Freitag, 19. Januar 2018

Buqetë me poezi nga Sabit Abdyli

Sabit Abdyli

ELOZH PËR GJERGJIN

Gradat, lavdet e sarajet e shtruara në ar
Nuk e lëkunden Trimin
Arbënia ishte dhembja tij e parë

Janar, 2018


ZË KOHE
(Haxhi Muhaxherit)

Jehonë kohësh të mira
Emrash rrënjësh e qëndrese
Furtunash e motesh lavdie
Nuk resht së vrari të keqën
Nuk resht së qëndisur fjalëmirët
E fjalës shqipe

Auckland, korrik 2017



SHËTITJE MBI FSHAT

Rrugicat mbyllur
Me shkurre, barishte, thera ...
Banorët ikën jashtë ose ranë në qytet.
Manaferrat mezhdave kalavesh të paprekura
Gjurmë bagëtish e njerëzish askund
Përroska mbuluar me kërpnaja e shelgje.
Gardh i gjallë që s'kalohej këtej e matanë.
Hutat e ketrit kishin zbrit nga mali.
S'më kishte ndodh ndonjë herë më parë.
Të dilja mbi fshat,
Dhe të mos shihja fushës bujq. barinj, bagëti
E kosëtarë tek ju jepnin krahëve në radhë.

Kabash, korrik 2013




QULLËT

Kohë kauçuku
Lëkund themelet e çdo vlere tonë
Pjellë e këtij moti
Barkun hambar
Fytyra 
Identiteti
Shpirti
Nxjerr në ankand

Gusht, 2015
Nga libri "Dallge malli", Prishtine, 2016



TEK FLISTE

Lidhte kujtimet në trastë nyjë
Me gjithçka nga pak; arra, mollë, kuleç
Çdo të pesëmbëdhjetën ditë
Me kokën në torbë nisej 
Në vizitë djalit në Sremska Mitrovicë
Zgjidhte nyjë
Në heshtje i tregonte për situatën
Shokët e idealit, hafijet ...
Merrte djalit vargjet e shkruara n'qeli
Gardiani roje 
I pafuqishëm të mbante kontrollin
Nëna tek fliste me sy

Shtator, 2017



BRENGË

Librin që po shkruaja s’mund ta vazhdoj.
Mbetet për të vazhduar dielli kur rrezon.
Beharin në dimër ktheve, ngriu vargu im!
Do të rrit aguliçet qoftë edhe pa ty.
Shkrin fjala ime, rrugët kallkan.
I heq brengat motit, tokën shkriftoj.

9 maj 2014




QIELLIT TË SAJ

Zjarr është poeti, zjarr! 
Digjet të djeg pore*, që përpushen si yje, 
Ngroh në acar dimërak, 
freskon në vapë përdëllese. 
Orë alarmi ndërgjegje fjeturish. 
Vdes e ngjallet për një varg për një fjalë. 
Bubullimë në damarë dimrash 
dhe njerëzish që lëpihen. 
Lajmëtar ogurbardhë. 
I përjetshëm shqiponjë qiellit të saj.

* ferra 

Auckland, 18 Shtator 2013



ZOGJTË SHTEGTARË

Në tela telefoni tufa dallëndyshesh
Mëngjeseve në vjeshtë varg rreshtuar
Cicërimë e tyre dhembshëm tingëllon
Bëhen gati shtëpitë t'i lënë
Përmallshëm nisën buzën në vaj
Nga acari ikin në vendet me behar

Shtator 2015



NËNTORI I TRETË

Mjegullnajë e stepave të ngrira 
dhe myk i kohëve të errëta 
Nëntorit i bëjnë pritë. 
O Zot, 
Na ruaj nga moti keq, 
nga hijet e zeza, 
mjegullnaja e ligë! 
Eja Nëntor, 
eja! 
Shtruar ta kem 
rrugën: 
me gurë stralli, 
me gjak të kristaltë 
me dhembjet tona deri në asht.

Auckland, 2007



EMIGRANT

Emigrant shkak luftë ngjyrash
Të tillë dikur pati edhe në fshatin tim
Të përndjekur nga e kuqja
Shtigjeve pafund në rrugëtim
Përtej oqeaneve mbërrin
I gjeta të plakur buzën shkrumb
Unë emigranti muhaxhir. 
Në prag shekulli njëzetenjë 
Dëgjuar keni nga gjyshërit 
Për plagën e vjetër emigrant politik
Karvan në ecje lodhur 
Me kujtimet plumb mbi kurriz

Mars, 2016

Dienstag, 9. Januar 2018

Rizah Sheqiri: DIELL LIRIE

Rizah Sheqiri


DIELL LIRIE

Një shpirt e pat Ismeti -
Gonxhe n'bulëzim jete
Po se pati veç për vete

Si dielli 
Rrezet - ngrohtësinë
Për të gjithë 
E kish mirësinë 

Për atdhe
Për shqiptari
Për liri
Zemrërar plot dashuri

Yll polar i lirisë 
Në qiellin e Arbërisë
Dritë i jep lavdisë.

Sonntag, 7. Januar 2018

Alketa Maksuti Beqari - AI DO TË VIJ

Alketa

AI DO TË VIJ

Kaloj një minutë
Dhe tjetra kaloj,
Ja, një çerek minuta tani shkoj.

Ankth pritje, jo.
Kishte besim
Ai do të vij – vetes i pohoj.

Mbi çerekun u shtua edhe pesë.
Ajo tha- Po pres!
Ja e pesë të tjera minuta shkuan.
Ai do të vij – I pohoj vetes përsëri.

Shkoj gjysma nga ora e takimit të lënë,
akrepat shënuan 19.00
Mesazhi I palexuar ende, ajo pret.

Shkoj një, dy, minuta e dhjetë,
Ai e lexoj, i shkroj,
Ndjesë i kërkoj.

Aty je? – e pyeti e më pas shtoj:
Më prit, erdha!

Më 19.20 , ai ishte aty.