Dienstag, 21. August 2018

Xhevdet Berisha: DREJT ITAKËS

Xhevdet Berisha

DREJT ITAKËS

Më thanë e ç’nuk më thanë 
Eunuket që ndërronin lëkurën
Dhe pështynin kah qielli

Sytë desh m’i nxorën
Të Maja e Zezë
Heu vrafshin veten

Ata nuk e kuptuan
Sa e vështirë është
T’i thyesh gurët e strallit 

Dhe unë nuk e mësova
Gjuhën e Hazarëve
N’rrugëtim drejt Itakës 

22.08.2018

Montag, 6. August 2018

Rakela Zoga: Largësi

Rakela Zoga

Largësi

Ti për mua e ke një dritare,
Ku unë botës me ëndërr dashurie i qesh..
Ty, dhe pse të shoh për se largu,
Ç'do çast me veten time të vesh...

Ti ke ditë që ke heshtur,
E di, që une heshtjen e mbaj magji,
Ajo është fati i njerëzve të humbur
Asnjëherë s'do të duhej për ty...

Ti për mua je gjysma e ditës,
Në gjysmen tjeter bëhesh dashuri..
Mos më ler të kërkoj, në mantelin e natës..
Genjeshtra janë ëndrrat, sa herë që s'je ti...

E bukura dritare. E embla largësi...

Hajdin Morina: Adem Demaçi

Hajdin Morina

ADEM DEMAÇI

Nuk u bë mësues.
A shpjegohet i shkurtuar
Mësimi i Shqipes
Mësimi i Historisë?

Nuk u bë
As drejtor, as kryetar.
Secili kolltuk
Popullit i ngulej në trup.

Ai në pikë të ditës
Nuk pa ëndrra
Dhe shkoi në burg
Në burg ish Nëna.

Nga vëllimi poetik "Brenda dritareve të vogla" (1995)

Rrahim Sadiku: Të falemi sot e në përjetësi

Rrahim Sadiku

TË FALEMI SOT E NË PËRJETËSI
(Adem Demaçit)

Ishin kohë të errëta
Kur ti doje vetëm dritën;
Ishin kohë të trishta 
Kur ngulisje guximin;
Ishin ditë robërie
Kur thërrisje liri;
Ishin shekuj ndarje
Kur madhëroje bashkimin;
Kishin heshtur muzat
Kur rritej nga ti atdhedashuria…

2.
Dhe flisje për të ardhmen plot dritë,
Kur ajo nga ne sikur kishte mërguar;
Dhe shpalosje flamuj qëndrese
Kur po nëpërkëmbej edhe shpresa; 
Dhe kishe zemrën plot besim
Kur hapje dritare për fitore, për agim…

3.
Simbol u bëre
Farkove bindshëm idealin e qëndresës
Dhe shpresa ngjalli idealin
E burrat dolën në fushëbetejë
E gjaku rrodhi rrëke,
Në secilën pikë të derdhur gjaku
Edhe ti me vepër je!

4.
Të falemi
Përjetësisht të falemi
Për zgjimin e kombit
Për madhërimin e emrit shqiptar
Për ngulitjen në secilin cep të Atdheut
Të emrit liri…
Të falemi…
Tashti në ndarje e… në përjetësi!

Martin Çuni: Dy poezi kushtuar Adem Demaçit

Martin Çuni

DISA PYESIN: PSE NUK FLET DEMAÇI

A kanë shpirtë ata njerëz,
A kanë një trohë zemër,
A kanë pak njerëzi?

Për disa "gazetarë" e di!
Për disa "intelektualë" e di!
Për disa "priftërinj" e di !
Për disa "hoxhallarë" e di!
Për disa "politikanë" e di !

Shtatëqind herë po u dogje,
Shtatëqind pash nëse hyn nën dhe,
Shtatëqind herë Feniks po u ringjalle,
Serish kërkojnë të të mbysin mizerisht,
Vetëm që ata të duken më të mëdhenj!

2016. Ennepetal

(Marrë nga libri "Universi i jetës" M.Ç.)


.  .  .



BACA ADEM PSE U SHOVE

Ca kohë, vetëm na shikove
Asnjë fjalë më nuk e fole,
Thirrën dashamirë e dashakëqinj!
E tash u shove, papritmas Ti.
Mbylle sytë përjetë, n'amshim paq dritë!
Bacë u lodhe, me ne nuk flet!?

Mos u hidhërove për harrimin
Sëmundje arbërore shekujve shungullimë:
Gozhduar kryqesh, falëm
Ngulur hunjsh, falëm
Djegur e pjekur furrash, falëm
Gra e fëmijë përdhunuar, falëm!

E ne kurrë Zotin nuk e shamë
Monstruozitetin e feve, po!

Mos u hidhërove
Paqësor u bëmë si Hazreti Isa,
Pa na kërkuar falje, falëm!

E xhelatët tanë të vyeshëm
Me emrin e Zotit në gojë!

Mos u hidhërove me shqiptarët
Sa të zitë e thoit njeri tjetrit s´ia falin,
Apo se po bëhen argati i dreqit
Për hir të interesit e të lekut!?

Sot po të lavdërojnë, tribuni jonë
Ata që Mandelën e Evropës madhe,
Nuk lejuan që vetëm tri ditë e tri net
Kryetar Kosove për respekt të jetë!
Ndërgjegjes tonë pikë të zezë i vunë
Poenët tu për së vdekuri i duan!

Paqja qoftë me Ju Adem Demaçi
E dritë të pastë shpirti, vepra mos u harroftë!
Falmeshnet Ademit të Drenicës e Gjergjit të Arbërisë,
Dhashtë Zoti flakadanët tuaj, bëhen dritë e Shqipërisë!

Gjermani, Ennepetal
27 korrik 2018