Sonntag, 8. Mai 2011
Vullnet Mato: GJUHA E URREJTJES
GJUHA E URREJTJES
Pse o njeri flet fjalën e keqe,
sikur të kam vrarë babanë,
sikur të kam zënë ndër leqe,
të kam prerë në besë vëllanë?
Pse më shan me degë e rrënjë,
kudo ku shkon e u flet njerëzve,
sikur përgojova në nder tët ëmë,
sikur të kam rrahur për vdekje?
Pse harxhon aq shumë të holla
të më nxish më të zi se blozë,
sikur të kam marrë disa miliona,
duke të bërë hile në bixhoz?
Pse më ndërsen çdo lloj briri,
bën zagarë njerëzit e shkretë,
sikur zgjidha qenin nga zinxhiri,
dhe të copëtoi këmishë e brekë?
Pse më urren bre kot së koti,
kur mund të jemi miq për kokë,
kur mund të qeshim e të lozim,
pa të pimë dhe ndonjë gotë?
Gërmo pak për etërit shekullarë,
se mund të dalim dy degë në lis,
mund të kemi një gjak në damarë,
me ata që nderuan shpatat e Arbërisë.
Zgjidh në fjalor fjalë dashurie,
goja e hidhur të kullojë musht,
pastaj bijtë e tim biri dhe sat bije,
mund të na bëjnë edhe krushq.
Sikur gjuhën ta ëmbëlsonim bashkë,
të gjithë sa jemi në të shenjtat brigje,
të na pikonte goja vetëm mjaltë,
do na kishte bota në krye të miqve...
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen