Sepse gjendja është shumë e hidhur
Dhe shpirti për fyti i është lidhur.
 
 

LYPËSI I VDEKUR
 
Një shpirt i helmuar
Shkoi nga kjo botë duke lotuar,
Askush fare edhe s’ëndërroi
Se një lypës këtë ditë mbaroi.
 
E mendoj, t’më humbet një nga familja ime
Çdoherë do të më mbetet në kujtime,
Por, vallë lypësin dikush do ta kujtojë
Se edhe ai gjatë jetës kishte një gojë?
 
Gojë ka patur por, i ka mbetur e thatë
Tani kur vdiq s’fitoi asnjë lëvdatë,
Çdoherë lypte me atë fytyrë të nxirë
Bile edhe dimrit kur kishte të ngrirë.
 
Pa turp e ngrinte atë dorë të mpirë
Në beton këmbën e shtrembër të shtrirë,
Vallë, s’është mëkat që s’i ndihmuam
Vallë, pse vdekjen pak s’ia larguam?
 
Pas vdekjes disa fjalë do t’i thotë
Që edhe një herë të ishte në këtë botë,
Të jetonte i lumtur në atë jetë
Por, s’mundet se është te Zot i vërtetë.
 
 

SKAMJA
 
S’më ka mbetur gjë tjetër,
Vetëm se poemën e mjerimit
Në mendje ta recitoj
Me zemër n’gjoks të vajtoj.
 
Lotët çdoherë më pikuan dhe pikojnë
Dhe dua njerëzit të më harrojnë,
Të harrojnë se jam njeri
Edhe atë një djalë i ri.
 
Oh, do të doja tani
T’ia puth atë dorë Migjenit
Që të varfurit i ngushëlloi
Poemën e mjerimit kur shkroi.
 

 
DHEMBJE
 
Njerëzit kalojnë, shkojnë dhe zhduken
Zhurma të papritura pa dashje ngrihen,
Dikush hedh nga diçka pa dashje
Pasiqë përpara tij gjendet një „asgjë“.
 
Dhuroni, bëhuni të mëshirshëm
Dhuroni pak për hirë të Zotit,
Që do t’ju shpërblejë me Parajsë
Lutet lypësi pa pushim, pa turp…!
 
Mu aty, në atë çast gjendem dhe unë
Por, pak si i turbulluar me gjumë,
E shoh se sytë i mban krejt të mbyllur
Dhe dorën e tij që më ndërpret rrugën.
 
E kuptoj se nuk sheh dhe mund të ikë
Që mos t’i dhuroj diçka sepse s’kam,
Por, gërmimet nëpër shpirt s’më lejojnë
Që edhepse s’kam t’i jap diçka.
 
Pastaj e fitoj një të falur nga ai
Dhe zhdukem, atë e harroj, e lë vetëm
Pa menduar se si ai me atë paranë time
Nuk bën asgjë vetëm se e shton jetën.
 
 

NJERIU I ÇUDITSHËM
 
U ula dhe fillova t’i shikoj të gjitha fytyrat
Që m’u dukeshin si të inocensuara krejtësisht,
Thashë me veten time se këtu s’jam i lirë
Pasiqë do të ndjej gërmime nëpër shpirt.
 
Me të vërtetë isha shumë i lodhur
Por, këtë as që duhet ta dijë dikush,
Sepse vetë unë kujdesem për atë
Dhe po desha edhe mund ta vras.
 
Por, jo. Ende nuk më ka shkuar mendja aty
Edhepse është duke shkuar por, ende qëndroj
E kam qëllimin diku tjetër që s’kuptoj dhe vetë
Se si do të duket njeriu i vitit 2050.
 
Dhe filloi mendja si çdoherë të fantazojë
Njeriun që për një çast e krijova unë,
Të vogël, me një sy dhe pa flokë
Pa faqe, me veshë të mëdhenjë.
 
 
DASHURIA E VERBËR
 
Për mua e verbër është dashuria
Prandaj m’ka kapluar çmenduria,
Pasiqë për asgjë dhe në kotësi jetoj
Rrugës çdoherë si i hutuar veproj.
 
S’dua të bëj ashtu por, natyra m’dërgon
Dhe veprimet shtazore ende m’i shton,
Nuk dëgjoj hyjnoren çka më thotë
Dhe çdoherë i pi të miat lotë.
 
Hyjnorja më thotë t’i them asaj
Se në ëndërr kur e shoh vetëm qaj,
Kurse në realitet ajo kur më sheh
Shpirtin për të më dalur në fyt ma ngreh.
 
Do t’i largoj njëherë këto mangësi
Do të bëhem unë i plotë njeri,
Do të marr forcën dhe vullnetin tim
Që t’i hedhem fshatares në përqafim.
 
Njëherë do t’i hap sytë e dashurisë
Do të hudhem n’botën e lumturisë,
Do të vij unë të t’i puth ty ata sy
Por, ende kam frikë mos të të jap mërzi.
 
 

DIL NJËHERË
 
Dil pak jashtë moj fshatare
Dëgjoje bilbilin tek e jotja dritare,
Që nga thellësia e zemrës të kërkon
Ngaqë me shpirt të dashuron.
 
Dil sepse të kërkon pa pushuar
U lodh vetëm duke të kënduar,
Dil dhe merre, ftohja zjarrin brenda
Që sadopak t’ia largosh ato brenga.
 
Ti nuk e di se sa ai të kërkoi
Tërë këtë mal dhe fushë e fluturoi,
Sepse s’të takoi shumë e kaploi malli
Por, sonte tek dritarja iu shërua halli.
 
 

VAJZËS NGJYRË FLORIRI
 
Të blesh flori është i shtrenjtë
Nga ana tjetër është i shenjtë,
Të shndërrit dhomën dhe shtëpinë
Gjithë fshatit ia shton bukurinë.
 
Ashtu moj e dashur më je ti
Që m’i shndërrit çdoherë këta sy,
Që nga drita s’mund të të shikojnë
Por, vetëm në errësi lotojnë.
 
Do të vish ato t’i shërosh
Por, ardhjen tënde nuk di si ta tregosh,
Si unë je dhe ti e turpëruar
Oh, kështu ku jemi takuar?
 
 
MË KUJTO
 
Do të të sjell lule plot
Se s’të dua mos më thuash dot,
Por, tek ti ende s’mund të vij
Pak më tej këtë jetë ta shtyj.
 
Nuk e di pse përpara syve s’më del
Kur unë rrush shkoj të vjel,
Dil dhe eja bashkë me mua
Të të tregoj vërtetë sa të dua.
 
Çdo ditë e kaloj duke të kërkuar
Çdoherë për ty jam duke menduar,
Kur hyj si varr më duket shtëpia
Kur e di se aty më pret vetmia.
 
Pyes, vallë, çka ti tani mendon
Mos veten tënde tani qorton,
Mos të duket ty dhoma e shkretë
Kur e di se aty je qyqe vetë.
 
Mos shikon hënën me dëshirë
Kinse ajo do të më sjell tek ti,
Por, mendoj se s’jam aq fatmirë
Në mesnatë të t’i shoh ata sy.
 
Oh moj fshatare mos rri në psherëtime
Por, eja dhe zhdukmi këto ëndërrime,
Përqafomë, puthmë dhe puthmë përsëri
Asnjëherë mos ta harroj atë lumturi.
 
Tash vërtetë ta harroj fantazinë
Edhepse vonë, të fillojmë dashurinë,
Të ma shuash mua n’zemër këtë zjarr
Të më lejosh për beli të të marr.
 
Mos më lë të rri me hidhërim
Por, eja dhe gëzoma shpirtin tim,
Eja, sepse Zoti ty të bekon
Kur zemrën e vdekur me jetën bashkon.
 
Eja moj fshatare, flutur e lehtë
Me atë bukuri që s’e di as vetë,
Por, edhe nëse nuk vjen dhe më do
Mos më harro dhe çdoherë më kujto.
 
 

LULJA IME
 
Kur vjen tani pranvera
Lulet n’kopsht gjallërojnë,
Unë dal dhe shikoj te dera
Ngjyrat e tyre që më freskojnë.
 
Në skaj e shoh të ndarë një
Me ngjyrë më të bukur,
Vërtetë më ngjalli diçka
Që ende s’mund ta kuptoj.
 
Pasiqë u largova nga kopshti
U ula pranë dritares të pushoj,
Gjithmonë atë lule e shikoj
E shoh se si mua ajo më vështron
Dhe një ëmbëlsi tregon.
 
Pastaj përsëri shkoj dhe i afrohem
Sa e bukur që je me qeshje i them,
Dhe se bukuria yte më ngjal diçka
Që vërtetë n’zemër fillon t’më dhemb.
 
Ti edhe në errësirë shndërritë
Do të të marr moj fare pa frikë,
Sepse je më e bukur e krijuar
Shpirtin tim për ta çliruar.
 
Lulet që ti i ke pranë
Ato mua përshtypje s’më lënë,
Ato për mua janë gjë tjetër
Vetëm ti s’kalon në të vjetër.
 
Do të të ujis sa të duash
Nuk të dua mos të më thuash,
Mos më thuash se s’të ruaj
Kur çdoherë rreth teje unë luaj.
 
Të të këpus frigohem mos të thahesh
Pastaj përgjithmonë të më ndahesh,
Po të lë si të duash të veprosh
Por, mendo shpirtin mos t’ma lëndosh.
 
 

DRITA QË AJO LËSHON
 
Çdo ditë shkoj unë në shkollë
Çantën në krah e strajcën në dorë,
Rrugës dikë zemra e kërkon
Por, që moti ende nuk e takon.
 
Një ditë m’u hap një hare
Kur në qytet një yll vura re,
Dritë e madhe sytë m’i dëbonte
Zemrën një zjarr ma flakëronte.
 
Kur shkëlqimi i yllit rrugën ma preu
Atëherë zemrën mua flakërimi ma theu,
E kur filloi disa shkallë t’i zbretë
Mua sa s’më verboi me të vërtetë.
 
Vërtetë një pjesë e madhe shndërriste
Sikur edhe ai ylli dikë po priste,
Kur pranë u afrua me mua të bisedojë
Forca trupin filloi të ma lëshojë.
 
S’kisha forcë më me të të flas
Truri nga zjarri deshi të më plas,
Vetëm dy fjalë unë munda t’i dëgjoj
Së shpejti të ikë, rrugën ta vazhdoj.
 

 
MË TË BUKURËS NË FSHAT
 
Që kur në shkollë ne të dy u takuam
Këta sytë e mi nga ti s’u larguan,
Mu në atë moshë kur ty të panë
Nga bukuria yte ata u vranë.
 
Shikimit tënd ata s’mund t’i përballojnë
Sepse që moti ai i dogji dhe i thau,
Në zemër përceptime dashurie dërgojnë
Por, tash edhe atë konvenkcioni e vrau.
 
Ti si duket mua vetëm më sheh
Ende mirë në shpirt nuk më njeh,
S’e ke kuptuar ende se unë vajtoj
Kur ty të shoh e pastaj të kujtoj.
 
 

VUAJTJE
 
Vërtetë moj fshatare s’kam qetësi shpirtërore
Pasiqë ka shumë kohë që s’më afrohesh prore,
Vetëm më lë të të shoh, flas me ty dhe shkon
Fare nuk pendohesh se në zemër mua më shpon.
 
Jeta gjithnjë e më shumë të më humbë ka nisë
Shpirti çdo ditë më digjet nga zjarri i dashurisë,
Mendja nëpër fantazira më fluturon dhe trembet
Se mos në ndonjë errësirë pranë dreqit gjendet.
 
Zemrën e kam të ngrirë pasi që s’më jep dashurinë
Dhe nuk vjen që të hudhemi në botën e lumturisë,
Sytë e mi s’duan të shohin përjetë njerëzinë
Mendja ime do të jetojë në botën e çmendurisë.
 
Në rrugë vetëm më bën shenjë dhe mos të duroj
Kur në vetmi në mendtë e mia ty të kujtoj,
Kur nganjëherë përpara më del sytë m’i verbon
Fytyra yte që çdo ditë e më tepër bukuri krijon.
 
Nga njëra anë unë flutroj në qiell kur mendoj
Se çfarë bukuroshe unë i varfuri dashuroj,
Nga ana tjetër thellë në dhe të zi të hyj dua
Kur kujtoj se s’do të dëgjosh fjalë për mua.
 
Çdoherë të shoh edhepse s’të kam përpara syve
Çdoditë bilbili na këndon vetëm ne të dyve,
Çdoherë të përqafoj, të puth buzët dhe me ty jam
Edhepse tërë kohën fantazoj dhe afër s’të kam.
 
Në besime të patundura unë moj kam hyrë
Me energji sentimentale zemra më është fryrë,
Ndjenja që ma zhuritin zemrën më kanë kapluar
Dhe më shumë në çmenduri janë duke më dërguar.
 
 

T’I DUA
 
T’i dua flokët e tua
Gjer tek beli të lëshuara,
Të zeza, të shndërritshme
Me aq mjeshtëri të gërshetuara.
 
T’i dua sytë e tu të zinjë
Që me dashuri më përbijnë,
Ngado mua kur më shohin
Me atë shikim kur më ngrohin.
 
T’i dua veshët e tua
Që duan të dëgjojnë,
Diçka vetëm për mua
Zërin n’zemër ta dërgojnë.
 
Ta dua atë tënden fytyrë
Më të bukur që tregon një pasqyrë,
Të zeshkët, çdoherë në të qeshur
Me një bukuri të rrallë të veshur.
 
Ta dua atë gojën tënde
Që nuk gjendet në çdo vende,
Me ato buzë sikur qershi
Të gatshme çdoherë për dashuri.
 
T’i dua duart e ngrohta prush
Aq të buta që s’i ka askush,
Të gatshme të ndjejnë
Gjë të vlefshme kur gjejnë.
 
 

BISEDA ME BILBILIN
 
Dëgjomë ti i bukuri bilbil
Tash në duar kam një trëndafil,
Desha të ta jap t’ia dërgosh asaj
Por, si duket unë kam shumë faj.
 
Gabova që nuk i thashë që më parë
Se nga bukuria e saj jam i vrarë,
Por, tash jam shumë larg nga ajo
Dhe bilbil s’është një jetë kjo.
 
Së fundi s’di gjë unë për jetën
Por, për dashurinë e di të vërtetën,
E di se ç’është një dashuri e lumtur
Me një vashë, në fshat më të bukur.
 
Isha shumë i hidhëruar
Në shprit shumë i përvëluar,
Por, ty bilbil tash kur të takova
Me të vërtetë shumë u gëzova.
 
Thashë se e gjeta shpëtimin
Nga unë do ta largoj pikëllimin,
Dhe sikur atë të mos e takoj
Sepaku, përmes teje diçka t’i dërgoj.
 
Dhe disa fjalë t’i thuash
Që edhe ti, të dashurohemi ne duash,
Nga unë disa fjalë nëse do t’i dëgjojë
Thuaj një ditë të dalë e të më takojë.
 
Me gjithë gëzim do të shkoj
Trëndafilin tënd do t’ia dhuroj,
Me siguri se edhe ajo do të gëzohet
Se me një djalë si ti dashurohet.
 
Përveç asaj që më porosite ti
Fjalë më tepër do t’i them për dashuri,
Do t’ia tregoj të gjitha brengat e tua
Pasi, si the ti, të dilni bashkë edhe unë dua.
 
Dhe pasi bilbili shkoi
Mua mendja ngado më fluturoi,
Nga njëra anë se si bilbili të flet
E nga ana tjetër se si porositë ajo do t’i pretë.
 
Rri tani dhe bilbilin e pres
Lajme të mira të më sjellë me thes,
Dhe nga larg pak kur e pashë
U habita se ishte me një vashë.
 
U habita, thashë se s’është e vërtetë
Që sa shpejtë “një vashë” e kishte gjetë,,
Por, kur u afruan bashkë të dy
Ishte ajo vashë tek e cila e dërgova
Dhe më tha: „porositë e tua i pranova“.
 
Unë shkova bilbili na tha
Mori një tufë lule dhe m’i dha
Më tha që t’i tregoj vetë
Sa e dua atë fshatare për jetë.
 
 

LA VIE SANS TOI
 
Quand je regarde tes yeux vairon
Parler avec toi je n’ai pas d’expressions,
Et je ne peux pas tempérer
Parce que je suis très étonné.
 
Je te regarde et je vais à la maison
Mais au coeur se creuse une maison
Et ta visage tanné
Fait mais yeux dépassés.
 
Voilà deux semaine que je ne t’ai pas vue
Et ma vie est tout disparu
Mais vraiment elle ne me faut pas moi
Parce que ce n’est pas une vie, sans toi.
 
 



SHQIPËRIA IME

E copëtuar, e shtypur, e shkelur
E pamposhtur ndër shekuj të errët,
Besa shqiptare ta ruajti krenarinë
Shqipëria ime...

Ti nuk ke pështyrë në historinë tënde
Dhurove gjak për të qëndruar në këmbë,
Nënat shqiptare nuk u shuajtën
Shqipëria ime…

Sot je e lirë ndër popuj të lirë
100 vjet i ke mbushë, qofsh e bekuar
Populli shqiptar bashkë do të qëndrojë
Në Europën e bashkuar
Shqipëria ime...



Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen