Dienstag, 22. Oktober 2013

Shqipe Hasani - Psalm i Kleopatrës


Psalm i Kleopatrës
 
Të mërkuren e shenjtë do të më vënë
Në skenë si Kleopatren
Pse hyra në legjenden e kurorës
Pse lava sytë ëndrrat që i pash
Pse putha pa mëshirë diellin e dashurisë
Të enjtën do të më këndojë si Kleopatra.
 
Aq më bënë xheloze...
Se të premten e zhvirgjërimit
Do të më zgjosh me fustan të gjakut
Do të më bësh roje nën flokun e gjatë
Do të më fshehin në shtratin e trëndafiltë
Deri sa të të dua gjithë natën
E mos të nginjem.
 
Gjithë javën tjetër qaj dhe gjykohem
Që s’të kam njohur më parë
Me shpirtin e prushtë të Cezarit
 
Dikur të bëhemi fitimtarë të vjeshtës
Të pijmë verën e dasmës
Të ringjallim betejën e dashurisë
Për vitet e ikura.

  • Kjo poezi ka marrë çmimin e parë në Takimet e Poeteshave Shqiptare, Vushtrri 2013

Hasan Kuçi - Vushtrria ime


Vushtrria ime, qyteti im

Rrugëtova mahallëve
këmbëzbathur me shtizë në dorë si vician
të zitë e ullirit hoqa
kalldrëm pas kalldrëmi
Vushtrria ime

me mikun cakërrova gotën e haresë
një tjetër me kujtime mbusha
e në tymin e duhanit
i shkrova te dashurës
Vushtrri
kafeneja ime

trëndafila të vyshkur
e lecka bleva
lahutë të vjetër në pazar
anës lava djersën e lotin e pluhrosur
Vushtrri
hamami im

nën hije plepi
silnica nuk më lagu më
e as shi i purpurt në harkun e skajshëm
i mesmi dashuri e parë
nëntë harqe
më shumë shekuj
urë e gurit e ime

mur i lartë
sa malli për shetitoren
për vëllanë
që nuk shëtis më
nëpër portën tënde
i huaj dot nuk hyri
afër gurit
shpirti i gjyshit fle rehat
e i imi shumë të ka mall
Vushtrri kalaja ime
qyteti im.