Mittwoch, 13. Juli 2011

Sabit Rrustemi: QENI ILIR

QENI ILIR

Prej antikës e deri sot
Nuk bishtnoi udhën
As ndryshoi farën

Nën  qiellin e kësaj  toke
Ruajti  vendin

Sillet kah sillet
S’e ngatërron adresën

Besën  e jep pa fjalë
E nuk e shkelë për mallë

Njerëzit e shpisë
I memoron me një të parë

Jo vetëm për dritë
I njeh edhe në pikënatë
Përmes të ecurës
Zërit

A shenjës që mbajnë

Një kullë e ka hak
Që s’lodhet për miza
As kokën futë  nën  fshisa

Ka malin përplot lisa

Pinikë e minokë
Në bisht i sjell

As  birën e veshit
Për ta s’e  lodhë
Kur e lehin anash

Vetëm me bisht syri i kshyrë
E qetësinë s’ e prishë

Nuk është lehtë me ia thy mendjen
A me grishë
Është roja  e shpisë

Kur leh ai
Ngritu e dil
Në të thatë nuk lehë kurrë

Nuk e sheh as n’ ëndërr te sofra
Një kafshatë goje duke pritë
E le më çarshisë

Magjes huaj nuk ia pi gjellën
Po e nguce
Ta zë derën
E ta errë jetën

Saktë e di  kur duhet rruar poshtë
Kur lartë
E kur hiç

Për këdo
Nuk lëviz vendi 

Në këmbë e ke
sa herë e lyp rendi

Lum shpia që e ka

(11 korrik 2011)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen