Montag, 21. Mai 2018

Besim Xhelili: BUSULL E PRISHUR

Besim Xhelili

BUSULL E PRISHUR…

Ndoshta do të shëtitem deri në fundin e botës
Po ti nuk do jesh aty që të shoh pafundësinë e syve të tu,
Ëndrrat do më marrin me vete gjer në amshime t’largëta
Po ti s’do m’falësh buzëqeshje që do më mbrojnë
N’zemër do më ngjiten zjarre t’fuqishme pasionesh
Po ajo e jotja s’do afrohet të m’i shuajë shqetësimet
Ja, o shpirt, dallgët e këtij lumi përçajnë në mes qytetin
Dhe marrin me vete lotët e mi pa mbarim
I derdhin në fundin e këtij Deti Veriu,
Po ato dallgë puthjesh nga buza jote e ëmbël
Kanë turbulluar shpirtin tim që lëkundet si busull e prishur
Gjilpëra e tij e thyer s’tregon rrugën mëkatarëve si unë
Ka ngelur aty ku ti dhe unë marrim rrugët e kundërta...
Po bie nata e zbehtë, ky qytet nuk mbulohet nga terri
Vetëm mua vetmia m’i skuq sytë e më pret fytin!
Po sa dua të të dëshiroj një natë të mirë
Dhe të jetë e fundit… për sonte… e pastaj nesër
Mos të mendoj më për ty
Mos të dëgjoj zërin tënd as në ëndrra
As kur eci rrugëve ku më çojnë këmbët
Dhs mos të shkruaj më kurrë asnjë varg
Por, ja sa keq...gjithnjë po shkruaj,
Dhe poezia për ty s’ka fund
Siç s’ka fund kjo dashuri brenda meje...

Sonntag, 13. Mai 2018

Alketa Maksuti Beqari: MË DUAJ SOT

Alketa Maksuti Beqari

MË DUAJ SOT

Me duaj tani, sot.
Nesër dikush tjetër do të më dojë.

Më duaj në këtë sekondë
Më puth.
Nesër të miat, buzë, tjetri do t'i puth.

Më përqafo pa hyrë e nesërmja ditë
Se në zbardhje të saj
Të tjera krahë do më marrin në përqafim.

Më duaj
Më puth
Më përqafo

Nesër
Ah, e nesërmja, nuk dua të vijë.

Montag, 7. Mai 2018

Kreshmir Shego: NËNA TEREZË

(1950 – 2014) 

Nëna Terezë 
Ëngjëllit nga Kalkuta 

Engjëlli i Kalkutës,tokësor sa të duash 
shtegton rrugëve, vëzhgon zemrat e të vdekurve, 
në vesh ua pëshpëritë fjalët 
mbase më të ëmblat që i kanë dëgjuar në jetë, 
mbyll sytë në të cilët veçse është strehuar zbrazësia 
dhe gjurmon vende varresh në të cilat 
serish do të ndjejnë ngrohtësinë e dheut. 
Engjëlli nga Kalkuta ec rrugëve 
në duar mbanë ujë dhe barëra, 
pastron fytyra, mbështjell plagë 
pas të cilave as që shihen. 
I përqafon dhe i ushqen me bukë 
që ëmbëlsinë gojët e tyre e kanë harruar. 
Engjëlli nga Kalkuta ec rrugëve, 
nëpër skutat e tyre më të errëta 
këmbë pastër edhe pse gjithnjë në baltë. 
Me fjalët e saj ngjallë fjalë, 
i bën të kuptueshme për të gjithë ata që janë shurdhër 
nga gjithë ajo dhimbje në to. 
A e ke ndezur fitili, se paku, një çast 
në mënyrë që engjëlli nga Kalkuta të mund të kaloi qytetit, 
a i ke ofruar bukë– qoftë edhe bajat 
të cilën do ta kthej në gosti? A po fle? 
Fle rëndë sa që as vajin me dënesa nuk e dëgjon? 

-------------
Kreshimir Shego, është shkrimtar i shquar kroat nga Hërceg Bosna. Ndërroi jetë në vitin kaluar(2014), në moshën 64 vjeçare. Iku nga kjo botë pikërisht në çastin kur ishte në moshën më të mirë. Në pikun e pjekurisë së njëmendet dhe në hovin më të madh krijues. I ndjeri Shego, la pas vetës një varg veprash të mira letrare, midis të cilave ishin edhe shumë vëllime me poezi. 
Poema kushtuar Nenës tonë Terezë, është shkëputur nga një ble poezish të tij, botuar në numrin 79/80 të revistës letrare Osvit, bashkëpunëtor dhe udhëheqës (kryeredaktor) i zellshëm i së cilës ishte për një kohë të gjatë. 

(Përktheu dhe përgatiti: Bajram Sefaj).