Sonntag, 1. Dezember 2019

Fadil Halimi: KUJTIME TË PIKËLLUARA

Fadil Halimi

Kujtime të pikëlluara për Afrim Maliqin

Kalon një çerek shekulli vetmi e dhimbje
E nuk besohet në vdekjen e mikut
Janë kujtimet që na mbajnë gjallë gjithë jetën
Fryma  jote gjithandej shfaqet në vendtakimet 
Sikur të jenë të kurdisura me orën e zemrës
Dhe na pret fshehur në ndonjë qoshe
Për të vazhduar rrëfimet e mbetura përgjysmë
Për atdheun, për dashurinë, për ëndrrat
E për lirinë që e imagjinoje si diç hyjnore.
Ishte kohë lufte dhe dimër i ashpër
Vdekja nuk ta trembte syrin
Ndonëse ajo të ndiqte në çdo hap
Si hije e gjallë e si hije e vdekur.
Secilin rrëfim e thurje në vargje 
Të bukura trishtuese për botën reale e ireale.
Jetën e jetën e ke dashur shumë 
Sikur të gjithë të dashurit e zemrës që i kishte.
Eh, vdekjen e parandjeje në thellësinë e shpirtit
Si një fund që mund të vijë shumë shpejt.
Kutimet e pikëlluara fluturojnë hapësirave të shpiertit 
Deri në fundin e botës Imagjinare 
E të fëmijërisë së vrarë.
Mik i dashur ike pa e thënë lamtumirën e fundit
Për të jetuar me kujtimet deri në fundin e jetës.

Donnerstag, 28. November 2019

Fadil Halimi: NËNTOR I JASHTËZAKONSHËM...

Fadil Halimi

Nëntor i jashtëzakonshëm i vitit 2019

Trishtimi e dhibmja e pafundme
Të ka zgjuar nga ëndërrat e llahtarshme 
Qyteti i atdheut tim të lashtë   

Në këtë Nëntor të jashtëzakonshëm të vitit 2019
Lot e shi plumbi bie në plagën e moçme

Sa e gjatë ishte rruga me mbërri gjysma ime te ti 
E gjysma  jote tek unë për t`u bërë një

Një shekull vetmi të kam ëndërruar
Atdheu im i vrarë 
Në agun e fshehtë të hënës

Në frymën e fundit sytë çel mbeten
Për t’u bërë një dashni e përjetshme

Dy poezi nga Rrahim Sadiku

Rrahim Sadiku

TAKIM ME VDEKJEN
(imazheve dhe vegimeve tё 24 majit 1999)

Rrugёs mё shikoje me sy ujku
Gjumit mё vinje si dhelpёr
Mё gёrmoje me shputa prej urithi
Anktheve mё ishe hijenё
Dritёs dilje si hije e rёndё
Territ klithje tё mё trishtoje…

Mua sikur nuk mё bёhej vonё
E dija se do bёje tёndёn
Nuk besoja se do thyheshin ligjet
Andaj jetoja duke tё pranuar
Frikё duke mos pasur
Dashuri duke ushqyer
Atdheut dua ia dhuruar edhe sekondat

U takuam brenda betejёs njerёzore
Shpirtёrash trazuar urrejtjesh etjesh
Plagosur u gjenda nё krahёt tu
Sikur mё the se isha munduar kot
Sikur tё thash se isha munduar plot kuptim
Nuk u kuptuam
Dikur u mirёkuptuam
Mё dёrgove deri te dera e ferrit
Mё tregove tё gjitha portat e mundimeve
Ndoshta tё mos e harroja tё adhuruarёn jetё



RITAKIM ME JETËN
(imazheve dhe vegimeve tё 28 majit 1999)

Thonё shpresa vdes e fundit
Po shihja edhe vdekjen e shpresёs
Pafundёsisё duke rrёshqitur…
Kur nisi ringjallja
Nё fillim ishte drita qё po hapёj
Njё qetёsie mahnitёse tek mbretёronte
Mirёkuptimesh qё thuheshin pa zё

Erdhi mandej bukuri pa fund
Ndjenjё mrekullie pёrshkohej mendjes
Zemrёs po i dhurohej frymё freskie
Zjarrmia po ikte nga buzёt e shkrumuara
Shikimi po mahnitej edhe symbyllur
Parajsa po hapej para meje

Mandej yje flakёruan largёsive
Afёrisё po mё miklonin prekje tё padukshme
Sikur diçka mё mbante nё pёllёmbё tё dorёs
Duke mbyllur plagёt
Duke fashitur dhembjet
Besimin duke shtuar
Aureola duke parё natyrёs…
Bota sikur po bёhej imja
Dashuria lodronte horizonteve
Fёmijёt po mё falnin buzёqeshje

Mittwoch, 27. November 2019

Xhevahir Cirongu: ZËRI I ATDHEUT

Xhevahir Cirongu

ZËRI I ATDHEUT

Zëri i atdheut na thërret
në çdo çast,
Me dhimbje dheun e putha
bashkë me një gur.

I hapa krahët si shqiponjë
e në zemër mu ul ngadalë
nga shekujt një flamur.

Ishte gjaku arbëror
Në sfondin e atij flamuri,
Shqiponja në qiell fluturonte
Me vulën e nëntorit 1912 ës.

Dhe sot nëntorët e kuq
të atdheut tim,
Nga gjaku i derdhur nëpër shekuj
I dhanë ngjyrën më të bukur në botë!

Zëri i atdheut na thërret
Shqiponja e lirë të fluturojë,
Në qiellin e kaltër arbëror
Sot e për çdo mot.

Dhe ne ecim rrugëve të atdheut
Duke puthur gurët e dheun,
Vala e detit na përqafon,
Që nga Vlora e Prekaz
Të gjitha historitë u shkruanë:
Një flamur , një gjuhë një Komb
Në gjoksin e nëntorit të Atdheut tim !

Durrës, Nëntor, 2019

Syhejl Havolli: NUK SHOH ASNJË FLAMUR


NUK SHOH ASNJË FLAMUR

Nëntor është
Por këngë nuk dëgjoj

Nuk shoh asnjë flamur
Ngulur mbi shtëpitë
Në tërë lagjen time
Heshtje

As zëra fëmijësh
Nuk dëgjohen gjëkundi

A thua ku janë fëmijët
Ku janë djemtë dhe vashëzat
Që duheshin festuar
Tash në muajin e nëntorit

Sytë më mbushen lot
Janë këta lot dhembjeje

Le të jenë lëng vaditës
Lëng freskimi
Për zemrat e zhuritura
Këta janë lotët e mi
Për ty Shqipëri

27.11.2019

Montag, 25. November 2019

Hekuran Miraka: ATDHEU ËSHTË PËRTEJ

Hekuran Miraka

ATDHEU ESHTE PERTEJ

Eshte nentor nga fundi.
Ka filluar festa e madhe.
Flamuret shiten shtrenjte.
Si lepirese kinezesh.
E, s'po e di ku jam.
Tund koken si Meke Partizani.
Qe shtrydh pleshtat ne krevatin e perandorit.
Kemi feste.
Kaq mbaj mend...

New York, nentor 2019

Donnerstag, 21. November 2019

Alketa Maksuti - Beqari: DIÇKA DUHET TË BËJ PËR TY


DIÇKA DUHET TË BËJ PËR TY

Diçka unë duhet të bëj për ty 
më thoje

E portat e çastit i hapnim të dy
dhe ndjeshim nga koha të harruar

Diçka unë duhet të bëj për ty 
më thoje

Kur fjalëza dashurie këmbenim
dhe më shumë në heshtje
dritën e diellit përcillnim
e natës pak fare pak vend i linim

Diçka unë duhet të bëj për ty
më thoje

E qeshja dhe të dashuroja si e marrë
por sa më doje se kuptova kurrë
koha na mbylli portat e çastit
e fati më dërgoj për udhë

Diçka unë duhet të bëj për ty
më thoje

E nga sytë e mi
rrjedhnin lotët e mallit

Montag, 1. Juli 2019

Arif Molliqi: NJË VDEKJE PËR PRANVERËN

Arif Molliqi

Një vdekje për pranverën 
           (Vëllait tim, Rexhepit)

1.

Kuptova vonë
se në pranverë paska vdekje
bash tash kur po na duhesh
me na mësu një fjalë
me na mësu këngën e stinës së luleve
me na tregu për erën
që vjen nga Gryka e Deçanit

Sa të trishtuara fjalë
që dalin nga porosia jote: 
... duajeni pranverën
s’ka rëndësi shumë në jam unë
pak rëndësi ka
se pranverës i kanë hije edhe vdekjet
si kjo e imja
me peizazh gjelbëruar mbi varr

2.

Vij e vjen 
e unë kërkoj sy me t’pa
se sytë e mi kanë mall
n’këtë stinë që nuk e njeh moshën
edhe kur bie shiu 
edhe kur ka diell
se rruga që je nisur nuk njeh kthim

Ti breg Lumëbardhi me ujë shumë 
që sjell këngë e vaj nga ushtimë e bjeshkës
ah, vetëm për ty këndojnë bjeshka dhe vërrini
në çdo pranverë

3.

Në dhomën e zbrazët e të ftohtë
e shikoj një fotografi varur në mur
sa robërues është aparati fotografik
nuk na lejon të flasim...

I shikoj sytë e tu aty
lot dhe buzëqeshje pafund
po këngën që aq shumë e deshe 
nuk e dëgjoj më

Kaq mund të them sot
vetëm kaq
o im vëlla

4.

Në luftën e fundit ishe gjeneral 
kërkoje vetëm fitore 
ta pushtoje nëntokën doje
t’i lirosh nga robëria varret ngulje këmbë
pas mbarimit të betejës
fjalime të zymta kund s’lejove

5.

Mandej të lakmova me aq zjarr
në sytë e gjithë atyre njerëzve
kur fjalët u mbushën me mjegull 
kur gjithçka më iku 
nga portreti që mbanin nxënësit në duar
dhe guri me ra nga zemra...

Iu falënderohem miqve
iu falënderohem
për ndjesën

(Fillimqershori, 2019)

Fran Ukcama: Shqipëri moj nënë, hall i madh të ka zënë...

Fran Ukcama

SHQIPERI MOJ NËNË, HALL I MADH TË KA ZENË

Shqipëri e mjera nënë,
S`po njeh ditë, ag` e mbremë,
Tridhjetë vjet kokë e këmbë,
të kafshojnë, si ujq në lemë.

T`kanë ra n`kokë rrfetë e mallkimit,
shumë ma keq se gripi i thiut,
t`trazon barkun bari i miut,
Lulit, Edit, Mones, Saliut..

T`ndrin balli flakë n`epoka,
gjeneral Dashi, Nard Ndoka,
Nishani, Nishan me gropa,
Nikoll Lesi, Çim-Pek-Rrota!

Nuk mbahet Fatmir Gerdeci,
Noka, djeges si speci,
shiringa, Palok medeti,
veza, çizmja, Tritan preshi!

Bushati nipi i Hisniut,
malukati i perparimit,
Zheji shtyps arreash dimnit,
dhe sojsurrati Ylli Rakipit..

N`shesh beteje po del Lela,
hardhuci dalur nga vnella,
termet ky Avukat Ngjela,
Fatos Lubonja pelteja..

Shqiperi i madh t`ra halli,
duan t` jepin se gjalli,
Bejtja e kryeshkullaku,
ia ka zili veshgjati..

Fevzo, oligarkmedia,
Vasilliqia e shkreta,
Rudina, dritare verdha,
i shoqi, kau te Arena..

Thrret hajduti, kap hajdutin,
Duan nga rrenjët të shkulin,
Heqin llozin, të venë shulin,
Gjithë njësoj e paskan hundën..

Thotë drogmeni, kap drogmenin,
Njeni ligjin, tjetri nenin,
E bënë lëmësh parlamentin,
N`tym e flakë po e çojnë vendin!

Thotë tradhëtari jam hero,
Thotë heroi , jo more jo,
Klysh ujqerish njësoj, po,
Mbi karrike domosdo!

Për karrike, për pushtet,
Lesh e li të bëjnë opet,
Ky avaz tash tridhjetë vjet,
Ti s` ngre krye, hej medet!

Sillen si kali rrotull,
S` duam pushtet, luftojmë për popull,
Na vodhën postin dhe votën,
S`pyesim Amerikë-Europën.

Përballë mali kokëshkretë,
Nuk lëshoj pe se jam i drejtë,
Tjetri, s`flas, kam nji paketë,
S`njoh, shtet, as parlament..

Flet simboli i përbashkimit,
Flakën ia vën fitilit,
Kujt t`ia prish gjykymit,
Gruas vetë apo Edvinit!!

Për karrike, lesh pushteti,
Bashkohet djalli dhe dreqi,
Ty moj nënë, te shkundet djepi,
Digj e piq, t`fitojë i padrejti!!

T`fitoj hajni, t`fitoj vrasesi,
Flaka te dalin te pullazi,
Fiton Trapi e han Llazi,
Kola, Shaba, dhe Hasani!

Prijtarët pra mendje pjepër,
Nga kjo luftë dalin paprekur,
Toskni-Gegni e Epër,
Shesh-besh, Tirana e Vjetër..

Ç`kusur ka Tiranë e shkretë,
mallkon veten, kryeqytet,
shesh me gjak, me ibret,
mor jahu, ky soj milet!

S`duan qofte, s` uan plenca,
as jorgana, as velenca,
huj e goma, tungjatjeta,
nje brroke uji, dy byreka!!

Shqipëri vorbull pa ujë,
Ti nuk i ngjan kërkuj,
Bota proteston pa rrëmujë,
Rozafë mbete, rrokopujë.

Njëqind vjet prap Rozafë,
Ndërto, prish, të dyja bashkë,
Rrugë pa rrugë, hallakatë
Djajtë vetë i rrit në bark!

Freitag, 14. Juni 2019

Martin Çuni: LULE ARI

Martin Çuni

LULE ARI

Po ta kisha një shportë të madhe
Do ta mbushja me lulëkuqe ilire,
E do t´jua shpërndaja anë e kënd
Lavdërim, UÇK-së tanë të mirë!

Oh ta kisha një dorë të madhe
Eee ta shti Amerikën në grusht,
Do ta shtrëngoja e ta ledhatoja
Ngrohtë do ta puthja në gushë!

Pastaj do të shkruaja një poezi
Të bukurën që buron nga zemra,
E t´jua dhuroj gjeneratave varg
Gjaku jonë ta begatojë me emra!

Lulëzofshin anë e kënd dituri e punë
Bukuria e mendja Zoti që na ka falë,
Të mëdhenjtë që ua dhamë Botës
Atdheun tok, ta bëjnë lule të artë!

Ennepetal, 14 qershor 2019

Alketa Maksuti Beqari: LUTJA E NATËS

Alketa Maksuti Beqari

LUTJA E NATËS

Mbylli sytë dhe shko,
Shko në thellësi të shpirtit,
Atje në thellësi rri, derisa të kuptosh,
Çfarë do dhe ndiq rrugën,
Rrugën që të çon në një dritë,
Një dritë, dy, tre, mijëra, miiona, miliarda të tilla, drita,
Dritat që fatin e ndriçojnë.

Puthiti duart, mbylli sytë,
Shko në thellësi të shpirtit, udhëto,
Ndiq udhën ku drita lind e artë, e përndizet flakëruese,
Udhëton dhe ti me të.

Atje ku drita merr ngjyrë të zjarrtë,
Ndalu, pusho.
Të ndjesh,të ndjesh në fije nervash fuqinë
E dritës, të të parës, të dytës, së tretës.......
Të të miliardës dritë, fuqinë e marr nga to,
Se aty ku ti pushon tani, ndalur je,
Preki dritat me neuronet, miliardat e neuroneve të tua.

Në Lutjen e natës,
Me duar puthitur, sy të mbyllur
Shko, shko në thellësi të shpirtit,
Çfarë do në dritë të kthehet.

Udhëto, ndjej, prek Shpirtin e Dritës.

Mittwoch, 29. Mai 2019

Dy poezi nga Bajram Sefaj

Bajram Sefaj

UDHA E FUNDME

shalojeni
atin dori
të nisëm dua
të arrij
atje
në kodrinën
mbi katund
ku eshtrat e të gjithë
të parëve të mi
prehen në paqe
në qetësi

(Prishtinë, shtator 2006)



PA FJALË

s’ka
as lamtumirë
as
mirupafshim
nuk do të vi
ne mbrëmje sonte
as
në mëngjes nesër
nuk do të kthehem
as....

(Prishtinë, tetor 2006)

Montag, 25. März 2019

Arif Molliqi: ELEGJIA E DHIMBJES

Prof. mr. Niman Alimusaj

Arif MOLLIQI

ELEGJIA E DHIMBJES

(In Memoria Prof. Nimon Alimusaj, mësuesit tim)

Kur Ti ece nëpër damarët e gjakut 
Koha tinës n´kurth të vuri 
Në udhëtimin e moskthimit

Në secilin vend ke lënë gjurmë 
Nga shikim i yt u trembën hijet e zeza
E fjala jote tingëllonte vetëm shqip...

N´dashuri për Alpeve Shqiptare 
Të japim shpirt na the
Se bukurisë nuk i duhen lutjet

Sonte me ra ndërmend,
Për udhën e gjatë përmbi Maje Mali
Që t´ka lodhë e t´ka k´putë malli

Po ç´është kjo rrapëllimë 
në mallin tënd për Gurin e Nusës
Që merr frymë në pranverën time

( Mësuesi im; nga maja e Strallit të thirra
Pjekjen ta bëjmë të Gurrat e Bardha
Nuk po më provojnë këmbët, me the
Për herë të parë nuk me dole në fjalë
Nuk e di shikimi nga Kosova të vonoj
Apo lahutarët më këngët kreshnike)

Sonte më kot të kërkova në ligjërim
Kishe dalë n´qafë të Strellcit
Heshtjen ta trazosh n´këtë çmenduri...

Freitag, 22. März 2019

Fehmi Ajvazi: SA PAK KOHË

Fehmi Ajvazi

SA PAK KOHË

Ja kjo ditë të të kujtojm ty
Mbretëresh e lashtë 
A zonjë e mendjes
Poezi...

Sa pak kohë për jetën
Për dashurinë
Për të vërtetën

Zhurmë kudo dhe pluhur
Virtualitet dhe teknologji
Lodhje në çdo front jete
Plakje e hershme...

E ti megjithatë nuk bie
Në pendesë a shtangim
Si në fillim si në fund
Fron i mendjes së bukur

E sa pak kohë njëmend
Veç ti kurrë mos u çmend 
Ç'vlen arti pa ty

Si natyra pa dritë
Si liria pa shpirtë...

21.03.2019

Maxhun Osmanaj: MË FAL POEZI !

Maxhun Osmanaj

MË FAL POEZI !

Më fal poezi,
herë të lind, herë të vras,
tani dua ta di,
cili njëri - tjetrin ndjek pas?!

Më fal poezi,
sa shumë të torturoj,
labirintheve duhet të dal - të hy,
shpirtit rebel, besnik t'i qëndroj.

Më fal poezi,
që kurrë betejat s'do t'i mbarojmë,
as në paqe, as në zjarrmi,
s'di në cilin stacion do të pushojmë.

Më fal poezi,
nëse e akorduam mirë melodinë,
fajtor s'jam unë as ti
ne kënduam krejt për pa-kënaqësinë...

Më fal poezi,
krejt çka thashë në varg,
për mua, për ty
sa afër jemi, sa larg.

Më fal poezi,
dikush tjetër më ka shty'...
haptas të të them
s'kam shpjegim për Ty...

Ismet Aliu: LETËR POEZISË

Ismet Aliu

LETËR POEZISË

Ruaju e dashur
Harqeve të zjarrit
Ujit
Dhëmbëve të Diellit ruaju

Urithi në rrënjë mund të zbresë 
Ta zhveshë fushën e pagjumësisë

Dëgjoje Orën e Dashur
Ujku me Qengjin miqësi bën
Ia tregon dhëmbët prej letre

Ruaju e dashur
Harqeve të zjarrit
Ujit
Dhëmbëve të Diellit ruaju

Sadik Krasniqi: NATA E POETIT

Sadik Krasniqi

NATA E POETIT

Nata e poetit 
nuk është një vijë e zezë
e vizatuar nga dora e ngathtë e idiotit
nuk është dremitje e devesë nën palmë
e as vetëm udhë e hënës së vdekur

Nata e poetit
është një kafaz i qelqtë
i krisur shtatë e shtatëdhjetë herë
nga gishti i unazës së fildishtë
e dalja në hone kohe të përndritura amshueshëm

është ikja e tij 
në malin e Sinait te flaka e shenjtë
e herë te hiri i Trojës së mjerë
deshifron hieroglifet e heshtura
pranë Sfinksit të stepur

me Diskun e Efesit kalëron shtigjeve deri në Aleksandri 
lexon fletët e djegura pranë detit në pikëllim
e lë një plis te hija e Aleksandrit

nëpër gurët e prushtë ngjitet te Gjergji në Krujë
puth altarin e thotë me zemër uratën

me pluhurin e udhës së mijëra vjetëve
pak pushon te varri i nënës
i lë një lule nate 
e një lot te guri i kresë të vetmes motër

hynë në tempullin e dashurisë
vashës së dashur ia puth buzët e gojës 
ia le trendafilin mbi gjinjtë e fjetur

e para rrezës së parë së dritës 
i bie me pëllëmbë atit vetëtimë
shtrihet pranë gruas
shtiret se ka fjetur si i vdekur

Sonntag, 17. März 2019

Petraq Risto: 4 X 4

Petraq Risto

Është një dhomë e vogël dashurie 4 X 4...

Me katër mure, me katër dritare që shohin nga brenda
Në secilën dritare pikon një yll: serenatë e porositur
Dhe brenda çdo ylli rri zgjuar një kitarë.
Katër yje dhe katër kitara në një dhomë të vogël dashurie.

Unë dhe Ti. 4 X 4. Dashuri, fshehtas nesh po lulëzon një flatër.

Katër supe, katër drithërima dhe katër stinët e Vivaldit
Katër zogj puthjeje kërkojnë katër yjet dhe katër kitarat
Dhe katër degë qershie kërkojnë të hyjnë brenda dhomës
E ti ngjyejnë muret me të kuqe dashurie. 4 X 4. Dhe një tjetër flatër...

Katër premtime: borë e kaltër në katër dritaret
Dashuritë e mëdha shihen symbyllur 
ngaqë kanë nga katër sy te zemra
dhe imagjinatë të ndezur në sytë e katër kitarave.

Flatër...4 X 4.

Katër ëndrra, katër mëza dhe katër lëndina
Katër lot në katër sy, katër tablo në katër mure ngjyrë qershie
Unë dhe Ti. 4 X 4. Një dhomë e vogël dashurie...
Katër kënde lart, katër kënde poshtë 
në çdo kënd kabala jote më josh...
Dashuri me katër flatra ku mund të fluturosh?...

Sadik Krasniqi: ECJE MBI GJETHE

Sadik Krasniqi

ECJE MBI GJETHE

Që ata mos të zgjohen
priten të më zënë në udhë
e të më pyesin me gjuhën e dheut
ku shkon ti në këtë muzg 
pranë amshimit tonë të zi

hapat e mi heshtin nga gjethet e rëna 
që kanë lotuar shi vere
si sytë e blertë e të zi

unë kaloj pa vërejtur asgjë
veç këta gurë të mistershëm 
dhe një ylli që bie përndritshëm 
diku në një galaksi

Nidda 2016

Donnerstag, 28. Februar 2019

Hekuran Miraka: PRITJA E GRAVE...

Hekuran Miraka

Pritja e grave eshte me e gjate se nje jave

Eshte e mezipritur fundjava.
Nje flete liri-dalje rekrutesh.
Numerimi nis mbrapsht nga e hena.
E festa nis prej se premtes.

Ke hequr mjekrren tere qejf.
Je veshur me rrabat e pershtatshme te stines.
Zbret shakallet qete-qete,
Dhe pret gruan qe i perqeshet pasqyres.

Pritja e grave eshte me e gjate se java.
Nxjerr nje cigare nga paketa.
E mdez.
Tani nis numerimi mbare: nje, dy, ... pese...

E ndien dikur kercitjen e deres pas shpines.
E kthehesh ne cast murrxhik
Ajo ndjek qafetundjen e mjelmes.
Te rregullon jaken e kemishes,
Te shkund supesh,
Lag me beshtyme gishtin,
Dhe te pastron pikat e thata pas rrojes.

Ti mbyll syte si guak,
Qe hepohet atje lart ne majisken e lisit.
Pa e vrare mendjen se poshte ne gjethishte,
Ka kohe gjahtari qe pret kutullac.

Bam!
Ta ngjesh buzen mbi buze.
Ta ter beshtymen qe te dha.
Te sheh ne sy e te thote;
- U vonova shume!

Ti hap syte.
Dhe bie.
Ja, si guaku qe bie prej majes,
Duke u perplasur pas degeve bup - bup.
Pa ia degjuar gjahtarit thirrmen e gjate:
- E vravaaaaaa!

New York, shkurt 2019