Donnerstag, 3. September 2015

Naxhije Doçi - Babait tim


TI LARGPAMËS I KOHËS SË RE
(Babait tim letrar e atdhetar)

Kalorës në kalë të bardhë në dymijëvjeçarë
me vrulle të vullkanizuara
në gjakim të dritës
mbi hartën e shkafnjyer të atdheut
nga golgota serbe e egërsisë.

Në qelitë e burgut
me hekura të ndryshkurë
e mugëtirë llahtarie
rrudhat në ballë shkallë-shkallë
nga dhembjet muranë për dheun arbëror.

Ti largpamës i kohës së re
në heshtjet vetmitare të stinëve të vrara
thurje vargjesh të kallura
për trimëritë e gjyshërve nëpër kohë
për ata rrënjës mbretërorë.
Në gjuhë Zotash të parë
për zot të vetëvetes
dhe për dashuri njerëzore ligjëroje
dhe fjala jote simfoni
në shembje errësish mëkatare.

Ti largpamës i kohës së re,
në mijëvjeçarin e tretë, trofe.
Feniks mbi lojërat e shekujve
për Kosovën nuse me kurorë.