Montag, 25. März 2019

Arif Molliqi: ELEGJIA E DHIMBJES

Prof. mr. Niman Alimusaj

Arif MOLLIQI

ELEGJIA E DHIMBJES

(In Memoria Prof. Nimon Alimusaj, mësuesit tim)

Kur Ti ece nëpër damarët e gjakut 
Koha tinës n´kurth të vuri 
Në udhëtimin e moskthimit

Në secilin vend ke lënë gjurmë 
Nga shikim i yt u trembën hijet e zeza
E fjala jote tingëllonte vetëm shqip...

N´dashuri për Alpeve Shqiptare 
Të japim shpirt na the
Se bukurisë nuk i duhen lutjet

Sonte me ra ndërmend,
Për udhën e gjatë përmbi Maje Mali
Që t´ka lodhë e t´ka k´putë malli

Po ç´është kjo rrapëllimë 
në mallin tënd për Gurin e Nusës
Që merr frymë në pranverën time

( Mësuesi im; nga maja e Strallit të thirra
Pjekjen ta bëjmë të Gurrat e Bardha
Nuk po më provojnë këmbët, me the
Për herë të parë nuk me dole në fjalë
Nuk e di shikimi nga Kosova të vonoj
Apo lahutarët më këngët kreshnike)

Sonte më kot të kërkova në ligjërim
Kishe dalë n´qafë të Strellcit
Heshtjen ta trazosh n´këtë çmenduri...

Freitag, 22. März 2019

Fehmi Ajvazi: SA PAK KOHË

Fehmi Ajvazi

SA PAK KOHË

Ja kjo ditë të të kujtojm ty
Mbretëresh e lashtë 
A zonjë e mendjes
Poezi...

Sa pak kohë për jetën
Për dashurinë
Për të vërtetën

Zhurmë kudo dhe pluhur
Virtualitet dhe teknologji
Lodhje në çdo front jete
Plakje e hershme...

E ti megjithatë nuk bie
Në pendesë a shtangim
Si në fillim si në fund
Fron i mendjes së bukur

E sa pak kohë njëmend
Veç ti kurrë mos u çmend 
Ç'vlen arti pa ty

Si natyra pa dritë
Si liria pa shpirtë...

21.03.2019

Maxhun Osmanaj: MË FAL POEZI !

Maxhun Osmanaj

MË FAL POEZI !

Më fal poezi,
herë të lind, herë të vras,
tani dua ta di,
cili njëri - tjetrin ndjek pas?!

Më fal poezi,
sa shumë të torturoj,
labirintheve duhet të dal - të hy,
shpirtit rebel, besnik t'i qëndroj.

Më fal poezi,
që kurrë betejat s'do t'i mbarojmë,
as në paqe, as në zjarrmi,
s'di në cilin stacion do të pushojmë.

Më fal poezi,
nëse e akorduam mirë melodinë,
fajtor s'jam unë as ti
ne kënduam krejt për pa-kënaqësinë...

Më fal poezi,
krejt çka thashë në varg,
për mua, për ty
sa afër jemi, sa larg.

Më fal poezi,
dikush tjetër më ka shty'...
haptas të të them
s'kam shpjegim për Ty...

Ismet Aliu: LETËR POEZISË

Ismet Aliu

LETËR POEZISË

Ruaju e dashur
Harqeve të zjarrit
Ujit
Dhëmbëve të Diellit ruaju

Urithi në rrënjë mund të zbresë 
Ta zhveshë fushën e pagjumësisë

Dëgjoje Orën e Dashur
Ujku me Qengjin miqësi bën
Ia tregon dhëmbët prej letre

Ruaju e dashur
Harqeve të zjarrit
Ujit
Dhëmbëve të Diellit ruaju

Sadik Krasniqi: NATA E POETIT

Sadik Krasniqi

NATA E POETIT

Nata e poetit 
nuk është një vijë e zezë
e vizatuar nga dora e ngathtë e idiotit
nuk është dremitje e devesë nën palmë
e as vetëm udhë e hënës së vdekur

Nata e poetit
është një kafaz i qelqtë
i krisur shtatë e shtatëdhjetë herë
nga gishti i unazës së fildishtë
e dalja në hone kohe të përndritura amshueshëm

është ikja e tij 
në malin e Sinait te flaka e shenjtë
e herë te hiri i Trojës së mjerë
deshifron hieroglifet e heshtura
pranë Sfinksit të stepur

me Diskun e Efesit kalëron shtigjeve deri në Aleksandri 
lexon fletët e djegura pranë detit në pikëllim
e lë një plis te hija e Aleksandrit

nëpër gurët e prushtë ngjitet te Gjergji në Krujë
puth altarin e thotë me zemër uratën

me pluhurin e udhës së mijëra vjetëve
pak pushon te varri i nënës
i lë një lule nate 
e një lot te guri i kresë të vetmes motër

hynë në tempullin e dashurisë
vashës së dashur ia puth buzët e gojës 
ia le trendafilin mbi gjinjtë e fjetur

e para rrezës së parë së dritës 
i bie me pëllëmbë atit vetëtimë
shtrihet pranë gruas
shtiret se ka fjetur si i vdekur

Sonntag, 17. März 2019

Petraq Risto: 4 X 4

Petraq Risto

Është një dhomë e vogël dashurie 4 X 4...

Me katër mure, me katër dritare që shohin nga brenda
Në secilën dritare pikon një yll: serenatë e porositur
Dhe brenda çdo ylli rri zgjuar një kitarë.
Katër yje dhe katër kitara në një dhomë të vogël dashurie.

Unë dhe Ti. 4 X 4. Dashuri, fshehtas nesh po lulëzon një flatër.

Katër supe, katër drithërima dhe katër stinët e Vivaldit
Katër zogj puthjeje kërkojnë katër yjet dhe katër kitarat
Dhe katër degë qershie kërkojnë të hyjnë brenda dhomës
E ti ngjyejnë muret me të kuqe dashurie. 4 X 4. Dhe një tjetër flatër...

Katër premtime: borë e kaltër në katër dritaret
Dashuritë e mëdha shihen symbyllur 
ngaqë kanë nga katër sy te zemra
dhe imagjinatë të ndezur në sytë e katër kitarave.

Flatër...4 X 4.

Katër ëndrra, katër mëza dhe katër lëndina
Katër lot në katër sy, katër tablo në katër mure ngjyrë qershie
Unë dhe Ti. 4 X 4. Një dhomë e vogël dashurie...
Katër kënde lart, katër kënde poshtë 
në çdo kënd kabala jote më josh...
Dashuri me katër flatra ku mund të fluturosh?...

Sadik Krasniqi: ECJE MBI GJETHE

Sadik Krasniqi

ECJE MBI GJETHE

Që ata mos të zgjohen
priten të më zënë në udhë
e të më pyesin me gjuhën e dheut
ku shkon ti në këtë muzg 
pranë amshimit tonë të zi

hapat e mi heshtin nga gjethet e rëna 
që kanë lotuar shi vere
si sytë e blertë e të zi

unë kaloj pa vërejtur asgjë
veç këta gurë të mistershëm 
dhe një ylli që bie përndritshëm 
diku në një galaksi

Nidda 2016