Samstag, 2. April 2011

Shaip Beqiri: MERMERI I ZBARDHUR

Poeti Shaip Beqiri


MERMERI I ZBARDHUR

Babait tim, Rexhepit

Më tha nga ana tjetër
Po jap shpirt në këtë pikë dite
Midis pamjeve të masakrës serbe në Dreni

Po nisem pas nënës përtej kësaj shkretëtire
Ku më lanë pabesisht më të dashurit e mi

Më mbeti e pakryer
Puna e atij mermeri të zi
Të cilit desha t`ia nxirrja thelbin përjashta
Kur përbrenda çdonjërit jua lashë nga një frëngji
Sado që s`arrita dot zbraztësitë t`i mbushja me zbraztësi

Si s`të erdhi turp që atë grusht dhe
Pa rënë në gjunj para hijes që e le
Të ma hedhësh së largu nga një re

Nga një javë ju prita të vinit që të tre

Nuk u nisa jo të bëj ndërrim jete
Të ndërruar e pata si gjarpri lëkurën
Që kur gdhenda atë shkallë për vete

Dhashë shpirtin që drita t`i mbetet tek ti
Tënden po e marr në vend të hijes përsëri

Përse nuk erdhe të mos mbetesh me mall
Të vësh shenjën tënde në këtë tokë të rrallë
Po vërtitesh kot duke bartur atë gur të gjallë

Unë qeshë tepër i butë në ndeshje të ashpra
Më la këmba e dora kur më duheshin flatra

Perin tim të fatit e këputa duke e tëholluar
Kur desha të qepja plagën tënde të kulluar

Po ta lë përgjysmë mermerin që nisi të zbardhë
Vërja pëlhurën e grisur të syve të mi pa dënesë
Të tjerat gjeji vetë kur të vish të kërkosh ndjesë
Tash po hyj i përvëluar në kopshtin me mardhë


Herzogenbuchsee, 6 Mars 1998

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen