Samstag, 29. Juni 2013

Cikël poetik nga Lumturi Plaku



Lumturi Plaku

DJEMTE E NENES

Oh,moj verë,jam e vetmuar,mezi prisja që të vije
të kthehen zogjtë tek klloçka dhe fëmijët e fëmijëve
oh,moj verë mesi të prisja,por më mirë mos të kishe ardhë
erdhën e ikën fëmija e me ta s’ndrrova një fjalë.

Nipi i madh nga Amerika murmëriste fjalë plotë
unë e zeza përveç”plis”,asnjë fjalë s’kuptova dotë
e pyes djalin,”biri i nënës,ku punon në bujqësi?
se yt bir fjalën”plis”e shqipëton për mbrekulli.”

Tjertri erdhi nga Greqia,doja në gjoks ta shtrëngoja
“kalimera”,me thosh ai,e zeza ….kalin ç’e doja?
me ç’ta mbaj,ç’ti ngarkoja,s’kam as misër e as grurë
bosh shtëpia në çdo qoshe,kalon miu e thyen hundë.

Tjetri më erdhi nga Italia,i këndova”bir , mjalt bir”
“muta,muta”,ai më tha,ngela me sy shqyer ngrirë
Ç’eshte kjo fjalë,i thuhet gjyshes e më dolën pika lotë
“ai të thotë,…”hesht”…italisht”,kthehet djali rëndë, më thotë.

Ah,moj verë,ç’më thanë djemtë,do ta them s’e nuk duroj
po desha të shof fëmijët,gjuhët e huaja të mësoj,
ata janë “modernizuar”,”gjuha shqipe”, thonë, ”s’ka vlerë”
janë tre gjuhë, ti si më thua,a do ti mësoj moj verë?

S’mjaftojnë lotë,por ulurima,të ngjitem në një majë mali
shkulet zemra nga kraherori, nëna nuk e njef më djalin
ngelën si pemët pa rrënjë,si gjethja mbi ujë të lehtë
s’trashegojnë gjuhën e nënës e nuk njofin fjalën “vlerë”.


TI DHE UNE

Ti pulebardhë,unë dallgë,bashkë përmbi det një vals vallëzojmë
unë si tingull e ti me plotë fjalë,këngën e jetës nisim këndojmë
ti je si flutur,unë bëhem sup,e krahët lehtë mbi mua mbështet
në zëmër të lules futem,të gjej,ti je nektari e unë jam bletë.

Ti hënë e bukur e unë jam qielli e të mbështjell në krahëror
ti rrezja dritë,unë jam dielli,që thellë nga zëmra larg të lëshoj
ti je ylberi me ngjyra plotë,kohën e keqe e shiun largon
e si një hark,puth male,fusha e brënda tyre dhe unë qëndroj….


Ç’TE THEM…

Ç’helm lëshuan, ç’patën vallë,
ç’mbanin brënda ato fjalë
në përgjigje analize ,ç’ishte shkruar
si korent ja drodhën duart?
Ju plak e ju rrudh freskia
ju shëmtua hijeshia,
ju pre ndriçimi në sy,
fytyra katran ju nxi,
si natëzeza pa yll , hënë,
rrëshqitur e në pus rënë…
Oh,ç’goditën ato fjalë,
dong-dong fortë!!!!!
Thellë në zemër e në kokë
ngeli shtangur si copë shkop
si pa frymë,e thatë eshkë
si gjethja zverdhur në vjeshtë
u këput e ra në tokë……

Buzëve rrëshqisnin ngadalë
Pyetje si rënkim ….në vajë
“Ah..ç’më thanë ato fjalë?
Unë fëmijë nuk mund të kem?
Joooo?..As vajzë e….. as djalë?
Kurkush s’do më thërrasi –nanë??????”

Dhimbe e fortë e s’flitesh dot…

Por përball ,krrusur mbi stol
një fat zi , si në jetë kot
lëviz shpatullat ngadalë
e ngren kokën,
që i kish rënë përmbi gjoks….
Eh,ç’të shihje!!!!!

Përmbi vetull një gung fryrë
rreth e qark syri i majt ,nxirë
e si i mpir…..
vuri dorën përmbi buzë
“Heshtni” ,thotë ,“kot ,mos pysni,
kush qe ai ,që më goditi …
është një hasëm shumë i fortë ,
që s’e vras dot,
se e dua si vetveten,
e për të…..jap edhe jetën.
E po të them emrin e tij…
është njëlloj sikur të ngri,
kokën lartë e të pështy
e pështyma… rrukulliset
e më kthehet prap në gji.
Kush pështyn veten e tij?”
Ndaloj pak …mori frymë
E me dorë gjoksin shtrëngon
e vazhdon…….

“Ehh,një dhimbje thikë , gozhdë
si peron ,që trarin shpon
brënda zemrës më ka hyrë
bërë vrymë e lëngon
pika-pika gjak pikon ,
ma ngacmojnë fjalët që thonë:”o derëzi…..
ç’fatkeqesi, më mirë mos t’kishe fëmijë”….

O JETA IME

I thith asaj çdo pikë nektar,
kur është nervoze ,o e qetë si vaj,
por dhe kur është shumë e trishtuar
thith prap nektar dhe pse i tharrtuar.
Ja thith…..ja thith…..ja thith njëlloj
dhe e shijoj…..
dhe ku s’mund të hy,ku s’mund të kaloj
çdo rrëzë të sajë si milingonë
me kënaqësi, hy e vizitoj
e thurr , e thurr pa u ndaluar ,
si merimangë
edhe një ditë,ja kthej në javë,
i shtoj jetën,jetës,se është e imja……
erdhi si erdhi
e dashuroj dhe e jetoj…..
Sa për momentet,o ato herë ,
që më ka bërë
të jem e trishtuar
e fal ..e puth ..e përqafoj
e i flas në vesh……
“O jeta ime ,të dua shumë…
kam plotë akoma për të mbaruar
më duhet kohë.
Mbërthemë,shtrëngomë…
e në krahët e vdekjes
po munde vonë……
shumë voooonë lëshomë!”.

FJALA “EMIGRIM”

Ndoshta sytë më shprehnin dhimbje, mbushur lotë,
o shije helmi lëshuan,kur thash fjalën ”emigrim”
e Miku,që ndëgjonte me keqardhje,më thotë
shprehjet,sikur mi mori në rënkimin e shpirtit tim

“Emigrimi është si një shpellë e errët,e shëmtuar
që kush s’e ka provuar,brënda sajë kërkon të hyjë
e ata,që brënda janë…. e vuajnë e të ikin duan
në strehën e ëndërruarë të lodhur ne shtegetim”.


KASAPHANE

Që i vogël ish tmerruar,lemeritur,zemra ish vrarë
Fliste e i rridhnin lotë ,në sytë mbushur me llahtar
Në to i kish ngelur hije,gjëme zeza, që kishte parë
nëna e tij,mbuluar gjak,me barrën në bark të çarë.

Duke qarë ish hedhur sipër,gjaku i vakët e përljeu
E ju duk sikur i foli,”mos më qaj o bir,por ngreu”
E një dorë e zuri mbrapa,me keq ardhje i kish thënë
Ik shpëto të ngelet rraza,se s’bën dot më gjë për nënën

Kish marrë gjakun nëpër trup e ikte me kokë mbrapa
mes kufomash,gjakut lumë,ulurimash e të qara
qanin nana,motra vëllezër,qanin truall e shtëpinë
gjakatarët….kasaphanë kishin kthyer çamerine--------------

PSE?

Pse ngeli fjala pa mjaltë
e thatë si një copë eshke
ç’e prishi magjinë e sajë,
që fliste edhe në heshtje…

ç’rrugë mori shprehja e syryt
që linte buzën pa fjalë
ç’re e zezë kaloj mbi ndriçimin
që mbante zemrën të gjallë???

 ELEGJI PER LIRINE

Nuk di pse….
kur shof zogjtë me cicërimë
që të lirë ,
fluturojnë në hapësirë
kur shof pleq,apo të rinj
që dëfrejnë e ku duan ,venë e rrinë
e sidomos ,kur ndëgjoj
fjalë në këngë,
që lëvrojnë për lirinë…

Ehhhhh…..… ……
Fillojnë sytë nxirë , trishtuar
derdhin lotë
pika,pika , që rrëshqasin,
krypin faqen
e braktisen përmbi gjoks.

Ah,liri------

Zemra pika gjak pikon
e shkon larg në ato kohë
fillon pyet, ty të kërkon
mos të gjen diku të trëmbur
strukur,lidhur me zinxhirë
a mos vallë në varr je mbyllur
a me çelsa kyçur thellë në qeli…

sepse ti------------
s’ishe kurrë ,kur duhej heshtur,
e kërkonin ulurimën,
kur gjoksi vullkan shpërthente
të ulurija
e urdhëronin pipëtimën.
ku ish vallë,ku ish liria?

S’ish liria as në gjumë
as në këngë,as në të qarë
mendimet si në burg kyçur,
nëpër tru vinin vërrdallë
kishin frykë nga pasojat,
s’gjenin rrugë për të dale
Lëngonte fjala në zemër
mykesh ,s’dilte,qelbesh goja
ëndërrat bëheshin thërrime
pa liri as jetën time s’projektoja.

Ah,çfarë dhimbje!
zemra qan, lotët rjedhin
ish vrarë dielli në ato vite e u nxinë
s’shijova gjithë bukuritë,lumturitë,
që dhurohen me bollëk në rini….

E tani????

Dhe pse gjoksi më është liruar,
fjalët s’trëmben
edhe rrugën e kanë gjetur,
unë ngelem me kokën mbrapa
në kohët me helme tretur,
kur frrymarrja me bllokohesh
për lirinë ,që më ish xhvatur….

.
MOS RRI KURR PA DASHURI !

Mos më thuaj që …
më kurrë nuk dashuroj,
se s’të besoj….
Por kuptoj…pikën e lotit ,
shpirtin tënd ,
plagën e zemrës të shkaktuar,
nga trokitja
në një porte të gabuar….
    
Prit… është shpejt…..
ajo plagë akoma e freskët
brënda zemrës
copë braktisur
dhëmb, rënkon
derdh pikë helmi
nëpër gjakun,që pikon.

Eh, ç’ti bësh !!!!
Dashuria është e fortë,
është magji,
të merr mëndjen ,të huton,
të mbyll sytë
e nganjëherë
me sy hapur ëndërron.

*******

Është sentiment,
që mbi arsyen komandon….
Je koshient ,që po gabon
e prap dehur,çoroditur, marrëzisht
pas sajë vrapon.
Fshije lotin…hidhe hapin…
nga e para rrifillo,
se njëlloj nuk është gjithëmonë…

Jo …mos,mos…
mos rri kurrë pa dashuri!
është e bukur,i jep jetës ëmbëlsi.
S’pyet për moshë,
as për fe ,as për ide
as nacionin
nga ke ardhur e kush je…

**********

Dashuria,zemrës ritmet i kurdis
herë rref fortë e herë ngadalë
e mbrekullisht…
si pikë mjalti shëron plagë,
ëmbëlsisht ,si krahu i fluturës,
e prek lehtë,e gudulis
dridhje i jep gjithë qënies tënde
në çdo shqisë……..

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen