Freitag, 18. April 2014

Mark Kuzhnini - Shtatë poezi

 
JAM ODISEU

( Letër Penelopës sime )

Kur gjithçka më sulmonte,
Unë morra rrugë për tek ti,...

Dashuria jote më mbronte,
Sa në jug e sa ne veri.

Unë qiellin shumë e doja,
Por nga toka dilnin ciklop,
E kur në det po lundroja,
Jetën po e peshkoja me shkop?

Dhe pas vdekjes s'jam lënduar
E pas ujërave nuk shihja tokë,
Do të vij, të kam premtuar,
Ndoshta vetëm e jo me shokë.

Fikall vet flisja me vehten,
E vehtja ime s'kishte përgjigje,
Kush di si unë ta dënojë vdekjen,
Duke jetuar si gur mbi brigje.

Pak në ëndërra të kam parë,
Se pak kam fjetur bukuria ime,
Kaloi shumë kohë që jemi ndarë,
E ti mbete kujtim në jetën time.
 
 
 
 
PREMTIMI I KONSTANDINIT

Seç qenka natë e bukur
Varr ngrihu e bëhu kalë
Më duhet të ik si një flutur
Rrasë bëje një nder, bëhu shalë....


Duhet të ik e ta marr motrën
Që ta vë amanetin tek vendi
Të ngutem e ta hap portën
Kështu e kërkoi lokja e rendi.

Ah! Ore mal m'paska marr malli
Të të shoh përsëri
Jam nisur i vdekur nga varri
Që ta marr motrën në veri.

Natë e Pashkëve të mëdha
Nana jeton si në qeli
Dikush një lajm ma dha
Ka hudhur një hok mishi n'kusi.

Ja pra pragu i Dhoqinës
Ngrihu motër erdha të të marr
Ç'ke or vëlla prapa shpinës
Dukesh shumë në trup i pa larë.

Jo moj motër asgjë nuk kam
Veç jam ngutur duke ardhur
Duhet të nisemi në errësirë
E jo mëngjesi kur t'ketë zbardhur.

Por pse vëlla nuk pushon sot
Nesër nisemi me dritë dielli
Motra nga malli u zhyt në lotë
Po lotonte atë natë dhe qielli.

Duhet t'nisemi thot Konstandini
Hidhu në shalë moj Dhoqinë
Çfarë zemre e çfarë mendimi
Kishte trimi për shtëpinë.

Atij i ngutej shumë më shumë
Që mos ta zë agimi hershëm
Ta lë motren e të kthehet në gjumë
Aty ku ishte i përhershëm.

Ja...! Arritëm motër tek shtëpia
Unë po shkoj ta lidh kalin
Vajza troket në portë
Lokja si qyqe po e merrte malin.

Konstandini u kthye në varr
Nanë moj hape portën
Mos je bushtër a mortajë
Kush ta bind tani loken.

Është Dhoqina bija jote
Hape portën moj nanë
Qante plaka asaj kohe
S'kish parë diell e s'kish parë hanë.

Kush të solli ty moj bijë
Me Konstandinin këtu kam ardhur
Ah! që vërshoi tani një shi
Dhe mëngjesi sapo ka zbardhur.

Vdiq plaka vdiq e bija
U dha e u përmbush premtimi
Pas kësaj u shemb shtëpia
Besa besë ishte qëllimi.
 
 
 
 
MË DËNOI

Në sytë e zinjë ulliri dukesha si prehë gjahu,
në buzëqeshjen e saj i shëmtuar si bishë,
çfarë fjale lindi shpejtë e më ndau,
nuk gjeta shërim as n'xhami e as n'kishë....


Përsëri ajo buzëqeshte e unë isha pjesë mishi,
në afërsinë e saj, më binte copë, lëkura ime e flaktë,
mos vallë ishte mbretëreshë ferri që jetën ma prishi,
doja ta puthja, ta përqafoja për çdo natë.

Vetëm për pak çaste ishim qift ideal,
vetëm për pak kohë qëndruam me gëzime,
kur e kuptoi sa e dashuroja, në mendime su ndal,
më pas s'më harroi duke më dënuar me mallkime.
 
 
 
 
LOTËT E BURRIT

Kur buzëqeshja kalon në vaj,
e dhimbja është e pa kulluar,
në atë çast je diku ne skaj,
se fati yt është duke u martuar....


Kujtimet nuk peshohen,
dita kur e shikove për herë t'parë,
ndjenjat kurrsesi nuk ftohen,
pas vellos saj i sheh lotët që ka qarë.

Lotët e burrit janë sa pesha e shkëmbit,
vuan nga ndarja shumë më shumë se femra,
është më e rëndë se dhimbja e dhëmbit,
kur e kupton që i ka ikur zemra.
 
 
 
BABË*

Përse more babë je i pa fjalë
e i ftohur që nga dje
unë jam i yti djalë
përse bëhesh që s'më njeh.

Fol more baba ma thuaj një përrallë
më morri malli me ty me fol
ti i vdekur unë i gjallë...

dhimbja shpirtin ma ka lodh.

Më mungon buzëqeshja jote
jam si qielli i errët pa hanë
të qoftë i lehtë dheu i kësaj toke
çfarë të bëj që s'të kam pranë.

Si do të them babë lamtumirë
se s'më del kjo fjalë e mallkuar
ah... sa e kam të vështirë
më kurrë s'kam për të të përqafuar.
________
 *Për prindin tim që ndërroi jetë.
 
 
 
FLOKËT TUA

I pashë flokët tua si dallgë deti,
Eh! Sa me vrap fillova hapin tim,
Por nuk e dija se çka më gjeti,
Kur preka supin e një tjetre...trishtim....


Më fal...në heshtje i flisja si qielli blu,
Mendova që ishe tjetër t'kam ngatërruar,
Këtë që e ndalova jo...jo nuk e du,
Me plagë të thellë rrugën e kam vazhduar.

Përse nuk ishte ajo, ajo që e dashuroj,
Nga të shkoj as këmbët s'më bëjnë punë,
Cili kapitull m'ka mbetur ta shfletoj,
Se të gjithë janë tituj që ndaj meje ushtrojnë dhunë.
 
 
 
SHPIRTI PA TY...!

E kur errësira pas diellit do t'bie
E kaluara si fantazma mezi pres të dalë
Nga dashuria mendja tek ti më shpie
Dhimbjet zemrës s'mund t'ia ndal....


Pas reve që shfaqen si mjegullë n'hapsirë
Kujtimet shëndërrisin si yje në qiell
Kur nuk shfaqet fytyra e saj aq e mirë
Shpirti im pa të duket si dita pa diell.

Malli është brenda dhomës
Dhe vetmia filloi t'i flas heshtjes
Trupi duket pjesë e kufomës
I shtrirë për dhe si gjethet e vjeshtës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen