Samstag, 13. Juli 2013

Dy poezi nga Nehas Sopaj


Nehas SOPAJ

PRESHEVA

Vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë.
Vjeshta po braktiset. Për çudi, plepat
akoma po shushurijnë, kurse brenda
thellë në lumë, po dridhen guralecët.
Vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë.
Gjeraqinat e veshura me purpur
buzës së lumit, kanë rënë në bar. Shi
bie, bie. U ngritën sonte, lulëzueshëm
në erë, në det - lulekoralet e jeshilta.
O, vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë,
më trego për ujin e kaltër të legjendave
dhe hirit. Vajzë, lulediell i tharë.
Vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë.
Unë dua që ti të vishesh me gonxhe
dhe trumëza. Unë dua të t'kalisë
zemani i diellit dhe e pranverës.
Vajzë, histori e shiut dhe barit,
vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë.
(1973)

 

E PO Ç'TË BËSH IDRIZ SEFERI

Para se të nisem kah vetja dhe njerëzit,
do të bie, të fle sonte, pa sytë e mi.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Më thuaj si t'ia nxjerr një fjalë Karadakut, më thuaj
si të filloj të flas me gjakun tim. Më thuaj.
Ky pyll i blertë sonte po niset
deri te zemra ime. Unë të njoh, Idriz Seferi
Të njoh. Ty dhe gjithë zemrat e skifterëve, ju njoh.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Kështu e ka ky vend me lule. Kështu e ka
kjo erë plot shi. Disa vdesin për liri, Idriz Seferi,
e disa shtrijnë duart e tyre zaptuese në botë.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Para gjashtëdhjetë vjetësh ti puthe
çdo pëllëmbë të Karadakut dhe Kosovës, Idriz Seferi.
Ti kishe vetëm një trup dhe një ëndërr
ç'të bësh, në ëndrrën tënde farkohej liria,
dhe rritej Karadaku i kuq me një diell të lulëzuar.
Dhe, një hënë prej purpuri. Ç'të bësh.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Më trego si të flas me gjakun tim të bleruar,
dhe gurin. Më trego, Idriz Seferi, më trego.
Si të flas me heshtjen tënde të bekuar.
Në gur dhe në ujë, çelin jorgovanet,
kurse në botë lindin shumë flaka të kuqe
dhe lule të flakave. Do të këndoj sonte, Idriz Seferi,
para se të nisem kah vetja dhe njerëzit.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
 

(1975)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen