Donnerstag, 31. Januar 2013

Viktoria Xhako: MA THIRR MOTRËN ...

 
MA THIRR MOTRËN KËTË NATË...

(Motrën time SHYHRETE AHMA)

Ngrihu, bijë, ti nga shtrati,
Lëre dhimbjen këtu tek unë,
Shko matanë tek yt vëlla,
Fshija lotët, të humbin gjurmë.

Thirr tani ti motrën time,
Fjal’ e saj balsam për plagë,
Dor’ e saj ma zbut dhimbjen,
Syri i saj pikon veç mjaltë.

Eja, motër, më rri pranë,
Nuk është vend ky për fëmijët,
Sytë e tyre burojnë lumë.
S’mund ta fshehin ata dhimbjen,

Më rri afër, motra ime,
Zbutma plagën e trishtimit,
Ma këndo këngën e jetës,
Gjersa sytë t’ia shoh agimit.

Sytë ngulur në dritare,
Do t’i mbaj unë për gjithë natë,
Gjer të vijë agim’ i bardhë.
Pastaj ti ngrihu nga shtrati.

Hap dritaren kat e kat,
T’më mbështjellë i freskëti ajër,
Edhe po s’e pashë agimin,
Ai vjen sërish i bardhë.

Ndën jastëkun tim të shukur,
Do ta gjesh ti amanetin,
Futur në një zarf të grisur...
..............................................

Kam kaq mall për ty, o jetë,
Lë kaq ëndrra thesit të grisur,
Sa veç hiri i trupit tim,
Mund t’i prekë duar dridhur.

E kuptove, motra ime?
Mos më fut në t’ftohtën tokë,
Po në kaltërsinë e qiellit,
Shpirtin tim ta ndiej ngrohtë.

Shtrëngo zemrën, motra ime,
Lëri lotët ti mënjanë,
Hape zarfin me kujdes,
Dhe plotësoma amanetin......

E enjte 29 shtator 2011 ora 18:00

VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)

Nga vëllimi poetik “TAKOHEMI NË QIELL” botuar në maj 2012!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen