Freitag, 14. Juni 2019

Alketa Maksuti Beqari: LUTJA E NATËS

Alketa Maksuti Beqari

LUTJA E NATËS

Mbylli sytë dhe shko,
Shko në thellësi të shpirtit,
Atje në thellësi rri, derisa të kuptosh,
Çfarë do dhe ndiq rrugën,
Rrugën që të çon në një dritë,
Një dritë, dy, tre, mijëra, miiona, miliarda të tilla, drita,
Dritat që fatin e ndriçojnë.

Puthiti duart, mbylli sytë,
Shko në thellësi të shpirtit, udhëto,
Ndiq udhën ku drita lind e artë, e përndizet flakëruese,
Udhëton dhe ti me të.

Atje ku drita merr ngjyrë të zjarrtë,
Ndalu, pusho.
Të ndjesh,të ndjesh në fije nervash fuqinë
E dritës, të të parës, të dytës, së tretës.......
Të të miliardës dritë, fuqinë e marr nga to,
Se aty ku ti pushon tani, ndalur je,
Preki dritat me neuronet, miliardat e neuroneve të tua.

Në Lutjen e natës,
Me duar puthitur, sy të mbyllur
Shko, shko në thellësi të shpirtit,
Çfarë do në dritë të kthehet.

Udhëto, ndjej, prek Shpirtin e Dritës.

Mittwoch, 29. Mai 2019

Dy poezi nga Bajram Sefaj

Bajram Sefaj

UDHA E FUNDME

shalojeni
atin dori
të nisëm dua
të arrij
atje
në kodrinën
mbi katund
ku eshtrat e të gjithë
të parëve të mi
prehen në paqe
në qetësi

(Prishtinë, shtator 2006)



PA FJALË

s’ka
as lamtumirë
as
mirupafshim
nuk do të vi
ne mbrëmje sonte
as
në mëngjes nesër
nuk do të kthehem
as....

(Prishtinë, tetor 2006)

Montag, 25. März 2019

Arif Molliqi: ELEGJIA E DHIMBJES

Prof. mr. Niman Alimusaj

Arif MOLLIQI

ELEGJIA E DHIMBJES

(In Memoria Prof. Nimon Alimusaj, mësuesit tim)

Kur Ti ece nëpër damarët e gjakut 
Koha tinës n´kurth të vuri 
Në udhëtimin e moskthimit

Në secilin vend ke lënë gjurmë 
Nga shikim i yt u trembën hijet e zeza
E fjala jote tingëllonte vetëm shqip...

N´dashuri për Alpeve Shqiptare 
Të japim shpirt na the
Se bukurisë nuk i duhen lutjet

Sonte me ra ndërmend,
Për udhën e gjatë përmbi Maje Mali
Që t´ka lodhë e t´ka k´putë malli

Po ç´është kjo rrapëllimë 
në mallin tënd për Gurin e Nusës
Që merr frymë në pranverën time

( Mësuesi im; nga maja e Strallit të thirra
Pjekjen ta bëjmë të Gurrat e Bardha
Nuk po më provojnë këmbët, me the
Për herë të parë nuk me dole në fjalë
Nuk e di shikimi nga Kosova të vonoj
Apo lahutarët më këngët kreshnike)

Sonte më kot të kërkova në ligjërim
Kishe dalë n´qafë të Strellcit
Heshtjen ta trazosh n´këtë çmenduri...

Sonntag, 17. März 2019

Sadik Krasniqi: ECJE MBI GJETHE

Sadik Krasniqi

ECJE MBI GJETHE

Që ata mos të zgjohen
priten të më zënë në udhë
e të më pyesin me gjuhën e dheut
ku shkon ti në këtë muzg 
pranë amshimit tonë të zi

hapat e mi heshtin nga gjethet e rëna 
që kanë lotuar shi vere
si sytë e blertë e të zi

unë kaloj pa vërejtur asgjë
veç këta gurë të mistershëm 
dhe një ylli që bie përndritshëm 
diku në një galaksi

Nidda 2016

Donnerstag, 28. Februar 2019

Hekuran Miraka: PRITJA E GRAVE...

Hekuran Miraka

Pritja e grave eshte me e gjate se nje jave

Eshte e mezipritur fundjava.
Nje flete liri-dalje rekrutesh.
Numerimi nis mbrapsht nga e hena.
E festa nis prej se premtes.

Ke hequr mjekrren tere qejf.
Je veshur me rrabat e pershtatshme te stines.
Zbret shakallet qete-qete,
Dhe pret gruan qe i perqeshet pasqyres.

Pritja e grave eshte me e gjate se java.
Nxjerr nje cigare nga paketa.
E mdez.
Tani nis numerimi mbare: nje, dy, ... pese...

E ndien dikur kercitjen e deres pas shpines.
E kthehesh ne cast murrxhik
Ajo ndjek qafetundjen e mjelmes.
Te rregullon jaken e kemishes,
Te shkund supesh,
Lag me beshtyme gishtin,
Dhe te pastron pikat e thata pas rrojes.

Ti mbyll syte si guak,
Qe hepohet atje lart ne majisken e lisit.
Pa e vrare mendjen se poshte ne gjethishte,
Ka kohe gjahtari qe pret kutullac.

Bam!
Ta ngjesh buzen mbi buze.
Ta ter beshtymen qe te dha.
Te sheh ne sy e te thote;
- U vonova shume!

Ti hap syte.
Dhe bie.
Ja, si guaku qe bie prej majes,
Duke u perplasur pas degeve bup - bup.
Pa ia degjuar gjahtarit thirrmen e gjate:
- E vravaaaaaa!

New York, shkurt 2019

Sonntag, 27. Januar 2019

Ismet Aliu: PRAPË PËR KOSOVËN

Ismet Aliu

Je bërë
Si ai Çardaku i Përrallës

Lart
Pikëllimi i Reve

Buzëqeshja e zymtë e të Rënëve
Lart

Poshtë
Vezullima e Thikave tinëzare

2
Vështirë e ke
Me gjithë këtë Mjegull...

Duhet të ecësh nëpër Tel
Me Plagë me Etje

Një Jetë e më shumë 
Të ecësh dhe të mos biesh...

3
Evropa bën sehire

Ta mbyll Syrin 
Gjuhen ta qet prapa shpine

Në Veshë 
Të pëshpëritë paturpshëm

Duaje vrasësin tënd

Ti flet me Mitet, shikon qiellin 
Zotin kërkon përtej Reve

Mundohesh të kuptosh
Nëse i Madhi po e sheh Hilenë

Dienstag, 8. Januar 2019

Alketa Maksuti Beqari: NATËN DO TA MBAJMË ZGJUAR

Alketa Maksuti Beqari

NATËN DO TA MBAJMË ZGJUAR

Ra mbrëmja, i dashur!
Jam këtu.
Në stilin klasik veshur,
Mes trëndafilash.

Ra mbrëmja, i dashur!
Koha na përket,
Jemi në kohën tonë.

E qeshur, plotë dritë
Mes qelqesh rrethuar.

Ra mbrëmja, i dashur!
Me hijeshin e gruas së dashuruar

Mbrëmja ra, i dashur!
Natën zgjuar
do ta mbajmë të dy.