Sonntag, 28. April 2013
Hyqmet Hasko: NJË DASHURI PËR DASHURINË
Hyqmet Hasko
NJË DASHURI PËR DASHURINË
Dita me gjen tek syri yt,
kur ti akoma je duke fjetur.
Natës i them nga ti të ik,
si pikë vese nga qielli i tretur.
Sharmin tënd rri vështroj,
aty janë stisur gjithë bukuritë,
do të vi nga gjumi të të zgjoj,
se të janë mbledhur gjithë yjësitë.
Vij si fllad dhe futem brenda,
dhe ti më hap njërin sy,
tjetri lundron nëpër ëndrra,
tek një dashuri për dashurinë.
Unë varem lehtas te buzët e tua,
si pika e vesës përmbi fletë,
të pëshpëris ngadalë: -të dua...
dhe nis një ditë për një jetë.
Kështu na vijnë vitet me radhë,
herë të lumtur e herë me fjalë,
ajo që mbetet dhe kurrë nuk tretet,
mjalti i shpirtit kur ka mallë.
Nga kjo jetë marrim sa duhet,
atë që duam nga drita e shpirtit,
dashuria me fjalë kurrë nuk thuhet,
se nuk mban zemra kufi të infinitit.
Te një dashuri për dashurinë,
vitet qëndrojnë të patretur,
jeta ka përherë vazhdimësinë,
kur një shpirt shpirtin ka gjetur.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen