Samstag, 3. November 2012

Kolec Traboini: GJAK BLU


GJAK BLU

lirikë thirrore për thyerjen e pasqyrave

Ka dekada që rri përballë një pasqyre
sa xhami ka nisur të shfaq rrudha plakje
borëzohet fryma ime mbi qelqin e ftohtë
përditë e më shumë drita e shkëlqimi i lbyren
nën shtresëzat e argjenda pas së cilës fshihet hija jote.

I rrokëzoj fjalët si prush nën hirin e vatrës:
më fal një buzëqeshje, të lutem, në këtë pasqyrë
ku vetja më duket një kështjellare idiote
kështjellare që përpiqet me vështrim
t’i rrëmbejë qiellit yllin e galaktikës gjinore
një yll që kurrë nuk mundi të më shfaqet.

Ti geni im i fisëm me gjak princor blu
ndarë përgjysëm, i farëzuar në pesë kontinente
në pasqyrën time asnjë shpresë nuk kam të shoh
tashmë nën velaturën gri të një ëndrre të moçme
shqyer prej këngës së këndezave londinezë, magjikë
që zbojnë frikën e vet e hijet e natës
përtej agut e pragut e makthit të sotëm.

Pse hesht, pse nuk shpallesh ti geni im i largët
prej një guri e një druri, prej një uji e një poç balte
me të njejtët shpërngej na lidhen kur ishim motake.
edhe miturifantazëm të ishe, tashmë do të ishin
rritur flokët
që mua m’i nxin nata kontinentale e fundnëntorit
e ty t’i lyen vjeshta me pigment oqeanik okërr.

Dil, geni im kozmik
shfaqu përtej kolonash e siparesh antike
jam këtu në këtë humbellë eskiliane me shekuj pritje
thyeje pasqyrën, të shpëtoj edhe unë prej vetvetes
më kot vërtitesh nëpër të tjerë qiej e të tjerë planete
eja, thama lotin e kaltër pikëlllues në qerpik
në nostalgji për imazhin tim tek një tjetër
kemi të dy gjak princor blu
ti je unë e unë ti që prej dymijë vjetësh!


Boston,17.2.2008

_____________
Marrë nga "Sofra poetike" në FB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen