Sonntag, 5. Mai 2013

Zyba Hysa: NËNË E BIR

Zyba Hysa

NËNË E BIR...

Dua të di gjithçka,
Që ty, bir të përket...
Jo të ndërhyj në jetën tënde,
Por të qetësoj zemrën,
Që kurrë nuk reshti së dridhuri për ty...
Jo nga kurioziteti,
Por të mbroj nga njerëzit që do më shumë,
Se dhe unë prej tyre jam lënduar...

Je i vogël, biri im,
Më vjen keq ta njohësh botën,
Duke u rrëzuar,
Kur unë kam mundësi,
Një qiri të ndez për të ndriçuar...

Që ta dish, bir,
Sa shumë më ngroh një fjalë,
Një vështrim,
Një përqafim,
Kthehu në fëmijërinë tënde,
Kujto,
Fjalët... Vështrimet,
Përqafimet,
Puthjet e mia...

Kemi ndërruar rolet, biri im,
Tani,
Që ti je burrë,
Unë jam zvogëluar,
Jam zvogëluar, aq shumë,
Sa shpesh them: “S’jam unë!”
Jam bërë një fëmijë qaraman,
Që lëndohet pa fjalë,
Jam bërë një fëmijë pa ëndrra,
Ato janë strehuar tek ti,
Jam bërë një fëmijë,
Që ankthi i “gogolit” më tremb,
Se jam fëmijë pa nënë,
Që të më qetësojë “S’ka gogol!”
Se jam fëmijë pa fëmijëri,
Të njoh botën më s’kërkoj,...

Eh, bir,
Ti nuk ke faj,
S’e kupton nënën,
Kur prind të bëhesh vetë,
Do kujtohesh,
Por prapë s’do të besosh,
Kur përsëri të bëhesh fëmijë,
Kështu... siç jam unë tani,
Do të më besosh... për atë Zot,
Por unë,
S’do të shoh dot...!

22 .I . 2009

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen