Freitag, 9. Februar 2018

Buqetë poetike nga Rexhep Hoti

Poeti Rexhep Hoti

Kurora e lamtumirës!

E çoj peshë krijimin botëror,
Piktorët me radhë që i mbajmë për shenjtorë;
Askush nuk e krijoi dot pamjen tënde;
Mbete e vetme!
Dhe mbi vargun tim me ankth të pafund,
Të derdha florir në kurorë!

Zbrite nga qielli me shkallë prej reve drejt e në Arbëri!
Bukuria jote i krijoi stuhitë mbi stinët e kësaj bote;
Arti mbeti i varfër dhe jetim!
Përfundi hijes sate asnjë gjeni,
Të vëzhgoj nga larg,
Drita e syve më mbetej pa frymë
E vetme qëndroje ti!

Ishe në këtë dhé kur mitologjia mori fund!
Një popull u zhbë për hiret e tua;
Askush gjer më sot nuk të pikturon dot;
Vetëm unë me blunë e syve prej mendjes,
Të prek!
Të shoh!
Të njoh!
E vetme je ti!

Rri pranë përkrenares së Skënderbeut;
I përshëndet zotat e Arbrit me radhë;
E ndëshkon buzëqeshjen e Helenes për flirt;
Unë brengën ta puth e në buzë s’të shoh;
Kam dhimbje të tmerrshme në shpirt!
E vetme je ti!

I fshiva të gjitha mendimet për ty,
Siç fshinim dikur me buaj në lamë;
Veç dashurinë e jetës ta lash peng,
Të ma thërrasësh njëherë në jetë,
E kurrë më,
Vetëm emrin që kam!
E vetmja ti!

Epikja e vargut nuk ta zë bukurinë!
S’dua të ikësh si njeri i plagosur,
Asgjë prej teje me vete s’dua të marr!
Lamtumiren s’dua të ta jap si Jesenini;
Dua ta shijoj gjallë
Me motin e erës së katundit,
Kur zemrën të ma shkulësh me thonj,
Largimin prej teje ta ndjej palca e loçkës,
Atë vuajtje të njëhershme gjer në varr!
E vetmja je ti!

Asgjë nuk është e mjaftueshme për ty!
S’mund ta fajësoj askënd në tokë!
Mijëra vjet drite ishe larg në thellësinë e kaltërsisë,
Rrezoje si Kometa e Halley-t,
Dhe e leje prapa klithjen si bisht qiellor;
Dashurinë e pathënë gjersa e prek në gjoks,
Mbi të cilën të qëndron malli i bymyer për mua,
Ah, i mbështjellë nën shami me të artat flokë!
E vetmja je ti!




Vitet e fshehura...

Ta shijoj padashje bukurinë e kohës së njomë;
Ecim përditë kundër rrjedhës,
Siç notojnë peshqit nëpër lumë
Dhe një ditë kur të jesh e dashur në martesë,
Mos harro,
Moshën e njomësisë tënde e ke të arkivuar tek unë.

Mos ke brengë për vitet e fshehura,
Besën e kam të trashëguar në trung,
Në shpirt kam vënë kasafortë të veçantë për ty.
Dhe kur të jesh pjekur më në fund
E fëmijët të ndjekin përdore nëpër rrugë,
Do të vij të ta lë ‘Dosjen e Rinisë’ në stolin e kopshtit,
Në atë vend ku ti mediton dhe mediton,
Dhe e vetme rri!

Mos e hap atë mbërthim të palosur me kujdes,
Siç ta shpalosja gjoksin dikur,
Sikur rrezon hëna, siç thotë poeti popullor;
Shtrihu në bar e shkronjat brenda zarfit mos i lexo;
Ke mallin tënd me dhimbje të gdhendur aty;
Merri erë kuptimit si luleve nëpër rreshta
Dhe do ta ndjesh dashurinë e pa thënë
Atë dhuratë të jetës së lënë peng,
Si dëbora mbi të ashprat kreshta!

Mos e kthe kryet pas
Ah, dashuria ime e vjetër aty nuk jam,
Kam ikur sërish;
Nga retë të vështroj si një engjëll,
Por edhe kjo është një rreng;
Kam leje për të të parë vetëm një herë;
Unë jam në ferr,
Atje i ndëshkuar në vuajtje jam,
Dhe ti ta dish e gjithëkohshmja ime,
Jashtë shpirtit kurrë s’të kam lënë.




Bjeshkët e Nemuna i mbulon me flokë?

Terri ikën me hidhërim prej yjeve,
Si hakmarrje e solli bukurinë e natës në tokë;
Madhështia e hirtë e rënë me pamje perri,
Ta çmendë vetminë e thellë;
Mendimet e fajësojnë njëri-tjetrin në kokë!

Më dërgon me urgjencë një shenjë;
Poshtë saj lexoj fjalën «Të lutem!»,
Duket si një përgjërim suprem i përulësisë.
Çfarë troket në këtë klithje të vonë?
E vetja mu duk me brengë si Gjorg Berisha;
Nëpër malet e Oroshit fillova të ngutem.

S’e marr vesh çfarë frike ka në zemër,
Përse i merr ngrykë Bjeshkët e Nemuna,
Si Doruntina vëllezërit kur iku për nuse;
I kalëron e vetme ato me kalin gjok
Dhe shkrepat gjersa puth me retë i mbulon,
Si falangat dardane nen rrethim,
Me të bukurat flokë.




Sonte...

Sonte ishte shpërthimi i fjalës!
E përkule edhe vargun e kreshnikëve;
«Fort po shndrit njaj diell e pak po xe’!»,
E mbaja për të shenjtë të shkruar në një letër,
Sonte e përdor për ty, si një bekim të shenjtë.

Mos e merr askë ngrykë për suksesin;
Bëhu ikonë e braktisur në këtë natë;
Sonte je e paatdhe!
Fshihe me një thes të arnuar
Thellësinë e aromës magjepsëse që ke.

Mbi zjarrin e gjoksit tënd,
Asnjë moshë s’mund të marrë frymë;
Si t’i kacavirrem sërish lartësive
E të dal në beharin e stinës,
Për të thithur ajrin,
Aty ku taket tua shkelin kalldrëmin për drejtpeshim!

Sonte s’kam dëshirë të lëshohen perdet,
Në dritaren tënde mos u zëntë drita;
Kam frikë;
Është mbrëmja që flirtin e deh mik;
Në shpëtofsh e pakafshuar nga vampirët veç sonte,
E nesërmja kurrë nuk do të ikë!



Qaje në shpirt!

Qaje në vetvete në shpirt,
S’mund të të shihja ashtu;
Dhimbja ishte memece e pa jehonë;
Vigma e kishte mbërthyer shpinën e qiellit,
Kupa po çahej prej gjëmimit të rëndë;
Zanat ma dëftuan me ngutje ngrysjen e përthyer,
Siç komunikojnë kullerët me smartphone.

Më duhej të të vija në ndihmë;
Mbi mbulesën e veshjes së mëndafshtë,
Të varë vringëllimën e shpatës sime;
Të shtendos mbretërinë e princeshës në kështjellë,
Ti fluturo e pabrengë nëpër ëndrra;
Jam unë kryeengjëlli mbrojtës i botës intime!

Në mëngjes kur ti pëshpërit e përgjumur,
Dielli im!
Unë jam dritësuar me agun qyshkur;
Mbi zabel jam kaçaku i natës për ty;
Dua të flesh në kështjellë me qetësi;
Poshtë dritares do të mbesin vazhdimisht gjurmë,
Njerëz përreth me mbishkrime «national security».




Princesha ime!

Më duhet t’i prish kufijtë e Europës,
Mjaft është shtrirë gabimisht ajo;
Me ty nuk na nxë dot Shqipëria përbrenda;
Pashai Ali ishte trim me fletë,
Por gabimisht e provoi!

Për ty
Do ta bëjë mbretërinë e territoreve tua!
Nuk ta lë pamjen tende perri të rri kruspull;
Arbëria do ta ketë Vajzën e bukur mbretëreshë;
Unë do ta shndërroj në farë magjinë,
Do të mbjellë nëpër territoret e robëruar
Për ta fituar lirinë!

Ti mos ndalo!
Mos i sjellë rrudhat mbi sy,
Më dashuro princesha ime!
Kjo është magjia jote që më jep fuqi
Të vdes e të lind për çdo ditë
Për ty,
Ah, ti më je
E vetmja,
E imja,
Dashuri!




Të ikësh pa ardhur!

Mos mendo si do të vish tek unë,
Mendo më parë si do të ikësh më pas;
Rruga e largimit kalon nëpër dhimbje;
Unë jam i krisuri poet!

Po e ndaj në dysh ngjyrën dhe fletën;
Me poezinë do ta ndash fatin;
E di!
Kur të zgjohem në mëngjes,
Të dyja do të jenë të shkrira në shtratin tim!

Kuvendojmë sa të duash,
Kohën kur ta kesh
Më mirë ik ti,
Edhe ashtu do të më lësh një ditë.

Porta ku ti troket nuk është më gjashtëmbëdhjetë;
Gurët nuk flasin më me askënd,
Nga frika e flamës numri është strukur në shpirt;
Para portës fishkëllen një vagabond!

Mosha e shekujve lëviz rëndë-rëndë nga pesha,
Qyteti qëndron i mbirë me çati përtokë,
Ti, moj e bukura e Shqipërisë,
I bëre vitet, por nëna t’i krehë ende ato flokë!




Mos ma prek zemrën!

Mos ma prek zemrën
Me heshtjen që e mban të mbërthyer,
Me ato duar në gjoks?!

Ah, kam një thesar të çmendur aty
E shtrenjta ime,
Janë vargjet e frymëzimit tënd,
Është një thëllim i tmerruar aty,
Është miniera jote e paanë,
Mban një planet me dashuri!

Mos më pushto me shikim në zemër,
Mos mu kacavar aty me ngrohtësinë e gjoksit tënd,
Ah, ajo aromë e ngrohtë,
Sa një botë!

Oh, jam i ndjeshëm në shijimin e së padukshmes!
Mos më nga!
Më lejo të rri mbështetur në skeptërin tim;
Ti nuk e përthekon dot mendimin
Peshën e fjalëve që kam brenda;
Mos ma zgjidh!
Ato e shembin madhështinë e së bukurës,
Nga antika gjer më sot?!

S’dua ‘e bukura’ ta humbë shenjtërinë,
Mbylli të gjitha portat,
Jam mbjellësi i dhimbjeve të mëdha;
Krejt mos më mbyt?!

Më lërë një dell gjallë,
S’dua më shumë;
Një pulsim më mjafton
T’i ngrij njëherësh të gjitha stinët
Dhe mbi gjoksin tënd ta varë një kafshim;
Të të përcjellë si një engjëll me besë
Gjersa ti në këtë jetë të marrësh frymë!




Më mjafton aroma...

Nuk e ndërroj me puthje!
Më jep vetëm atë përqafim me shkronja.
Gjithçka rreth meje po shpërfytyrohet,
Drita e pamjes sate me bie nga mendja.

Të marr aromën e trupit tënd;
Të marr shpirtin në gji,
Të mbjell fort shtrëngimin në bel
Kaq dua,
Jo më shumë;
Përqafim!
Zoti të dhashtë..., si thotë Migjeni ynë!

O, më shkruaj në njëjës, të lutem!
Më “ju” s’arrij kurrë te gjoksi yt;
Vetëm kështu vitet do ta humbin kuptimin
E numrave midis nesh,
Stinët nuk do të kenë moshë,
Ngjyrat do të jenë plotë erë
E ne do të bëhemi
Një në përqafim.




Puthja e aromës

Do ta sjell Tokën më shpejt,
Mëngjesi dua të agojë më herët,
Nesër kam takim me Buzëqeshjen tënde.

Do ta mbaj frymën pezull
Deri sa të vjen te porta;
Hyn brenda,
Dardhishta në dimër të mërdhin.

Ti më shpërfaqesh përpara shikimit
Më shumë se e vërteta për Trojën,
Aroma jote me puth në prag
Pa më pyetur hyn përbrenda meje
Siç zë vend mjalti në hoje.

Ah, ky çast, sa një botë!
I mbyll sytë,
Mbështet qafen në aromën tende,
E ndjej përpëlitjen e frymëmarrjen,
Si ashensor ikën poshtë e ngjitet.

Thyhem në ngrohtësinë e buzëve si xham,
Në mijëra spira grimcohem unë;
Po hyj në hapësirën e amshimit të paanë,
Aroma më rrëshqet si shtjellë e verbuar,
E mëndafshtë më qëndron përmbi.

Më vret ky nektar;
Ti s’je veçse fantazmë e frymëzimit.
Askush s’do ta di si ka lindur ky krijim;
Poezia do të mbetet si gur varri,
E ti nuk do të thuash më kurrë
O, Dielli im!




Puthja e dritës

Me ty dua të flas vetëm me dritë!
S’dua të nxjerr zë, as klithma;
Shpërthimin e mbytur të tingullit s’dua ta rys;
Kam frikë mos shija përlyhet nga britma!

Shqyerja e nyjëtuar mund të ketë pagjakësi;
Ngjyra mund të jetë tretur në vetvete;
Thirrje e dredhur prej tejzave s’ka drejtpeshim,
Ajo ndjesinë e shpirtit mund të ta mbysë.

Ti e ndjen gjuhën e dritës përbrenda;
Ato fjalë të praruara me rreze
Shkëlqejnë për ty me adhurim,
Të përpijnë me prekje nëpër mollëza, në gushë
Të puthin, të puthin
Ata sy,
Gjersa të mos pikojë prej zemrës tende prush!

Ti ikën me çantën e varur në sup;
Ajo është shoqja besnike e shpirtit,
S’të braktisë, as kurrë s’të fletë,
Teksa e kuqja të zbret nëpër fytyrë,
Puthja e dritës të ka zhveshur lakuriqi,
Është e rënda plumb, ajo,
Haj, medet!

Largohesh nëpër muzg me erën gjithë gaz,
Vetëm takja azgane të dëgjohet nëpër vuth;
Përndezja të ka zbritur prej gjoksi rreth belit
E syri i qiellit të kafshon, në zemër të puthë.




Mos më merr!

Ti nuk më mban dot në zemër,
Nuk të rrah ajo me ritmin e dashurisë sime;
Në mendime nuk më bartë jo;
Kur ti më sheh mua,
Semiotika e rrëfimit të shpërfytyrohet si mos më keq!

Më mbaj larg me forcë,
Mbylli portat të mos hyj,
Ngujohu vetëm për mua
Të të shoh nga larg,
Si jeton përtej Murit të Adrianit,
O, e pambërrishmja për mua
Barbari!

E di,
Origjina ime të sjellë stuhi të pakëndshme
Në qetësinë tënde,
Si hëna kur oqeanet i valëvit!
Jam i ftuari i parë nga era në brigjet e Mesdheut,
Atje ku ndërlidhja e komunikimit ndërmjet kontinenteve
Ka vazhdimisht avari.

Nuk ke përse më pret as në tryezë të çastit.
Të të them hapur Europë
Në sytë e mi prej qielli
Kam frikë se thyhet pamja jote
Si të rigonte mbi të magji!

Mos më merr me vete
Më lerë të lëçitur si jam;
E përse të ta kujtoj unë pa ia nda
Çfarë soji je ti,
Pa rrënjë,
Pa nam,
Pa nishan!

Jam specie tjetër,
Hapësira ime me emrin Europë!
Përmasë e frikshme jam unë për ty!
Në mua jeton ende besimi lemurian!

S’dua të të them se je thjesht monedhë,
Bankënotë prej letre,
Bashkësi shtetesh me princa të plakur mbi interes;
Me blozë qymyri, me pluhur prej hekuri,
Nuk mund të të them një stivë e përdalë.

Më lerë mua përjashta
Si një personazh epik,
Siç i shpërdore stratiotët,
Me radhë gjeneralët shqiptarë,
Teksa e formësoje raison d'être
Ata ishin ushtarë
Dhe sa herë shihem në pasqyrë
Gjithë them me vete:
Jo,
Ti Europë,
Nuk ke faj!




 Më thërret...

Mbrëmja e mbulon Tiranën me butësi,
Dhjetor është e terri nuk bëhet fut i zi;
Ka frikë nata të zhytet në errësirë prej vajzave;
Ajo s’ka dëborë për dashurinë e tyre,
Flirton me shkëlqimin e dritave,
Me stoli plastike, me dëborë prej leshi.

Ti më shkruan me shqetësim që andej.
Natyrisht, tronditem në Prishtinë!
Çfarë është kjo fjalë unë «s’vras poetë»,
Kur më mall të mbytë!
Dhe fotoja më pas me gota vere mbi tryezë,
Pa fytyra njerëzisht,
Si të ishte ajo pamje huazim nga bota në apokalips.

E ndjej mungesën e dëborës
E ndjej mallin që ti ke,
Kristalet e ngrira s’kanë ide për prushin e buzëve tua,
Mendojnë se deti është fajtor;
Ato nuk e dinë se je ti ajo,
Që me zjarrin e puthjes kohën ngrohë!




Vetëm poeti!

E ndjen
Rrjedhën nëpër gërvishtjen e penës?
Është vraga që nxjerr prej zemre poeti;
Është bota e dhimbjes së bukur!
E dashur,
Pikon gjurmë nëpër shijimet e adhuruesve
Është tryeza e shpirtit të ndjeshëm!

Sonte mos u mbulo me asgjë,
Shiu çfarëdo qoftë përjashta le të bie,
Lëri pikat le të rrjedh nëpër trupin tënd,
Kanë etje poret e magjishme;
Frymëmarrja jote e thithë kupën e qiellit përmallshëm
Që andej po sjellë furtunë dashurie.

Janë metafora me magmë,
Lagështi e mugullit të stinës,
Janë puthjet nëpër luginat e shtatit,
Klithja e fillimit të ri me vlagë!
Poshtë fundbarkut tënd që po vije!



Kthimi

Po kthehem pas shumë vitesh te poezia,
Ah, besnikja ime!
As më fal s’mund të të them,
Vetëm muskujt e mjekrës më tradhtojnë,
Ato më dridhen pa me pyetur vazhdimisht,
Siç lëvizin gjethet në mbrëmje nga puhia.

Mos më thuaj!
E ke mbajtur të paprekur vendin,
Kthinën ku unë shkruaja dikur;
Ah, poshtë tryezës së drunjtë e dëgjoj sërish
Rrjedhën e lumit të rrëmbyeshëm;
Uvertura e një simfonie sapo filloi.
Mos të lutem!
Mos më përqafo me zhaurimën tënde,
O shpirt i muzës,
Më lerë në plehrat e jetës
Të vdes nga malli,
Nga dhimbja,
Nga mëria!

E kam bartur të ndryrë në vetvete vargun poetik,
Atë tharm që e bekoi vetë Perëndia,
Në pjesën e nëndheshme të karantinës së shpirtit,
Si një faj tragjik;
Ku s’merr frymë as vesa e mëngjesit,
Ku nuk kallet e praruar në flakë as mollëza e vajzës,
Ku atdheu s’derdh më as lot nga dashuria!

Kam ikur bashkë me të nëpër botë si nizam.
Atëherë liria nuk mbillej dot në tokën tonë;
Kam ikur si çiftet e pa dekretuara para ligjit,
Për ta ruajtur lumturinë;
Adhurimin për fjalën e konservova në zemër,
Braktisur!?
Nuk e kam kurrë,
Mik!

E sjell ngadalë pamjen e zbehtë të izolimit,
I mbledh me kujdes puthjet e terura nëpër varg,
Belet e këputura të zanorëve i rreshtoj si ushtarë;
Ato të ngrira derdhen në buzëqeshje
Zoti i tyre mbërriti!
Të mpira janë kujtimet e balsamosura prej pritjes,
Ato kanë etje të pa skaj të pengut;
Sot atdheu im ka nevojë për peshën e fjalës,
Sot atdheu im ka mall.




 E shkel vetminë me zemërim!

Po ik i vetëm në këtë dimër!
Rruga është e hapur,
Është bosh.

Mbi të e shkel vetminë me zemërim!

Porta e saj nuk hapet,
Është e mbyllur
Me shule,
Me dry,
Me kode
E mbi krye
Dëbora më bie
E më bie me fjolla flokësh si ndëshkim!

Je ngujuar përbrenda,
Mbase nga xhami i avulluar me vështron
Si gapthetem me veten,
Teksa e ruan ende aromën tonë.

Ti nuk dëshiron ta pastrosh atë,
Ta heqësh nga trupi atë djersë;
Është një copë e qenies sime,
Një skorie e lëngshme e klithjes,
Qe me mëri të thyer është shtrirë në shpirtin tënd.

Të sheh tek ecën nëpër hapësirat e paana të pallatit,
E lakon qafën,
E përkul kryet mbi supe,
Me sy të mbyllur
E frymon!

Vajzë!
S’të shkul,
Nga zemra,
Nuk të hedh dot!
Më je ngjitur në shpirt
Siç ngjitet gjuha e një budallai
Në shtyllën e një llambadari të ftohtë!

Shkaku yt s’mund ta heq as zemrën,
Ta plas tutje në tokë si mish për qentë
E të them me zë gjersa kupa të çahet:
Më e Bukura e njeriut nuk më duhet më!
Të mbaj si mallkim përbrenda kraharorit
Tik-tak, tik-tak, kot,
Krejt kot,
O Zot!




Dehja prej malli!

Ti më sillje vazhdimisht mesazhe.
Ato vijnë nga kryeqendra e izoluar e Europës.
I shfletoj në rradake shenjat e sjella prej gishtërinjve të blinduar
Me thonjtë e lyer,
Të mbuluar me gurë vezullues që pulsojnë shkëlqime
Si të mbanin nën kontroll alarmin e mburojave të brirta,
Prej ku fshehtësia e kodeve merrte jetë mbi tastierë.

E ndjej atë shndritje si të ishte një lot në sy
Gjersa gishtat e tu të bukur vallëzojnë me shkronja
Pa to, jashtëtokësoret mund të shihnin që lart gjithçka!
E ndër buzë më bëhet se më shfaqet një brengë kot.
O ç’më kënaqi kjo pije me çokollatë, më thua befas
Dhe poshtë rreshtave në ekran të celularit lexoj:
Ua, harrova të të them, e pashë simpatinë time të vjetër sot!

Në fillim e mora si mahi të sajuar aty për aty.
Vajzat e kanë peng të ngjitur në dorë
Mosbesimin për dashurinë.
Një provokimin i lehtë do të ishte
Për t’i dhënë pak flakë emocioneve.
E vërteta tjetër me shtriu përtokë:
Ajo e kishte ngrysur ditën në kafenenë e qytetit
E dehur prej malli,
Duke pirë tërë kohën e lum
Vetëm kafe e çokollatë të ngrohtë!




Mos!

Frika e merr me vete frymëzimin,
E arkivon në humbëtirë, tutje galaktikës;
Nuk i dihet
Pabesia ndaj shijes tënde nuk mbaron;
Të ka mbetur arma e fundit e ndëshkimit,
Si Kim Jong Un-it bomba atomike për kërcënim.

Vajzë e arrirë!
Ti mund ta ekzekutosh në çdo çast puthjen nga buzët e tua,
Etjen që të kallet aq bukur në loçkë
Ti e fur;
S’mund të bësh asgjë përballë dogmës së shkrirë,
Më kot e vë gishtin në mendim;
Gjithçka është parashkruar në Kushtetutën e Njerëzimit
Për ty;
Ajo është Perëndia e zakonit,
E paracakton fatin tënd!

Ëndrra e ka humbur tashmë fshehtësinë e metaforës.
Fjala nuk ka përse ta ngarkojë ballin me rrudhë!
Mos e siluro të ardhmen e shpirtit,
Përse nata ka mbetur pa roje,
Kot e akuzon për flirt Lirinë e dashurisë!
Lëre bimën e saj të rritet,
Të lutem!
Mos i thuaj vetvetes, kurrë!

Nata është derdhur nëpër dritën e yjeve
Pambarim;
Ty të shoh sipër tyre,
I trazon me gishtat e këmbës, 
I mbulon me flokë,
Me aromën e trupit gjithësinë e ngrohë!
O Zot, si luhatet Pafundësia!
A nuk e thotë vetë gjeniu i Kohës në Hapësirë,
Nuk është i ngurtë
Universi,
Është një valëzim.

Njerëz,
S’keni përse bëheni xheloz!
Unë nuk e pushtova thesarin e fshehur të Afërditës,
Pse ju nuk kishit mundësi?
Hyjnesha ishte aty midis jush gjithë kohës.
Unë zbrita në thellësinë e harmonisë së përsosur,
E adhurova me përgjërim,
E putha, nga thonjtë gjer në flokë!
E Kushtetuta e Njerëzimit,
Ju them botërisht,
Për dashurinë është një kazmë!



Lajthitja e gjithësisë!

Mbrëmja është përndezur prej vardisjes,
Melodia më vjen nga kopshti i kafenesë me puhinë;
Ti nuk je pranë meje,
E vera e kuqe më derdhet mbi plagët e mallit,
Si helm i bërë veçmas për tragjeditë e Eskilit,
Për t’i mbytur hyjnitë!

Jam vetëm me ndërgjegje të shprishura përreth.
Askush këndej nuk vuajtka për dashurinë;
Më keq se mospërfillja jote,
Sonte me bën roje epshi i kërleshur,
Më nxit i dehur gjer në skaj,
Të ik në shtrat me tradhtinë?!

Nuk e di nëse do ta ndal këtë tundim!
Ajo më zhvishet brenda shpirtit me perri.
Përthyerjet e shtatit e rrëqethin harkun e violinës,
Yjet alarmohen nga ky provokim i rëndë në Gjithësi.

Dhe dekreti befas shpallët nga Pafundësia:
Rruga e Qumështit urdhërohet:
Sonte të mos shënohet asnjë mëkat në galaktikë.
Le të ketë shancën e vet të barabartë,
Rregulli, rebelizmi dhe anarkia!

Më në fund mund të rrëshqas i lirë,
Të shembem në epsh i kryqëzuar përbrenda,
Si besimtar i devotshëm të thellohem pa ndjenjën e fajit,
Të pushtoj magjishëm si një Perëndi!

Dhe mbi jehonën e afshit të luginave të bymyera,
Kacavirrem si balta që në vjeshtë këpucët pushton,
Të ngjitëm përmbi
Me britma, me djersë, me mundime,
Dhe etjen ta shuaj barbarisht
E më pas të dukem i pamëkatë, i pafaj, djalë i mirë,
Gjersa kthehem me duar në xhepa te ti!



Varja e mëkatit

Përthyerjet e largimit tënd i sfiduan ëndrrat.
Gjurmët krijojnë prapa qytetin e trishtë
Mbi bregoret e pushtuara prej frymëzimit,
Tutje rrjedhës së lumit,
Të rrahur pa nda prej frymës së egër të thellimit.

Nata ka rënë në pritë.
Hëna është kafshuar prej qenve endacakë;
Lagjet përhiten me dritën e lehjes së verbuar,
Bota poshtë këmbëve bartë surrealizmin e Borgesit
Shkronjat, si fidanishte të egra mbillen gjithandej
Nëpër gjakun time si ndëshkim!

E shoh dëborën e frikësuar,
Ajo bie e mpakur mbi kuisjen që terri nxjerrë pabesisht;
Fytyra jote përndizet si shpikja e mendimit.
Atje është qyteti i fantazmës;
Ia ujisë rrënjët e nëntokës,
Puthja është varur prej mëkati
Si teshat kur terën nëpër parmakët e dritareve në Venedik.

E bërë komunikimin të vdesë!
Kishe frikë prej tij!
Jetën e kafshoje si në ëndërr,
E tmerruar mos mbi dheun e të pareve
Do të rigojë qetësi.

Profecia ishte shkruar përfundimisht pa fatësi!
Rrugët nuk vraponin më drejt qëllimit;
Ndjenja nuk shijonte më me gjuhë të shpirtit!
Gjithçka ishte shkruar në Kuran, në dhiatat e krishterimit?!
Kryqohuni, faluni bijtë e mi!
Amin!



1 Kommentar:

  1. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
    * magji dashurie
    * magjitë e tërheqjes
    * nëse doni që ish-i juaj të kthehet
    * Ndaloni divorcin
    *thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtëse
    *infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
    * magji llotarie
    * magji me fat
    Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
    faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
    +2348155926512

    AntwortenLöschen