Donnerstag, 11. April 2013

Tri poezi nga Fatmir Gjestila

 
PA FAJ

Fëmija lindi.
Gëzoni pra, këndoni!

Lindi nën kujdesin e një lypësje,
Mori emrin e një lypësi,
Prej kumbarit lypës.

Këndoni!
Pse s’këndoni?
Fëmija lindi.
I kujt është faj?
E ç’rëndësi ka…

Fëmija lindi dhe po vdes
Në shëtitoren e kryeqytetit,
Në krahët e një lypësje;
Pa mundur të mësojë një fjalë,
Të paktën sa për t’u lutur,
Të paktën sa për të lypur.

Lindi një lypës,
Vdiq një fëmijë.
I kujt është faj?

Ju,
Ju e dini!
 
 
 
 
 
MANEKINËT

I zhveshi inflacioni manekinët,
një rrobë s’u la për be.
Me gishta në xhame fëmijët,
qeshin e diç kërkojnë atje.

Një syresh ngjitet në vitrinë,
mbështetur mbi xhame rri;
të tjerë “xhelozë” rrotull vijnë,
kur ai prek të akulltin gji.

Manekinët heshtin përtej xhamesh;
më të pajetë se ç’janë, pa rroba ngjajnë.
Ne,
të heshtur si manekinë trotuaresh,
të ftohtë,
indiferentë,
si manekinët tanë.
 
 
 
 
SOT NUK MUND TË VIJ…

Vallen e kodrave
ma mori mjegulla,
Dritën e syve ma mori pika e lotit.

Mos ma bëj me dorë
shtëpia ime e vjetër;
sonte nuk mund të vij…
Nuk mundem…

ATI im
nuk do të dalë të më presë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen