Dienstag, 31. Juli 2012

Vullnet Mato: VËLLA I DETIT JONI


VËLLA I DETIT JONI 

Thonë, se me ndjesinë e zmadhuar,

çdo poet ka brenda shpirtit një det,
herë krejt të qetë, herë të trazuar,
ku i gjallon furishëm një tjetër jetë.

Unë jam vëllai i vogël i detit Jon,
kushëri i parë i lumit të Bistricës,
ngjizur te barku blu në limjon,
ku anijet flenë mes ngushticës.

Gjaku im me lëng agrumesh,
gjendet pemishteve të bregdetit.
Vitet e mi me dallgë shkulmesh,
ditët i kanë te kaltërsia dhe peshqit.

Kush më do me pasion të vërtetë,
Bregdeti e pret në pushime vere,
t’i ngyros trupin me ultraviolet,
t’ia gostitë ditët me freski ere.

Joni, siç dihet, ka grua legjitime,
bijën e dyzet shenjtorëve të lashtë,
që të pagëzon si mik, apo mike,
me ujin e bekuar të Syrit të Kaltër.

Unë jam vëllai i vogël i detit Jon,
por dallgëzoj larg në një trevë tjetër,
që të jetoj kurdoherë i përmalluar,
për kushërinj, motra dhe vëllezër...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen