Freitag, 9. März 2018

Buqetë me poezi nga Ajet Shala

Ajet Shala

DRITËS SIME
(Gruas)

Të gjeta në udhët e jetës si të ishe rreze agimi
U lodhëm pak, po më shumë u lumturuam
Shkuan vitet e kudo morëm dritë rrëzëllimi
E retë në qiell për ne të gjithë u larguan.

Bashkë ecëm sup më sup si shokë të mirë
Mbi dhimbjet u ngritëm e i hodhëm në hon
Dhe në Alpet e Bardhë prekëm majën e paarrirë
Në tokën e Kosovës urimet pa fund i shtojmë.

Përkundëm djemtë e thurëm në djepe urime
Mbollëm vreshtat e reja për verën e ëmbël
Bashkë ecim për të prekur të tjera brigje
Me lahutën e gjyshit ia ngritëm jetës këngën.

Oo, mos thuaj u lodha, mooos, kurrë mos thuaj!
Nesër do të dalë sërish një diell i ri në maja.
Djemve ia deshëm plisin e për të ëndërruam
Për ta do të jemi krushqit e parë në dasma.

Giubiasco 29.062016



GRUAS 

Dhe sot si atëherë po më ngjan mikja si flutur 
Në vajzërinë tënde flinin fëmiojet te jastëku i bardhë 
Retë e qiellit nuk na e fshehën dot diellin e purpur 
Shtigjet e trollit na bënë si lisi me pjergullën në mal.

Dhimbja shpesh na vuri në provë si në gara kalorësie 
Si hekuri i skuqur që rrihet nga krahët me muskuj të kovaçit. 
Heshtëm e folëm me një kod të njohur shqiptarie 
Dhe prapë mbetem të dashuruarët e parë të livadhit. 

Kështu qenka jeta, o fisnikja më e mirë e bjeshkës 
Si avulli i ujit në luginë që ngrihet si re drejt qiellit 
Dhe ne e patëm qiellin tonë në botën e egër 
Krahët tanë u bënë dhe në dimër harqe ylberi.



NËNË FATË 

Shkuan ditë e shkuan vite 
Rrodhën plot mbi dy dekada
Po gjithmonë në zemrën time 
Po qëndron nënë Fata.

Nëna është rrezja e jeta
E çdo gjë që ne kujtojmë
Eshtë vetë e vërteta
Është një diell që rrezon.

Kudo nënë ju thërrasim 
Kur kemi çdo ditë nevojë
Dhe kur marrim plagë
Juve ju kërkojmë.

Ndrin ky emër Fatime
Midis lulesh i mund dimra
Më këndove për atdhe
Në kët tokë ku unë linda.

Kur e mora rrugën e gjatë
Për të shkuar në gurbet
Nusen amanet ta lashë
Të ma ruaje si të shtrenjtë.

Më kujtohet si sot çasti 
Ende pa hyrë në shtëpi
“ Ooo, lum nana erdhi djali
Erdh Ajeti , biri im!

Të hutuar të gjithë mbetëm
Si e gjeti nëna vallë?
Ka dëgjuar veç me zemër 
Është vërtet një nënë e rrallë.

Dritë e diell i ditëve të mia
Ti ishe dhe mbete vetë ..Perëndia.




FJALËT E NJË NËNE  
(Nënës së dëshmorit Sejdi Kralani,
 Hyrije Krelani)

Tek maja e Kokilit Sejdiu im shkroi faqe beteje 
Atje dua të përkëdhel të gjithë gurët me mallin që zjarrmon 
Zemra me thyhet në copa, por si një kristal mes bjeshke 
E krenarinë e nënës në gjoksin që e rrita më gufon.

Po kalon koha e kujtimet e freskëta për të i kam 
Si llavë vullkani po ndizet trupi ditëve që jetoj 
Më rrëshqite nga dora sikur thyhet një xham. 
Ëndrrat e trishta tek ty më sjellin gjithmonë.

Ulem mbi ato shkrepa me ty, or bir, ngrohtë bisedoj 
Kujtoj atë ditë kur ndërrove dy krenaren e një plis bore 
Ndihem krenare me ty dhe me trimat në Kosovë 
Të përhershëm në betejë ke vëlla Ganiun për dore.

Fundi i prillit të kuq të solli bozhure mbi gurë e varre 
Atu ku derdhe gjakun lulet s’kanë për t’u tharë 
Vesa e mëngjesit pranë lumit të freskon petalet 
Më lotin e zemrës Nënëlokja ka për t’i larë.



NËNAVE QË PRESIN ESHTRAT E BIJVE 

Stuhia e Karpateve 
Thau rrënjë lulesh mes shkëmbinjve 
Në kopështin e shpirtit patën damarë 
Në shpellat e hienave bashkë i futën zgafellave 
Që në pranvera të mos lëshojnë nektarë.

Fëmijët e nënave Dardane vallë ku kanë mbetur 
Ato i kërkojnë gjithkund me gjoksin e tharë 
Eshtrat e tyre duan një ditë për t’i prekur
E me lotin e zemrës së djegur për t’i larë.

Së bashku me nënat, qajnë dhe pranverat 
Për pragjet e thara dhe ditën e zisë 
Ditëve ju mungon dielli e netëve hëna
Lotë plage ju rrjedh nga syri në ditët e lirisë.


                
LOTËT E NËNAVE JANË PLAGËT E ZEMRËS!
( Elegji për të pa gjeturit e luftës )

Rreth zjarreve të Marsit 
Digjen vitët e mërzisë 
Shpirtërat e të zhdukurve 
Bëhen yjë në qiellin me dritë.

Shtigjet ju ndriçojnë 
Nënave me petkun e zisë 
Ata u bënë engjëj të bardhë 
Për altarin e lirisë.

Cila ishte udha me mistere 
E enigma të hënës së drapëruar? 
Që së bashku tok ju zhdukën 
Në rrugën e pambaruar?

Apo fshiheni diku, ndër pragje, 
Brazda dhe ugare??? 
Ku zemrat mbajnë plagë 
Të lagura me lotin e nënave shqiptare.

E eshtrat e bijve kërkojnë 
T’i varrosin vit pas viti  
Nga vaji për të zhdukurit, 
Nuk dëgjohet më bilbili.

Pranverat dalin pa lule, 
Retë nuk sjellin më shi 
Derdhet lot nga sy jetimi, 
Dhimbjet digjen si qiri.

Nënaloket e mira dojnë 
Që eshtrat të prehen në varr 
Dy fjalë tu flasin bijve, 
Para vdekjes tua bëjnë hallall.

Si flokun një ditë, 
T’ua përkedhelin dheun për mbi 
Mbi mermer lavdie 
Të venë kurorë e të ndezin një qiri.



O NËNAT E MIRA DHE MOTRAT SHQIPTARE 
(Poemë)

Ngado që vini e në çdo vend ku shkoni 
Ju zbukuroni jetën, o Loket tona fisnike 
Qoftë në brigje me shkurre a ku rrjedh kroi 
Qoftë mes bjeshkëve a mes një kodrine.

Nga qytete tona apo nga fshatrat e largët 
Edhe atje në thepat e mprehta të malësisë 
O nënat tona më të mira në botën me halle 
Jeni mbretëreshat më të mbara të njerëzisë.

Me ju e ruajtëm kulturën dhe nderin 
Me ju zgjuam traditën e vjetër me besë 
Ju nuk u lodhët në shekujt që rrodhën 
Sakrifikuat e u kalitët për punë dhe nder.

Si yjet në qiellin e lartë ende ndriçoni 
Jeni nur i shtrenjtë i bukurisë hyjnore 
Fjala juaj është si mjalti në hoje 
Kur rrëfeni me plot ëmbëlsi prindërore.

E hodhët farën me duar të rreshkëta 
Nëpër brazda ndër ugare plot me vija 
E nga grunajat e verdha shtigjeve me ferra 
Me fjalën tuaj dritë heqim barërat e këqia. 

Me ato duar të regjura të si vrraga ugari 
Të gjakosura në rrudhat që në vite u thellua 
E me barrën e fëmijës në bark si krua mali 
Në mbrëmje ju priti shtëpia e pragu i gëzuar.

Punën tonë e kuvendoni si mentare çdo herë 
Edhe gjumin s’mund ta bëni nga meraku i madh 
Nga do që shkoni e kudo që rrini në jetë 
Qoftë ndër fusha në qytete a në një park.

Ju thelluan si vija rrudhat e ballit të mençur 
E thinjat e bardha duken si mielli në sepete 
Në kokë ju shtohen për herë si borë bjeshke 
Deri sa fëmija të trokasë në mbrëmje pas dere.

E sa herë na e thyet bukën e dalë nga furra e ngrohtë 
Në sofra për të na bërë të ngopur, me shëndet 
Ngrohtësia e zemrës së mirë ditën lumturon 
Eshtë më e madhe se e diellit në qiell.

Duart tuaja për ne ishin e janë të gjata 
Si një lumë i madh që derdhet në det 
Kur nuk dilte për të gjithë ushqimi në vatra 
Ju thonit s’kemi uri e gotën e uji e pinit në heshtje.

E hapa ju ndalnin dikur te një mal 
E pret lisa të gjatë për të bër vek, drugza e shpata 
E thesin me drithë në krahëror e çuat 
Me djersën e ngrohtë në mulli e bluat mes uratash.

Hapët vada për ujitje ndër lëndina e ara 
Dhe kënetat me ujë si kreshnike të gjalla i thatë 
Si trimëresha të pathyera qëndruat në radhët e para 
Nuk ju trembi nata e errët as ngrica në acar.

Kur e shohim në arat grurin e pjekur si flori
Me kallinj të skuqur e të mbushur në shpate e brazda 
Na gëzon zemra dhe valon sikur ta godiste një stuhi 
Si valët e Detit Jon duket, si anije me vela të bardha.

Na kujton bukën e nxehtë që shtrohej në një çerep 
E mbulohej ngadalë në hirin e nxehtë të zjarrit 
Edhe sot më vjen t’i puth si fëmijë ato duar të arta 
Që hidhnin farën në arë a tundnin djepin me lule behari.

Ju ecët në jetë bashkë me burrat që ishin dhe si shokë
U bëtë zgaleme të pathyera me ta në një qëndresë 
Dikur me fëmijët e vegjël ecnit nëpër shqotë 
E në marshime mbanit dhe rrobat e lagura në një thes.

Bëtë rrugët gjarpërore në shi e në dëborë
Mes dhimbjes u larguat prej shtëpive nga barbaria mizore
Treguat trmëri kur digjej kulla me flakë e barot 
E atdheut i kanosej egërsisht rreziku në troje.

E ju u vutë përballë bajlozëve karpatianë
Që përherë kanë patur për këtë komb farë të keqe 
Nëpër llogore lufte, në stinë e mote të egër e tinzarë 
Lindët fëmijët ushtarë për beteja dhe në hëndeçe.

E nën kërcënimin e tytës së armës e tehut të jataganit 
Ju na mësuat gjuhën më të ëmbël që ka kjo botë ku frymon 
E këshillën na e dhatë bashkë me bukën dhe uratën 
E këngën në djep na e kënduat deri vonë.

Na mbajtët dhe këshilluat mirë 
Si ta bënim hapin tonë të parë të bardhë 
E djepat tanë me flamur i ruajtët 
Me kujdës dhe fanatizëm të rrallë.

Jan ninulla të shenjta që duhen ruajtur si relike 
Janë si një thesar me vlerë i trashëgimisë 
Jan dyshek me shqiponjë ku u përkundëm në vite 
Janë trimat e mëdhenj që ranë në altarin e lirisë.

Jan dëshmi e lashtësisë e kulturës në tokën tonë 
Të shtrenjtët iliro Pellazgjikët e Mbretit Pirro flamurtar 
Jan djepa të larë në gjak ku martirët kanë patur mallin gjihmonë 
Janë ata burra që u përkundën me betimin e me plisat e bardhë.

Ishte Nëna Zahide që fali djersën, vuajtjet, mundimet 
Gjakun dhe bijtë e vet ja fali atdheut me durim 
I ushqeu me qumështin e shqiptarit netëve ditëve 
I mësoi si të vdisnin Besa-Besë për bashkim.

Ademi e Hamzë Jashari bëjnë luftë si dy TITANË 
Me hordhitë serbo çetnike në Prekaz
Kënduan në frëngjitë e kullës këngën më të lashtë 
Ranë si trimat edhe kur topat breshërijnë.

Nënat tona janë në krye të vëndit në kuvende 
Lindën heroinat në dritën e diellit e të hënës 
Shota Galica me plisin si borë mbetet e përjetshme 
Në bjeshkët e Kelmendit ku jeta të duket ëndërr.

Me tirqe gala e gjerdanin me plumba në radhë 
Revole në brez hutën mbante në krahëror 
Trime e maleve me plis e me gërshetë të gjatë 
Naçallnikut ia bëri gjamën atë ditë në shtator.

Ju ndër luftëra jeni rritur me furka në dorë 
I bëtë rrobat e lirisë për ushtarë dhe fëmijë 
Bukë kripë e zemër për mikun shtruat sofrat plot 
Të pathyera si kreshnike plumb e zjarr e shkritë.

A s`ishit ju me thinja si majë e bjeshkëve borëruar 
Që akoma gjerdanet më plumba mbanit në brez 
Në ditën e Pavarësisë ishti aty me urimin e bekuar 
E na prqafuat me gëzimin që kurrë s’humbet.

A s`ishit ju që e bëtë Marigonën e shenjtë 
Për ta qëndisur flamurin e kuq të Shqipërisë 
Që së bashku festuat ngadhnjimin për jetë 
Mbi okupatorët në ditën e parë të pavarësisë.

Në Kosovë kur ra stuhia si feniks në shkretëtirë 
Që nga larg mbërrini Xheva vetë Liria 
U ndez zjarri, u dogj guri si rrufe pushka kërciti 
Dhe pse vatrës i mungonte buka e ngrohtësia.

Lufton Fehmiu krah për krah edhe Xheva 
Të pandashëm si kreshnikë, shqiponja me dy krena. 
Është e jona Dardania, amanetet përcilen në breza 
Askush në këtë tokë nuk na shkul rrënjë e dega.

Në Arbëri vazhdon tradita e motrave martire 
Krah për krah luftuan më djalërinë 
Nga Gradica po vjen si syshqiponjë Qyqavice, 
Zbret çlirimtarja Antigona Fazliu si heroinë.

Shkon në Prekaz kur nga lufta në kullë digjej guri 
Në nëntor bashkohet me trimat e UÇK-es në ballë 
E puth dhe e ngrit me duar atë shtizë flamuri 
Dhe betohet se edhe jetën e re do ta falë .

Në pranverën e kuqe vërsulet si luaneshë mbi bajlozë 
Për ushtarën e lirisë filloi të hapet përjetësia 
Tokën thatake të Vërbocit e lau me gjakun që vlon 
Në tokën e Kosvës nis të zbardhë liria.

O Nënat të mira dhe motrat shqiptare 
Brez pas brezi ishin dhe mbetët në ballë të kuvendit 
Varrin në dasëm ju bën pashallarët Siç ishte dikur 
Nora heroina e paharruar e Kelmendit.

Po vjen një piskamë nga Malësia e Madhe 
Mbërrin një tjetër zanë mali, një shtojzovalle 
Tringa e Smajlës zbret nga Gruda si sorkadhe 
E pret shkjaun me jatagan e flakë i del nga huta fitimtare.

E vihen në radhë bijat e shenjta të trojeve arbërore 
Është zemra e madhe që në gjithë botën ka kudo bij 
Nënë Tereza e madhja humanitare, ajo nënë engjëllore 
Nobeliste në sherbim të bamirësisë mbeti në përjetësi .

Ajo mbeti si engjëll i bardhë që rezaton dhe fluturon 
I sillet globit mbarë kudo e ndihmon njërëzinë 
Me krenari sot ditën e lavdisë së saj e kujtojmë 
Se ajo ishte dhe mbeti Ikonë e ARBËRISË.

Të gjithë t’i japim vlerën nënave të mira shqiptare 
Të flasim për djersën, sakrificën dashurinë, 
Nuk ka ngjyrë lapsi, s’ka as letër e shkronja të një fjale 
Që rrugën e saj ta gdhendë saktësisht.

Të tregojnë bujarinë hyjnore që kanë nënat në shpirt 
Se pa to s’do kishim as hapa, as jetë e as shtet as glob 
Nënat janë mjalti, drita dhe oksigjen i njerëzisë 
Janë mbretëresha të gjithësisë që nuk kanë nevojë për kurorë.

Giubiasco.CH


LOTËT E NËNAVE JANË PLAGËT E ZEMRËS!
( Elegji për të pa gjeturit e luftës )

Rreth zjarreve të Marsit 
Digjen vitët e mërzisë 
Shpirtërat e të zhdukurve 
Bëhen yjë në qiellin me dritë.

Shtigjet ju ndriçojnë 
Nënave me petkun e zisë 
Ata u bënë engjëj të bardhë 
Për altarin e lirisë.

Cila ishte udha me mistere 
E enigma të hënës së drapëruar? 
Që së bashku tok ju zhdukën 
Në rrugën e pambaruar?

Apo fshiheni diku, ndër pragje, 
Brazda dhe ugare??? 
Ku zemrat mbajnë plagë 
Të lagura me lotin e nënave shqiptare.

E eshtrat e bijve kërkojnë 
T’i varrosin vit pas viti 
Nga vaji për të zhdukurit, 
Nuk dëgjohet më bilbili.

Pranverat dalin pa lule, 
Retë nuk sjellin më shi 
Derdhet lot nga sy jetimi, 
Dhimbjet digjen si qiri.

Nënaloket e mira dojnë 
Që eshtrat të prehen në varr 
Dy fjalë tu flasin bijve, 
Para vdekjes tua bëjnë hallall.

Si flokun një ditë, 
T’ua përkedhelin dheun për mbi 
Mbi mermer lavdie 
Të venë kurorë e të ndezin një qiri.



VENDTAKIMET E NËNAVE

Nënat dardane takohen përherë në të njëjtin vend 
E i shkëmbejnë dhimbjet e plagëve të zemrës 
Të dashurve ua lajnë lulet me lotin e tharë që nuk resht 
I bashkojnë bijtë dhe bijat nën pllakën e mungesës.

Drita e qirinjëve bashkohet me atë të hënës 
Nga shkrirja janë krijuar figura të mërzisë 
Aty numërohen kujtimët me ninullat e nënës 
Me buzët e zhuritura puthin portretet e lirisë.



NËNAVE QË PRESIN ESHTRAT E BIJVE 

Stuhia e Karpateve 
Thau rrënjë lulesh mes shkëmbinjve 
Në kopështin e shpirtit patën damarë 
Në shpellat e hienave bashkë i futën zgafellave 
Që në pranvera të mos lëshojnë nektarë.

Fëmijët e nënave Dardane vallë ku kanë mbetur 
Ato i kërkojnë gjithkund me gjoksin e tharë 
Eshtrat e tyre duan një ditë për t’i prekur
E me lotin e zemrës së djegur për t’i larë.

Së bashku me nënat, qajnë dhe pranverat 
Për pragjet e thara dhe ditën e zisë 
Ditëve ju mungon dielli e netëve hëna
Lotë plage ju rrjedh nga syri në ditët e lirisë.

Donnerstag, 1. März 2018

Gjashtë poezi nga Agim Gashi

Agim Gashi

Rrugëtim

Mëngjeseve
Ëndrrat m'i shqyejnë qentë
Në mesditë
Kolla e vetmisë
Zogjtë mi trembë
Mbrëmjeve
Kotësia e ditës
Më mbetet në fyt



Fantazmat

S'është gjë zotëri
asgjë s'është 
të çmendur jemi
mos na ngitni
S'është gjë zotëri 
asgjë s'është 
nga varri vijmë
drejt nga varri
S'është gjë zotëri
asgjë s'është 
ku dinë fantazmat
ç'është vatani

Vlorë, '97



Hiç

Asgjë nuk shohim
Po aq ndjejmë
Të verbër jemi prej kohësh
Me shpresë
Të huazuar moteve
Mashtrohemi si mos më keq
E sotmja si ndahet te djeshmes 
E nesërmja pret në muze



Moti në litar

S'ka kohë
Që hyn në kohë
E s'bëhet vrer
Tash ky që jam
S'jam unë
S'e dua shkëlqimin vrasës 
Të metropoleve
I dua këpucët e grisura
Të Kosovës
Dhe një sy gjumë
S'ka kohë
Që hyn në kohë
E s'bëhet vrer
Tash ky që jam
S'jam unë

Gjermani '98



Ajo

Kamerieri më peshon me shikim
Unë paguaj kafenë
Të ëmbël pelin
Athua
Si është sonte Ajo
Mos mu largo
Pikëllim
Sa vite
Hoqe
Ndarjes t'i gjesh shteg
Sa vite
Vetës ia vodhe gjumin
Jetën ta gënjesh
Sa vite
Dashurinë do ta bartesh
Në arkëmort
Mashtrimin tënd ta kuptosh
Mëngjeseve
Ëndrrat m'i shqyejnë qentë
Në mesditë
Kolla e vetmisë
Zogjtë mi trembë
Mbrëmjeve
Kotësia e ditës
Më mbetet në fyt




Bijës sime

Zogu i babushit
Sydielli im
Gjithmonë ëmbël të flesh
Sa herë të fluturosh
E sa herë të biesh
Në pëllëmbë të dorës
Do të më gjesh

Dienstag, 20. Februar 2018

Buqetë me poezi nga Gonxhe Letmi Begisholli


Gonxhe Letmi Begisholli

BUKURITË E ASAJ ANE

Bukuritë e asaj ane
më shfaqen kudo
me ato jetoj çdo ditë
në tisin e syve
ruaj freskinë

Për atë lum
për atë liqe
shpesh lotët më rrjedhin rrëke

për fusha e për male
mbolla kujtime prore

në atë tokë arbërore
ku mbjella fëmijërinë
lojën e rinisë

Unë bijë e asaj ane
tash mërgimtare më thonë…



LUTEM PËR TY KOSOVË

Kosovë
Për ty qava të djeshmen
Në pritje të sotmes
Me lutje për të nesërmen
Mos harro Kosovë
me ty kam dënesë dje
me ty jetësohem sot
deri sa rrahja e fundit tingëllon
në sofrën Dardane tok…
në çdo përvjetor të pavarësisë
thellohem në histori
me shpirt lutem për ty
Kosovë vendi im
ëndërr e pambarim
Kosova ime
marshove shtigjeve t’ përgjakura
me vaj e ankth
me këngë e buzëqeshje
me Abetaren e jetes
Kosovë lutem për ty
deri sa shuhet (fiket) dritë në sy.



LUTJA IME

U luta sot
për mua për ty
për gjithë të dashuruarit
t'na ledhatojë mirësia.

Dashuria le të lulëzojë
po si lulja e beharit
të rritet mes erës 
së trëndafilave të kuq
kjo stinë e bukur
t'na dhurojë lumturi
në pafundësi
për mua për ty
për gjithë të dashuruarit...

Të mishërohesh në dashuri
s'është gjë e lehtë
të frymosh ç'do hapërim

aromën për jetë!




DITËT E JAVËS

(poezi për fëmijë)

Java numëron
shtatë ditë me radhë
çdo njëra daton
emër ndryshe kanë.

Janë shoqe të mira
vallëzojnë rreth pandarë
sa janë të dëlira
sa kanë edhe të ngjarë.

E hëna prin vallen
e Marta ndjek pas
e Mërkura sorollatet
e Enjtja vjen në gaz...

E Premtja na gëzon
e Shtuna buzëqesh
e Djela shpejt kalon
java bëhet përshesh.




IKJE PAKUFI

Ika unë,ike edhe ti
ata ende dëshirojnë të ikin
rradha prek në rrënjë
Mollën e kuqe...

Trolli rrënqethet
pa njohje motesh
pa barometër...
hapat ku të ndalen
në "ëndrrën e bardhë"!

Shtegtim mes vijave të kuqe
me valën e lumit prej "fatit"
drithërimë këmbësh
mbi dhembjen(që rëndon)
vuajtja mbi samar
shpirti peshon
sytë s'kanë më as lot

Atdheu përpëlitet
me "gripin e ri "
drejt europës...!?

Fëmijët i humbën lodrat
Abetaren lënë në klasë
shkronjat shkruajnë nëpër duar
Kosovë e dashur të duam!

Shpirtërat prehen me lot
buzëqeshje e dhembshme
si prarimi i Diellit
apo zbehja e yjeve në ikje
ikje pakufi....

Fati i popullit tim
gjithmonë mbetet jetim
ikje në pakthim....!

17.01.2015




PAVDEKESI

(Jusufit,Kadriut e Bardhoshit)

Veprat tuaja ndezën shandanë
Lajmëtarë të lirisë
Në rrjet merimange
Flijim i pavdekësisë...

Poet në vargje përsiatje
Zë bilbili në tel kitare
Ja zogu lajmëtar
Folenë ka në kalanë e diturisë
Me kodin e gjakut gazetar
Këngë në altar...

E sot, po sot
Dhe çdo përvjetor janari
Kujton kënga
Ligjëron kanjushë shqiponje
Pa tel...medet pa tel në kitarë
Loti në syrin e vrarë...

Të fala nga vatra e Dibrës së Madhe
Nipër Kastrioti
Për Lokemadhen
Lidhë besë Zoti
Prej moti....

Amanetin tuaj
Ngjyrosën retë
Me pushkë e pendë
Lindje flijim i qetë

Ju jeni stolisë
Me kurorë pavdekësie

Nga Antologjia "TRINOMI I LIRISE",poezi e cila u shperblye me vendin e tretë ne promovimin e kësaj Antologjie ne Koblenz të Gjermanisë!




NË QETËSI

Mundohu të jeshë qetë
kur shpirti trazohet si tajfun
lëvizjet e trupit mos i përgjo
përmbahu qetë
kohë furtune është.

Pastaj shëtit oazës së jetës
aty do të gjesh prehjen
mes lulesh të bukura
rifrymon shpirti
flakërojnë kujtimet e ëmbla

të hidhurat hedhi mënjanë
apo varosi me dorën tënde
shtatë pashë nën Dhe..!

përmbahu qetë
qetësia përpin një Det.




VJESHTË
(poezi për fëmijë)

Dita zë shkurtohet
dielli më pak rrezon
një gjeth ngjyrëverdhë
niset e vallëzon.

Edhe gjethet tjera
fluturojnë të pandara
zbehur në të verdha
natyrës lara-lara.

Papritur shfaqen retë
enden nën kaltërsira
të heshtura presin gjethet
një stinë me shira.




KESHILLE

Toka sillet vërdallë
bota bëre përallë

Fati vëzhgon
herë ikën herë ofron
mëton tutje mëton

Të bukurën shijo
jetën jeto
imun me ziliqarë
besnik premtimit fjalë

Jeto pa hezitime
pa tejngjyrime
vazhdo jetën me leçe
në pikë- pjekje




TË JESH POET

Të jesh poet
ke durimin e detit
tik-taket,portë që troket
natën bëhesh yll
ditën ylber
pendën testament.

Poeti është lis stoik
muza rigon pikë-pikë
për natë e për ditë
shpirt poeti....
ka thellësi deti!



AROME HORIZONTESH
-Nënë Terezës-

Gonxhe aromë horizontesh
dell gjeni i gjakut tim
qëndise arbërinë
pë re qiellore mirësinë

e mira zemërmadhe
madhorja zemërbardhë
varfërisë dashuri i fale
vogëlushët puthe në ballë

zemër vigane
aromë horizontesh
motër engjëllore
nënë e mbarëbotës

n´epokat shekullore



FRESKI LIQENI

Buzë liqenit ëndrrueshëm qendroj,
valët dalldisur më tretin larg 
në rrathë harkore njerzit vështroj
malet e larta hije rrijnë në prag.

Zogjtë fluturojnë me lazdrime mbi ujë
herë lajnë sqepin, herë etjen shuajnë !?
vejnë e ikin, togje togje formulë
po kujtimet e ia nga vëjnë … !?

Befas një zog ra mbi t‘imin sup
a s’më foli shqip, më pyeti kush je?
Zëdridhur, përmallshëm seç kam lut
mos m’zgjebos dhembjen e mërgimit, 
në vendlindje të qetë më le…!

Bukuri magjepse, freski buzë liqeni
prajshëm del ofshama për vendin tim
hija e lisit, prehje shpirti e gjeni

ku treten vitet, grimos në mërgim!


Dienstag, 13. Februar 2018

Alketa Maksuti Beqari: NESËR DUA DASHURI

Alketa Maksuti Beqari

NESËR DUA DASHURI

Nesër do të ndjehem e paturpshme
Se ty të përkas, e dashuri do bëj me ty,
Sa herë të dua, aq sa puthjet të zjarrmojnë
Buzët e mia.

Ndër deje, gjaku erotik ngreh dallgëzimin
e ndër mure të tyre përplaset vrullshëm, i zgjeron.
Ah, ky gjak, gjak erotik, shpërrthen venat e mia,
i nxehtë, përvëlon.

Ky është njeriu, gjak erotik.
Me tul mbështjellë fijëzat e holla, e tuli nën lëkurë
lëkundjet, dallgëzimet, rrjedhën e përshpejtuar
ndjen.

Ky është njeriu, gjak erotik.
Që trupin e turpshëm, zbulon e lë në liri
e me flladin e flakëzuar nga zjarri mbulohet,
ethshëm.

Ah, ky gjak, gjak erotik, zgjon e çon shpirtin
Tim të lartësohet. E unë paturpshëm nesër
do të zgjoj herët, sa dita të lind që ta lindim 
Dashurinë. 

13 shkurt 2018