Samstag, 7. März 2015

Namik Selmani - Katër poezi

 
Zëri i atdheut

1.
 E donim atdheun
 Edhe kur trarët e doganës na ndalën ëndrrën
 Edhe kur fjala na ngeci si në lukth si kockë e mbrapshtë
 O, në gjunjët e gjakosura merrnim uratën e nënës
 Dhe këngës së gjyshit i mernim magjinë e lashtë

2.
 E donim atdheun
 Edhe kur shkronjat shqipërore na i gjakosën e na i vranë
 E në vend të farës së ugarit na dhanë arkëmorte
 E valle hodhëm buzë gremine e mbi gjoks të stëralltë
 E aromën e luleve ia dhamë vajzave syylberore.

3.
 E donim atdheun
 Edhe kur bukën na e shkelën dhimbshëm me këmbë
 Edhe kur në odë na dogjën oxhakun dhe palcën e gurit
 Edhe kur zogjtë bilbilorë na i futën në kafazët e rëndë
 Ofshama e fëmijëve na vuri në radhë në klithmën e burrit.

4.
 E donim atdheun
 Edhe kur qiellit i dhanë nanëlokeve kukamën e Mortit
 Kur dallgët e shpirtit na i mbytën Pamporët e Jetës.
 Edhe kur nisëm udhët kurbetçore, mes shtigjesh e të ftohtit
 Edhe kur deshën të na vinin në pranga zërin e së vërtetës.

5.
 E deshëm atdheun
 Edhe kur na shkelën punën me djersën e ndershme te ballit
 Edhe kur na ligjëronin ndër tribuna si Profetë të rinj
 E zëri i Tij na shplodhte lodhjen e putrës te plisi i ugarit
 E dora gishtdridhur na gdhendëte Monumente me qirinj.

6.
 E donim atdheun
 Edhe kur kyçat mbyllën shtëpitë ku nuk hapeshin kanate
 Edhe kur sherrnaja na bëri të ngrinim grykën e pushkës
 Edhe kur premë fjongon kuqëlore për rrugën e re në male
 Edhe kur numëronim ngatërrueshëm kafshatat e bukës.

7.
 E donim Atë
 Edhe kur librin na e morën nga duart dhembshurisht
 Apo kur nënat dhe motrat na shtronin sofrën e varfër
 Mbetëm gurë të ngulur e të ushqyer nga pika e bardhë e dritës
 Semaforë që ndrijnë nga zemra jonë në gjoksin e plasur.

8.
 E donim atdheun
 Edhe kur na qëlluan pa mëshirë me pëllëmbën e dirsur
 Për të na dhënë harresën ku po na futnin relike, këngë, legjenda.
 Në duar mbanim mendueshëm fytyrën e kokën e shtypur
 E Zotit i luteshim përgjërueshëm ditëve e netëve të errta.
 9.
 E nuk duam të na quajnë Mëkatarë të kësaj Dashurie
 Po të jemi pasqyrë ku atdheun ta kemi brenda vetes
 .. E duam atdheun të bukur, kristalor, si një ëndërr rinie
 E malet e tij të na lartësojnë ditënetët e jetës.



Tupani i fjalës gërvalliane

Heroit të Kombit Jusuf Gërvalla


Emrin e ka “Kosovë” dhimba jote–uragan, o poet jetëkëputur.
 Emrin e ka “telnajë” ajo udhë me hapa të pahedhura në kohëra.
 Do të flakadonim nga mot fjalën e ashtë dhe ehon e gjoksit të bukur
 Dhe për ty do të thurnim të gjithë një qiell të ri, pa u tutur nga shqota.

Shkronjat e përgjakura u bënë male të lartë malli dhe trishtimi në tela kitare
 Qielli u bë Këmbanë që tash sa mote për ty lëshon e lëshon piskama
 Kanë hapur dyert kullat për vargun qelibar e të pathënë, bash si farë e re brazde
 E qepallat e gjumit shumë herë për ty nuk ua mbyll as dita, as muzgu, as nata..

Pemët të flasin lumnueshëm kur fëshfërijnë mbi to lule e gjethe lisash
 Nanëloket ta përcjellin ninullën e jetës, ani pse u bëtë vrik burra
 E këngët e tua të kristalojnë mbi plagët e trimave si fllad rudinash
 Lodrat ta përcjellin Mordin si dasmë ku vallja po duket si gurra.

Të ujëvarojë pikëloti i motrave dhe i nanave mbi sofrën e shtruar
 Lum toka që ta lartoi mbi Drenicë këngën dhe ëndrrën sydlirë
 Për ty do ta gjejmë lulen e fundit të truallit lirietur, gjoksstralluar
 Të ta vëmë tek mermeri i bardhë si testamenti i pavdeksisë.

Vjeshtat vjeshtojnë në Deçan e Gjakovë ku dëgjohen kaherë orteqe
 Nipërit kanë kohë që ringrejnë kulmet, oxhaqet, odat.
 Ylberofsh miku ynë në shpatet bjeshkatore, gjer në Çamërinë me ethe
 Kitarën le të ta marrin zogjtë e pëllumbat për të kënduar nëpër votra.
 E molisja mos na e breftë shkëmbin dhe djepin e djalit.
 Shkronjat e këngëve dhe abetaren e trimave kurrë mos na e shitojnë.
 Amanetet të kthehen në gjëmime tupanash a në një brazdë të ngrohtë ugari
 E në theqafjen e fundit le të bjerë zezona që frymën një ditë ta faroi.


 

Ka ikur koha e Hamletëve

 I duhej të kthente kokën i skuqur nga fjalët e miqve
 I thonin të shartohej me të keqen.
 Se kishte ikur koha e Përrallës së Qerozëve.
 Se kishte ikur Koha e Hamletëve…

Zjarret e jetës e digjnin …pa plagë
 si një shkëndijë
 që djeg edhe kashtën e fundit të mullarit.
 Ku të kërkonte ndihmë?
 Ku? Ku????
 Kur toka e shkrumbuar nuk shuhej me ujë aspak
 kur shpirti i dërrmuar
 ishte më i thatë se fija e vyshkur e barit.

I thonin të miqësohej me të keqen.
 tavolina kthehehj në tavernë bixhozi
 Rruga tjetërsohej në një këmishë të hekurt
 Hesht Hamlet! …Hesht!
 Fshihu diku pas kështjellës së Shekspirit !
 Ka ikur koha e dilemave botën për ta ndrequr.
 I thonin se kungulli me shalqirin kishte mbushur tregun
 E nuk dihej se kush ishte i pari Mbret në tryezë.
 Ai skuqej…
Ai mërmërinte…
Fytyrëzverdhur dëgjonte, dëgjonte 

Qielli i kaltër në çast nxirosej e bëhej sterrë



Drita jote magjike 


Drita e syve të tu më bëri të dridhem si zog i lagur
 Një shi dashurie më kishte njomur nga këmba deri te floku
 Në gushëbardhën pastërtore si zot shtëpie agimi kishte ardhur
 E në vazon e zemrave tona kishte mbirë një filiz borziloku.

Dora jotë trokiti pa kanata gëzueshëm si ninullë gëzimi
 Në një ujëvarë buzëqeshjesh u lamë të dy krahëpërqafuar
 Po kush, kush e ka shpikur, mike, këtë udhë mërgimi?
 Kush i sjell çdo mbrëmje dhimbshëm këta hapa të vetmuar????

Jo, joo, nuk donim as unë e as ti pëllumba postjerë me vete.
 Nuk kishim nevojë të përcillnim letrat qiellore mes kaltërsie
 Ne ishim larg… sa sytë ktheheshin në dy male dhe dete
 E duart kryqëzoheshin me besë të florinjtë dashurie.
 O dritë magjike që vrave natën!

1 Kommentar:

  1. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish-dashnorin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa trup që të qëndronte pranë meje dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë të caktuar ta takova këtë magjistari i fuqishëm Dr Ediomo, pasi i tregoi atij për situatën time, ai bëri gjithçka që ishte e mundur për të parë që i dashuri im të kthehej tek unë, në të vërtetë pasi bëri magji, ish i dashuri im u kthye tek unë më pak se 48 orë, erdhi ish i dashuri im kthehu duke më lutur se nuk do të më lërë më kurrë, 3 muaj më vonë u fejuam dhe u martuam, nëse edhe ju jeni duke pasur të njëjtën situatë. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
    * magji dashurie
    * nëse doni që ish-i juaj të kthehet
    * Ndaloni divorcin
    *thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtjeje
    *infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
    Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
    faleminderit shumë zotëri që më ktheve tek unë ish-dashnorin tim, emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefononi/whatsapp:+2349132180420
    +2348155926512

    AntwortenLöschen