Donnerstag, 1. August 2013

Poezi nga Zejnepe Alili - Rexhepi



Andra

Mbretëreshë e fatit të lakadredhur,
përkëdhelur gjatë e pafundsisht nga dashuria!
Ti, luaneshë e Zodiakut,
guximshëm erdhe në jetë
pa pritur kufirin e kapërcimit,
u ngjize nga fryma e engjujve,
Ti metaforë e pazakontë sfidash
e pagëzuar Andra…, në jetën time të pajetuar!
Hireplotë, vjen plot naze
mbi gjurmët e mallit të lëna pas,
tani rrethuar me buzëqeshje e harmoni.

 

Diamanti blu

Shpirti shndërriti me yjet, atë natë…
zhgënjimi si Titanik u fundos,
dielli rrezoi mbi brengën time,
më pas, një lum lotësh vrushkull
më vërshuan mbi gushë…
Dy syçka blu më mikluan me shikim
një vaj foshnje, një zë ëngjëllor
më preku në shpirt ëmbëlsisht,
zgjoi ndjenjën time të përgjumur
pritjesh që s’kishin mbarrim.
Dhe, ti erdhe se të joshi jeta,
o e vogëlza, e ëmbla ime.
Dhe… pas nëntë vitesh këkime në fundet
pas të panumërta trazimesh,
ti erdhe si një ëngjëll i shumëpritur,
diamant blu në oqean thesaresh pafund.

 
Bijëza ime

Mes dhembjes e frikës që ndjeja
e përhumbur në labirintin e njohur
si arenë për jetë a vdekje…
Shoh hije të zgjatura nën dritë neonësh
gjithandej shpërndarë si yje,
e zëra që më përzihen në mbamendje.
Ty të kërkoj…, të pres!
Dhimbjet marrin udhë mbi trupin e ngrirë
këmbët e akullta, as buzët si lëviz dot,
veç shpirti ka zjarrmi…
mes dhimbjesh pret të rilindësh,
e vajin të të dëgjojë për t’ia shuar atë zjarr…
Dhe ti s’vonove, kur
buza e vockël t’u dridh në vaj
duart i përpëlisje si në lutje,
e unë lot lëshova, për ty Andra
se më erdhe ashtu siç të ëndërrova.

 
Pse qesh Andra

Ajo buzëqesh shpesh,
së fundmi qesh me zë…
refren i zakonshëm tani më.
E Dionisi, im nip, mençuraku i vogël
më pyet: pse qesh Andra?!!!
Pa u hamendur i përgjigjem:
“Andra qesh me engjujt”!
Atëherë, ai ma kthen si rrufeja:
“në buzëqeshjen e radhës,
lute Andrën që t’i përshëndesë
engjujt edhe prej meje”!
Qeshemi të gjithë...
si Andra - buzëqeshja e jetës!

 
Lutje për të

Një dashuri sa bota,
e bota është e madhe!
Një jetë sa koha, kur
koha është pa mbarrim!
Një dëshirë pa fund, për ty
Andra, lutje deri në amshim!
Kur shiu rigonte në pranverën e vonuar,
qe loti im i pashterrur!
Kur era frynte si e tërbuar,
qe drithërima e shpirtit tim!
Kur portë më portë brodha
shpresëkëputur me vite,
për të arnuar jetën kërkova,
por kurrë s’prajta të të dua...
O Andra, mrekulli e mrekullive!