Donnerstag, 14. April 2011

Halit Alijaj: TRI POEZI


JU
(Poetëve)

Ju jeni një tufë lulesh
Në zemër të shkëmbit

Ju jeni lumenj këngësh
Në tela të lashtë lahute

Ju jeni gjerdan fishekësh
Në xhamadan malesh

Ju jeni plis i ndrydhur me shekuj
Mbi kokë të bjeshkës

Ju jeni bilbila të kësaj toke
Që këngën s’e ndalët,
As në flakë të barutit
As në grykë të topit

Ju…




S O N T E

Sonte do të marr pendën
E të shkruaj në qiell:
“Apel Botës”
Shpirti do të shpërthejë
Agimi do të pikojë gjak
Fitoren s’e kemi larg
Liria është në prag

Vjenë, janar 1990





N Ë N Ë

S’do të lëmë o nënë
Pranë vatrës vetëm të tretesh
Me ftohtësinë e vetmisë në shpirt
Me shikime të kthyera nga dera
Që mbajnë në vete
Shpresën e kthimit
Të pëllumbave të jetës suaj

Do të kthehemi një ditë
Së bashku me dritën e syve të tu
Që ta vodhëm
Në buzëqeshjen lamtumirëse

Më prit, më prit
Se ditë e kthimit
Po vjen
Në prehrin tënd të ulem
Të pushoj

Gjermani, 1992






Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen