Donnerstag, 18. April 2013

Hamit Taka: GJENIU

 
GJENIU

Kam një merak, më përpin për së gjalli,
Shpirtin ma bren me vuajtje perëndishë:
Kujt t’ia besoj, kujt t’ia qaj sot hallin
Kur jeta gënjeshtrën me lule e stolis?

Si Perëndisë i besoj shpirtit të fëmijëve-
Ky det me brilante, korale madhështore…
Në mijra diej mes tyre ndahet dita naive,
Nata çukit vezët e agimeve pranverore;

Ah, s’ia dinë fëmijët misteret kësaj jete,
Ç’është intriga, ç’është puthja buzëkallkani,
Në trille loje zhytur, të flijuar i jepen
Gjumit të bardhë me ëndërra jargavani;

S’e dallojnë buzëqeshjen ironike të hënës,
Kur të mëdhenjtë luajnë lojrat tinzare,
Kur babai i aktron përgjërime nënës
Dhe mashtrimin qëndis me dhele bujare;

S’e njohin ata Makbethin, thikën pas shpine
As helmin në vesh për mbretin e urtë;
Shtriga vjen e qeshur, me sjellje intime
U dhuron mollën magjike, të ëmbël, të butë;

Si u dridhet buza me lëvizje ëngjëllore
Dhe loti kristal u rigon nëpër faqe…
Kur mes hijesh misteri me aroma qiellore
Shpirtin e gjyshit e përcjellin në paqe…

I ftohtë është dhe zjarri i largët hyjnor.
Në shpirtin e tyre lus të mos arrijë dot acari,
Mos ta prekin plagët me lulëzim madhështor
Gjersa prej tyre një Gjeni të dalë i pari;

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen