Freitag, 2. September 2011

Pëllumb Syku: PULËBARDHAT


 
Pulëbardhat

Pulëbardhat që përshkuan qiellin
para syve të mi
mund të mos e dinë
ku strehohet dielli mbrëmjesh.
Unë shtirem me vetveten
e bëj sikur e di (por s’e di),
bëj sikur më pëlqen perëndimi
po ashtu si dikur,
ngaqë s’e pranoj dot vetminë.

I vetëm,
dëgjoj dallgët tek qetësohen
e dua të iki
por s’mundem
sepse zhytem thellë ndër kujtime
akoma të ngrohta.

Asgjë sa pulëpardhat s’më shqetëson.
Si nuk e kuptojnë
që perëndimi tani është ndryshe;
as mirazhet nuk enden më.
Retë e purpurta zvarriten të zhgënjyera
në një horizont të zbehtë, të trishtë.

Mërzia nuk ka shtëpi,
ndaj rri me mua
e më bën shoqëri.

Pulëbardhat,
mospërfillëset.
I shoqëroj me sy
me shpresën e një përshëndetjeje
derisa zhduken larg.

Dielli u shua sonte.

Donnerstag, 1. September 2011

Fran Tanushi: ,,EKSKURZION’’ BARBARESH


,,EKSKURZION’’ BARBARESH

kokëvarur shkuan
më barrën e plaçkës shekullore
para flakëve më tym kundërmues
prej tokës së djegur
në shekuj

mbi liqej gjaku
grykat e maleve deponuan
kafkat e tyre gjysmake
si dëshmi tmerri
e ,,ekskurzioneve’’ barbare

fara e brisht
kërkon ndonjë bisht
modus zvaranikesh
e kockave të krimbosura
më kundërmim qelbi

miqesi dhelpëre
ëndrroj i,, ngrati’’
në kolonë kafkash
që si mbane ky dhe
erdhi kryelugati

me ar(o)mën e re
plotë lule më gjemba
ëmbëlsirë dhe diktate
lugat si sot si dje
shporru n’kule të samës sate

Vasil Marku: PËR KOSOVË


Per Kosovë

Në Kosovë,
emnin e diellit
E marrin kodrat…
Emnin e luleve;
Fushat e betejave e mbajnë…
Emnat e porsalindunve’
Fijet e barit,
E porsi yje mengjezi zgjohen,
Herojtë perjetsohen tek oborret e shkollave…
E n’tela t’sharkis…
tek vallzojnë shotat.
Bac Azemi lshon za:
-Hallall Kosovës
Halla Shqypnisë.

Në Kosovë
retë kjajnë me lotë gjaku
E toka buzplasun çil bozhure
Kapuçat e bardhë…
Me duf si prej nji andrre t’keqe
Ngrihen n’deshprim:
-N’kam, se na u shty caku….
E n’kroje zanash
Ballin freskojnë burrat tuj pritë:
Pak fuqi si të Mujit e t’Halilit
Per Kosovë
O motra-zana
E jete ma shumë…
Në Kosovë
në Kosoven tonë
Orteku i durimit
Ka mprehë kuajt
-Edhe i turr o vllazen…
Edhe i her n’kam…
Ngulçojnë kreshniktë
o burra sa s’asht vonë,
Për Kosovë.

1998

Ramiz Kuqi: THANE SE BINTE SHI


 
THANE SE BINTE SHI

Me lindi nena ne stine vjeshte
Me 2 shtator
Pa prerje cezarike
Ne aren me kallinj
Mes penenash leshi me mbeshtolli
Thane se binte shi
Me shtrengoi fort ne gjoksin e saj
Me uroi
Te kem atdhe
E dashuri
Vajin e kujen nuk e deshti
Me tha koken lart mbaje
Shikoje diellin pa syza
E henen e plote me yje zjarr
Kurre mos the bese e fjales
Beri vend ne sofer e varg
Dashurise

Thane se binte shi...
1.9.2011

Slender Berisha: KËNGË E THJESHTË PËR BABËN


 
 
KËNGË E THJESHTË PËR BABËN

Ti s'duhej të ikje,
Aq shpejt,o babush!
Ne ende s'ia kishim thënë,
Të gjitha njeri-tjetrit.

Ti që na sillje,
Erën e freskët të librit,
Shtator për shtator.
Ti që na sillje libra,
Dhe bukë lepuri,
Në çantën e vjetër.

Ti s'duhet të shkoje aq shpejt,
S'ishte koha,o babush!
Ne s'ia kishim thënë të gjitha,
Njëri-tjetrit.

Pandehëm se dole si dilje çdo ditë;
Andej kah Marashi,
Andej kah Bimbashi,
Nën hije të blinjve të çelur.

Të pritëm të ktheheshe,
Si ktheheshe çdo ditë;
Duarplotë,
Sytë plot dritë,
Zemrën prush.

S'e bëmë mend,
Se kjo udhë;
Ish udhë pa kthim,
O,babush!

1989,Burgu i Prizrenit

Raimonda Moisiu: Endem


 
Endem
 
-.-
Endem nëpër qytet me këmbët e mpira,
nga lodhja. E di që
diku në një cep të këtij qyteti,
...
prehesh përjetë !
"Mëkatove" në dashuri,
Më tradhëtove përherë të parë,
U martove me përjetësinë---

Ndër duart e mija - plot lule karafilash,
dhe një qiri....

Karafilat do t'i vadit me lotët e mi,qiriun
do e ndez me flakën e dashurisë tende,
Që nuk është shuar ende te unë!
".....mbi varrin tënd ku flenë:
Kujtimet më të ëmbëla,
Të brishta, si ëndërra që zhgënjejnë,
Të mbetura si gjysmë hije,
Si mjegullat e vjeshtës,
Si të ftohtët e dimrit,
Si zbraztësitë e trishtimeve, nga
trupi im....

Lulet e oborrit tonë që aq shumë,
I kam dashur më parë, tani
i shikoj me indiferencë... Të mjerat
nuk ma dridhin më zemrën si
atëherë....

Me sy të kërkoj rrugëve të këtij qyteti,
Edhe pse e di ku fle ditë-natë...
A thua do të shoh një ditë??!
Me sytë e mij të lotuar, me
fytyrën time të zbehtë si mermeri, me
lotët si shiu që rrëshqasin, nga
sytë e mij, me
të qarat si të një fëmije,
të zënë në faj..!

E mbërthyer jam prej mëkatit, që
nuk të shoh më..!

Edhe sa kohë...sa kohë, do
që të kthehesh?? Apo
ti

pret
muuuaaa
me
një tufë
trëndafilash e një qiri......
Raimonda Moisiu

Raimonda Moisiu: Pas një tradhëtie


Pas një tradhëtie...

Kur në sytë e tu të ndritshëm, tundues, pikasa
atë që është e pamundur të fshihet,
ftohtësirën, kuptova se Unë,
lulëkuqja e egër,
Isha zhveshur. Rrija heshtur, sic
rri Pafajsia .

-.-
Nuk i dëgjoja më fjalët e dashurisë,
Si një kufomë që
E kanë mashtruar me një helm të ëmbël,
Para vrasjes,
e mashtruar me buzeqeshje
tunduese, të shtira e dhelparake.

-.-
Mundohem të mësohem me vetminë time,
Mundohem t’u shmangem syve të kaltër,
Që gjithmonë më joshnin për mëkat,
I lutem zotit të më lerë, që të rrëfehem
për kurthet e zemrës,
për padurimin që gjithmonë
si një ketër,
si një skllave e përjetëshme e dashurisë,
më thithte të vrapoja,
tek ti.

-.-
Me trishtimin tim, me brishtësinë time,
me vetminë time,
e ftohtë, kallkan si gurët e rrugës,
në një stinë të ftohtë, ecja përmes turmës,
për tu fshehur mes saj; T'ja falja asaj
të kaluarën.

-.-
Me sy po kërkoj një tjetër shpresë,
Të ndjej gishta të më krehin flokët e mij,
Dhe dihatje të ngrohta nëpër mërdhirjen time.

-.-
Të mund të ndizet edhe njëherë
Flaka në kandilin e dashurisë,
Të mbjell lulekuqet
në gotën e kristaltë,
Të vallëzoj përmbi re,
nën tinguj serenatash…

Pas reve të shiut – rri fshehur qielli,
Pas mizoriës së dimrit – nisin sërish sythet,
Pas një tradhëtie
Po prêt një dashuri
E re.....!