Mittwoch, 1. Mai 2013

Myrteza Mara: NJË ÇAST


MYRTEZA MARA
 
NJË ÇAST

Një çast mendova se të humba,
kulpra e rrëqethjes në shpirt,
doja të klithja, por nuk munda,
doja të ikja, por s’munda të ikë.

Ku të shkoja, nuk ka më rrugë,
nuk ka shtigje, s’ka kryqëzime,
nuk ka ura, nuk ka as lumë,
aty mbaronte dhe kënga ime.

Një çast mendova fundin e botës,
botë pa ty nuk ka si të ketë,
u pa dhimbja në pasqyrën e lotit,
unë nuk shikoja asnjë yllshpresë.

Një çast u zhyta në detin e pendimit,
nuk u luta, s’kërkova dëshmitarë,
pa ty jeta është ora e flijimit,
pa ty unë mbetem një ishull polar.

Një çast ishte, vetëm një çast
njëlloj sikur të isha në ëndërr,
i dogje retë e zeza me flake,
ti ishe te vendi yt në zemër.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen