Donnerstag, 27. Juni 2013

Faruk Tasholli: GJURMË E ODISEUT


GJURMË E ODISEUT

Përpara syve më shfaqet Mesdheu
Ky det i historive të pafund,
Këndej do ketë barisur Odiseu
Po gjurmë e tij nuk gjendet kund.

Histori dashurie, histori intrigash
Histori luftërash, gjakderdhje, tmerr
Ngritje kurthash prapë zënie pritash -
Në këngën det te ti Homer.

Te breg i butë më prekin valët
Si çuçurimë e zogjve të fshehur
Veç ty Homer të erdhën fjalët
Ta kthesh në jetë botën e djegur.

Veç ty Homer luftërat plot gjak
Nuk mundën dot të të zënë ngusht,
Si nga legjenda del në çdo ag -
Një det të tërë e mban në grusht!

Nën tingujt e këngës pa mbarim
Peshon me bujë baladë e gjëmuar,
Gjurmë e Odiseut shpirtit tim
Si faqes së gurit mbeti e gravuar.

Çdo histori me gjithë rrëmetin
Do të fundosej pa një poet,
S'do kish Odise që merr në sy detin
As Penelopë që besnikërisht pret.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen