Sonntag, 19. Februar 2012

Sokrat Habilaj: SHPIRT I PLAGOSUR


SHPIRT I PLAGOSUR

 Atdheun po ma mërzisin pak nga pak,
Ca të ngopur me atdhe, deri në fyt.
Dhe duan ta përbuz e të iki larg,
Të thyej qafën nga më shohin sytë.

Atdheun po ma kthejnë jo më tepër,
Se veç dy rreshta, si leje banese,
Që shpirti im, tutje në një dhè tjetër,
Nga ndarja me të, të flasë me vete.

Atdheun po ma kthejnë në një ëndërr kot,
Të dy syve të lodhur atje në breg.
Të iki...!? Apo të rri këtu!? S'flas dot.
Atdheun po ma mërzisin kaq keq !

...Prisni! S'iki dherave të huaja,
Dhe pse Atdheun ju ma shfaqni ndryshe!
Do të gris fletët e lejet tuaja,
Që ta ndiej Atdheun, më brenda syve...

E do zvarritem në një shpat, a rrëke,
Ku fletët e lejet nuk më duhen më.
Nëse ju jeni të ngopur me Atdhe,
Unë jam i djegur nga malli për të!

Kur ju të kujtoni se në shpirtin tim,
Asnjë grimcë Atdheu s’më ka mbetur,
Unë do shfaqem tej në bokërimë,
Dalë prej tij, si një gur i pa tretur.

Sokrat Habilaj