Dienstag, 20. Februar 2018

Buqetë me poezi nga Gonxhe Letmi Begisholli


Gonxhe Letmi Begisholli

BUKURITË E ASAJ ANE

Bukuritë e asaj ane
më shfaqen kudo
me ato jetoj çdo ditë
në tisin e syve
ruaj freskinë

Për atë lum
për atë liqe
shpesh lotët më rrjedhin rrëke

për fusha e për male
mbolla kujtime prore

në atë tokë arbërore
ku mbjella fëmijërinë
lojën e rinisë

Unë bijë e asaj ane
tash mërgimtare më thonë…



LUTEM PËR TY KOSOVË

Kosovë
Për ty qava të djeshmen
Në pritje të sotmes
Me lutje për të nesërmen
Mos harro Kosovë
me ty kam dënesë dje
me ty jetësohem sot
deri sa rrahja e fundit tingëllon
në sofrën Dardane tok…
në çdo përvjetor të pavarësisë
thellohem në histori
me shpirt lutem për ty
Kosovë vendi im
ëndërr e pambarim
Kosova ime
marshove shtigjeve t’ përgjakura
me vaj e ankth
me këngë e buzëqeshje
me Abetaren e jetes
Kosovë lutem për ty
deri sa shuhet (fiket) dritë në sy.



LUTJA IME

U luta sot
për mua për ty
për gjithë të dashuruarit
t'na ledhatojë mirësia.

Dashuria le të lulëzojë
po si lulja e beharit
të rritet mes erës 
së trëndafilave të kuq
kjo stinë e bukur
t'na dhurojë lumturi
në pafundësi
për mua për ty
për gjithë të dashuruarit...

Të mishërohesh në dashuri
s'është gjë e lehtë
të frymosh ç'do hapërim

aromën për jetë!




DITËT E JAVËS

(poezi për fëmijë)

Java numëron
shtatë ditë me radhë
çdo njëra daton
emër ndryshe kanë.

Janë shoqe të mira
vallëzojnë rreth pandarë
sa janë të dëlira
sa kanë edhe të ngjarë.

E hëna prin vallen
e Marta ndjek pas
e Mërkura sorollatet
e Enjtja vjen në gaz...

E Premtja na gëzon
e Shtuna buzëqesh
e Djela shpejt kalon
java bëhet përshesh.




IKJE PAKUFI

Ika unë,ike edhe ti
ata ende dëshirojnë të ikin
rradha prek në rrënjë
Mollën e kuqe...

Trolli rrënqethet
pa njohje motesh
pa barometër...
hapat ku të ndalen
në "ëndrrën e bardhë"!

Shtegtim mes vijave të kuqe
me valën e lumit prej "fatit"
drithërimë këmbësh
mbi dhembjen(që rëndon)
vuajtja mbi samar
shpirti peshon
sytë s'kanë më as lot

Atdheu përpëlitet
me "gripin e ri "
drejt europës...!?

Fëmijët i humbën lodrat
Abetaren lënë në klasë
shkronjat shkruajnë nëpër duar
Kosovë e dashur të duam!

Shpirtërat prehen me lot
buzëqeshje e dhembshme
si prarimi i Diellit
apo zbehja e yjeve në ikje
ikje pakufi....

Fati i popullit tim
gjithmonë mbetet jetim
ikje në pakthim....!

17.01.2015




PAVDEKESI

(Jusufit,Kadriut e Bardhoshit)

Veprat tuaja ndezën shandanë
Lajmëtarë të lirisë
Në rrjet merimange
Flijim i pavdekësisë...

Poet në vargje përsiatje
Zë bilbili në tel kitare
Ja zogu lajmëtar
Folenë ka në kalanë e diturisë
Me kodin e gjakut gazetar
Këngë në altar...

E sot, po sot
Dhe çdo përvjetor janari
Kujton kënga
Ligjëron kanjushë shqiponje
Pa tel...medet pa tel në kitarë
Loti në syrin e vrarë...

Të fala nga vatra e Dibrës së Madhe
Nipër Kastrioti
Për Lokemadhen
Lidhë besë Zoti
Prej moti....

Amanetin tuaj
Ngjyrosën retë
Me pushkë e pendë
Lindje flijim i qetë

Ju jeni stolisë
Me kurorë pavdekësie

Nga Antologjia "TRINOMI I LIRISE",poezi e cila u shperblye me vendin e tretë ne promovimin e kësaj Antologjie ne Koblenz të Gjermanisë!




NË QETËSI

Mundohu të jeshë qetë
kur shpirti trazohet si tajfun
lëvizjet e trupit mos i përgjo
përmbahu qetë
kohë furtune është.

Pastaj shëtit oazës së jetës
aty do të gjesh prehjen
mes lulesh të bukura
rifrymon shpirti
flakërojnë kujtimet e ëmbla

të hidhurat hedhi mënjanë
apo varosi me dorën tënde
shtatë pashë nën Dhe..!

përmbahu qetë
qetësia përpin një Det.




VJESHTË
(poezi për fëmijë)

Dita zë shkurtohet
dielli më pak rrezon
një gjeth ngjyrëverdhë
niset e vallëzon.

Edhe gjethet tjera
fluturojnë të pandara
zbehur në të verdha
natyrës lara-lara.

Papritur shfaqen retë
enden nën kaltërsira
të heshtura presin gjethet
një stinë me shira.




KESHILLE

Toka sillet vërdallë
bota bëre përallë

Fati vëzhgon
herë ikën herë ofron
mëton tutje mëton

Të bukurën shijo
jetën jeto
imun me ziliqarë
besnik premtimit fjalë

Jeto pa hezitime
pa tejngjyrime
vazhdo jetën me leçe
në pikë- pjekje




TË JESH POET

Të jesh poet
ke durimin e detit
tik-taket,portë që troket
natën bëhesh yll
ditën ylber
pendën testament.

Poeti është lis stoik
muza rigon pikë-pikë
për natë e për ditë
shpirt poeti....
ka thellësi deti!



AROME HORIZONTESH
-Nënë Terezës-

Gonxhe aromë horizontesh
dell gjeni i gjakut tim
qëndise arbërinë
pë re qiellore mirësinë

e mira zemërmadhe
madhorja zemërbardhë
varfërisë dashuri i fale
vogëlushët puthe në ballë

zemër vigane
aromë horizontesh
motër engjëllore
nënë e mbarëbotës

n´epokat shekullore



FRESKI LIQENI

Buzë liqenit ëndrrueshëm qendroj,
valët dalldisur më tretin larg 
në rrathë harkore njerzit vështroj
malet e larta hije rrijnë në prag.

Zogjtë fluturojnë me lazdrime mbi ujë
herë lajnë sqepin, herë etjen shuajnë !?
vejnë e ikin, togje togje formulë
po kujtimet e ia nga vëjnë … !?

Befas një zog ra mbi t‘imin sup
a s’më foli shqip, më pyeti kush je?
Zëdridhur, përmallshëm seç kam lut
mos m’zgjebos dhembjen e mërgimit, 
në vendlindje të qetë më le…!

Bukuri magjepse, freski buzë liqeni
prajshëm del ofshama për vendin tim
hija e lisit, prehje shpirti e gjeni

ku treten vitet, grimos në mërgim!


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen