Montag, 11. April 2011

Jorgo Telo: VLERËSIM



VLERËSIM
(Më tej se fabul)

Ndaj të gdhirë më erdhi ëndrra.
Më degdisi në një krua.
Piva ujë, sa u dënda
E një pellg m’u shfaq kundruall.

Tek sodisja pranë e pranë
Pellg e krua nën një pemë;
Eh, mendimet…ku s’më vanë!
Për një vlerë e antivlerë…

Më lart pellgu ngrinte zërin:
- Tek unë mblidhen mysafirë.
Sa nuk më pinë të tërin…
Jam a s’jam më i mirë?!

- Po  e ngrë veten mbi “lisa” –
Foli kroi më gurgullimë.
Me shushunja e gëlistra,
Me uj’ t’ndenjur e këllirë…!

- Jam i qetë dhe i urtë,
Jam i tillë, ndaj më vijnë.
- Eh, o pellg, - tha kroi butë, -
Mysafir unë kam njerinë!”

Edhe unë, po të rri në vend,
Kthehem strehë për bakterie.
Kush u ngrit e kush u çmend,
Të pijë ujë nëpër pellgje...?!"

Si më solli këto pamje,
Më la ëndrra, u largua…
Pa të mbeta si në skamje
As me pellg dhe as me krua.

Mandej shteg iu hap logjikës:
“Çfarë zgjedhje kërkon jeta?”
Papo thashë me zë shpotitës:
“Kristal ujë, or tungjatjeta!”

 Prill, 2011

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen