Samstag, 20. April 2013

Brahim Avdyli: TEATËR I DHEMBJES SË PAFUND

 
TEATËR I DHEMBJES SË PAFUND

Është vend i shpalljes së dhembjes
marr frymë thellë në damarët e qenies sime
dhe e lëshoj rëndë në përkushtimin e vargut
me një pikë loti bebëzavë të heshtjes
që ngrihet i gjallë deri në pafundësi...

Gjakova është vendi i dashur i fëmijësisë
me të gjitha dhembjet e ndarjes së pakthim,
me lotë e shoh zhdërvjeljen e filmit të fëmijësisë
dhe nuk kam kohë të ndalem me therrjet
nëpër mushkëritë e djegura të mendimeve-

është botë e veçantë e përplasjeve të mëdha
mbrenda zemrës sime tërmetet prore rrënojnë
prap një vistër i përtërirjeve ngritet me diell,
mbrenda një çasti shprehen të gjitha stinët
e nuk ndalen bubullimat e mëdha të dheut tim
duke i ndjekur vetëtimat e përdalura të brejtjes.

Dita dhe nata nuk kanë fare kuptim të mirë
e keqja dhe e mira mbeten prore në dyluftim,
i mbledhë cuklat e fijeve të këputura papritur
e të gjëj fillet e dhembjes që piketon gjak-

gjak, gjakova dhe gjaku që nuk ndalet kurrë
për një ditë të bukur ulur këmbëkryq nën bli
me plisin e bardhë të një plaku të ndjenjave
që gjithëmonë e shoh të ulur në pikëtakimet tona
të asaj malësisë që i jep pore shpirt e madhëri,

gjak i kuq është gjaku i shenjtë i lirisë
që vetëm në Gjakovë është në çdo gemb të ri,
edhe fëmijët që vinë të shëndetshëm pas këngës
duke qarë thekshëm me lotë të përzier gjaku
e m`i ngrisin mua flokët peshë deri në vdekje
nëpër muranat e shumta të dëshmorëve...

A e dini ju sa herë jam rrëzuar nëpër metropole
duke qajtur me lot kalldrëmin e rinisë në Gjakovë,
ka mbetur e përhershme kinoja dhe teatri i gjallë
që lozin tragjikomeditë e dhembjes së pandalur-

prap do të rrëzohem në Paradeplaz në Zürich
apo në Rapperswil, në Stuttgard, München e gjetiu
trotuaret e pagjetura përmallshëm në ëndërrat e mia,

liria është ndjenjë që çel sythin e përmbajteve
me pranverën rritet e me dimrat e shumtë zhduket,
rreth e rreth zgjerohen në pafundësi këngët e saj
që si fëmijë të rritur dhimbshëm më rrënqethin

prore i kam kënduar, por çuditërisht më janë zhdukur
dikund në ndërdije ka mbetur ia zë i qartë kënge
se Gjakova është teatër i shpalljes së dramave

e i dhembjes së pa fund të përkryer të burrërisë!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen