Dienstag, 22. Oktober 2013

Shqipe Hasani - Psalm i Kleopatrës


Psalm i Kleopatrës
 
Të mërkuren e shenjtë do të më vënë
Në skenë si Kleopatren
Pse hyra në legjenden e kurorës
Pse lava sytë ëndrrat që i pash
Pse putha pa mëshirë diellin e dashurisë
Të enjtën do të më këndojë si Kleopatra.
 
Aq më bënë xheloze...
Se të premten e zhvirgjërimit
Do të më zgjosh me fustan të gjakut
Do të më bësh roje nën flokun e gjatë
Do të më fshehin në shtratin e trëndafiltë
Deri sa të të dua gjithë natën
E mos të nginjem.
 
Gjithë javën tjetër qaj dhe gjykohem
Që s’të kam njohur më parë
Me shpirtin e prushtë të Cezarit
 
Dikur të bëhemi fitimtarë të vjeshtës
Të pijmë verën e dasmës
Të ringjallim betejën e dashurisë
Për vitet e ikura.

  • Kjo poezi ka marrë çmimin e parë në Takimet e Poeteshave Shqiptare, Vushtrri 2013

Hasan Kuçi - Vushtrria ime


Vushtrria ime, qyteti im

Rrugëtova mahallëve
këmbëzbathur me shtizë në dorë si vician
të zitë e ullirit hoqa
kalldrëm pas kalldrëmi
Vushtrria ime

me mikun cakërrova gotën e haresë
një tjetër me kujtime mbusha
e në tymin e duhanit
i shkrova te dashurës
Vushtrri
kafeneja ime

trëndafila të vyshkur
e lecka bleva
lahutë të vjetër në pazar
anës lava djersën e lotin e pluhrosur
Vushtrri
hamami im

nën hije plepi
silnica nuk më lagu më
e as shi i purpurt në harkun e skajshëm
i mesmi dashuri e parë
nëntë harqe
më shumë shekuj
urë e gurit e ime

mur i lartë
sa malli për shetitoren
për vëllanë
që nuk shëtis më
nëpër portën tënde
i huaj dot nuk hyri
afër gurit
shpirti i gjyshit fle rehat
e i imi shumë të ka mall
Vushtrri kalaja ime
qyteti im.

Dienstag, 23. Juli 2013

Agim Gashi: Jeta mban emrin tënd


JETA MBAN EMRIN TËND
(Njeriut që ka dhuruar mëlçinë e Tij)

Akoma jetoj me frikën,
Dhe bisedoj me ty
Vëlla a motër ishe nuk e di.


Ne mua jeton edhe ti
Bashkë me endrrat dhe shpresën
Për të ardhmën

Ti Jetën deshe
Më shumë nga të gjithë
E dashurisë i dhe shpirt

Jeton në frymen time
Në këngët që po lindin

Jeton në Formulën e Dhembjës
Në Planetin e Dashurisë

Jeta e mban emrin tënd
Bashkë me lutjen për të nesërmen


Düren, 30.06.2013


___________________
Agim Gashi është njeriu i befasive. Sukseset e tij si kënëtar dhe rapsod tashmë i din të gjithe, por ai kësaj radhe na befason edhe me latimin e vargut poetik. E gjeta rastësisht ne FB të publikuar këte poezi dhe ajo flet vetë. Unë vendosa që ta publikoj, në mënyre që ta lexoni edhe ju dhe të bindeni se Agimi nuk është vetëm këngëtar, por ai ka edhe shpirt poeti dhe u jep jetë vargjeve! /Haxhi Muhaxheri/  

Freitag, 19. Juli 2013

Një poezi nga Irena Gjoni

 
Irena Gjoni

KOHË TEK SHTYLLAT E HERAKLIUT
(Shkeputur nga libri “Tatuazh ne shpirt te detit”)

Më në fund...
Më në fund mbërrita
tek Shtyllat e Herakliut

Gdhendur në njërën
(Ndoshta prej parambërritit tim
A ndoshta prej mbërritit të parë
pas Herakliut)
deri në shpirt te shkëmbit
gati në thërrmim gjeta fjalët:
“KOHA SHËRON GJITHÇKA,
PAÇKA SE ME VONESË”

Në hutimin tim,
në të pabesë më puthi
Perëndia e Diellit

Unë riktheva të puthurën
po në të pabesë
Në gdhendje tek shtylla tjetër:
“PO NËSE S’KE MË KOHË,
MOS NDOSHTA
ME PLAGË TË PASHËRUARA
TË DUHET TË VDESËSH?”

Më në fund...
Më në fund mbërrita
Tek Shtyllat e Herakliut
Para më pak se të më dilte gjumi...


(Shtyllat e Herakliut – Toponim mitologjik që nënkupton mbërritjen në kufirin ekstrem, në fundin e botës, ku zbriste vetëm perëndia e diellit, Helios.)

Samstag, 13. Juli 2013

Kater poezi nga Rrustem Gerguri


Rrustem Gërguri
 
LIRIKË LOTI E PËRMALLIMI

RËNKIM LARGËSIE …
Sa e trishtë fjala e pathënë
Mbarsur mendimesh
Kah zemra e mbetur
Në rënkim largësie .
Flakërimë përmallimi
N`përqafimin e ndarjes
Zë fill kujtesa
Ditëve ndër stinë
Në kërkim - rrëfimin.

 
 
IKJE E HESHTUR

E heshtur,ike
Sytë nuk pikuan lotin
Vetëm zemra ndjeu therje
Qepallat hapur përcollën
Deri në skajin e rrugës
Soditën shikimin
E ikjes

I heshtur,mbeta
Në rënkim ikjen
Më gjykoi zemra
Për lotin e fshehur
Pikuar mëngjeseve
Ditëve në bredhje

Shoqërohem me pritjen
Kthimin e ikjes
Gjithnjë e pres !

 
 
R I N O R E

Sytë dhurojnë shikimin
Zemra e gatshme në rrëfim.
Duart joshin përqafimin
Puthje njomësie në shijim.

Jetës s`i dihet së shtegtuari
Ka rrugë të gjatë në hapërim.
Më lehtë përballet së ledhatuari
Në ikje stinësh, me aq përmallim.

Andaj njëherë frymohet jeta
E vetmja gjë që nuk përsëritet.
Besimin e fjalës e ruan e vërteta
Mëngjeseve prore,sa vjen e përtritet!

 
 
LARGIM I PËRJETSHËM

Kujtesë e trishtë plagësh
Vaje e lot gjakderdhur
- ngado varre Kosova ime

Gjumi edhe tash vonohet
Të m`i mbyll qepallat
Nga frika e ëndrrës
Aq trishtuese
Në çmendurinë e kohës

Frymë e këputur
Përqafimeve pa fjalë
Në fytyrën dyll të verdhë
rraskapitur, në ecje
mes ëndrrës dhe frikës.
- në ikje nga vatra e lindjes.

Sa shumë mërzitje,
se nuk u kthyen
- të dashurit tanë.

Nuk erdhën,nuk i gjetëm
- as kur i kërkuam.

Largim i përjetshëm
- nga puthja jonë!

Dy poezi nga Nehas Sopaj


Nehas SOPAJ

PRESHEVA

Vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë.
Vjeshta po braktiset. Për çudi, plepat
akoma po shushurijnë, kurse brenda
thellë në lumë, po dridhen guralecët.
Vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë.
Gjeraqinat e veshura me purpur
buzës së lumit, kanë rënë në bar. Shi
bie, bie. U ngritën sonte, lulëzueshëm
në erë, në det - lulekoralet e jeshilta.
O, vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë,
më trego për ujin e kaltër të legjendave
dhe hirit. Vajzë, lulediell i tharë.
Vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë.
Unë dua që ti të vishesh me gonxhe
dhe trumëza. Unë dua të t'kalisë
zemani i diellit dhe e pranverës.
Vajzë, histori e shiut dhe barit,
vajzë me jorgovan të vyshkur në dorë.
(1973)

 

E PO Ç'TË BËSH IDRIZ SEFERI

Para se të nisem kah vetja dhe njerëzit,
do të bie, të fle sonte, pa sytë e mi.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Më thuaj si t'ia nxjerr një fjalë Karadakut, më thuaj
si të filloj të flas me gjakun tim. Më thuaj.
Ky pyll i blertë sonte po niset
deri te zemra ime. Unë të njoh, Idriz Seferi
Të njoh. Ty dhe gjithë zemrat e skifterëve, ju njoh.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Kështu e ka ky vend me lule. Kështu e ka
kjo erë plot shi. Disa vdesin për liri, Idriz Seferi,
e disa shtrijnë duart e tyre zaptuese në botë.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Para gjashtëdhjetë vjetësh ti puthe
çdo pëllëmbë të Karadakut dhe Kosovës, Idriz Seferi.
Ti kishe vetëm një trup dhe një ëndërr
ç'të bësh, në ëndrrën tënde farkohej liria,
dhe rritej Karadaku i kuq me një diell të lulëzuar.
Dhe, një hënë prej purpuri. Ç'të bësh.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
Më trego si të flas me gjakun tim të bleruar,
dhe gurin. Më trego, Idriz Seferi, më trego.
Si të flas me heshtjen tënde të bekuar.
Në gur dhe në ujë, çelin jorgovanet,
kurse në botë lindin shumë flaka të kuqe
dhe lule të flakave. Do të këndoj sonte, Idriz Seferi,
para se të nisem kah vetja dhe njerëzit.
E po, ç'të bësh Idriz Seferi, ç'të bësh.
 

(1975)

Samstag, 29. Juni 2013

Faruk Tasholli: PANO E NGRIRË VERE


Faruk TASHOLLI

PANO E NGRIRË VERA

Triptik elegjiak për
Beqir Musliun

1. KORTEZH I PRANGUAR

Është nisur vera e nuk di të dalë kurrë
Anës së dhembjes buzë e saj e plasur
Me lulëkuqe në shuplakë purpur në ballë
Pret tjetër stinë lëng a avull bore
As hënë e plotë as rrapllimë shiu
Muzgut të trishtë mesditës së djegur
Ta prekin dot fijen e tharë të barit
Mëllenjat te lumi i ka molisur etja
Për syrin argjend të sylynjarit në diell
Ky vrushkull lirikash shpërthen ndritshëm
Atje prapa parmakëve të shpirtit prush
Vargu i vargjeve kortezh i pranguar
Si të luajë vendit si të klithë thekshëm
Me pasthirrmat që gjëmës ia tundin hijen
Larg dheu i njomur afër kupë e qiellit
Poetët keq ia shituakan fytyrën vdekjes
Me bukurinë e mëndafshtë të ecjes

2. KOPERTINË FLAKE

Më shtohen vetmitë magmë e dhembjes
Rritet thik përpjetë brenda meje
Sa Kepi i Shqipeve ngrehinë guri
Në majë të majës së Karadakut verdh
Ku ta lëshosh poshtë këmbën e drojtur
Gjymtyrë baladash ta dridhin shpirtin
Ngjyrat e dashurisë nuk futen në kornizë
Serembe është i lirë ta qëndisë mallin
Me flokun e vashës në kith detesh
Lum ai që ka lundruar i shqetësuar
Ku fundoset dielli apo humb udha
Urtia e ujit pikturon hartë harrese
Ata që shkuan për të mos u kthyer më
Nga gjoksi shkulën gurin e pikëllimit
Sa lehtë ma dridhin telin e buzës
Duart në dy faqe kopërtinë flake
Nuk ia vënë pikën fundit të dramës
Në teatrin e reprizave hemorragji
Endja e purpurit udhëtim i rëndë

3. AKUAREL ME MBRËMJE

Zhurmë e këndshme dhe vapa e trusur
Në hapësirën e Panairit të Gjilanit
Fshehtas përbirohen ata që lëndojnë
Shpirtin e virgjër prejpoleni njomak
Plot mallkim ngarkuar mbi shpinë
Mezi marrin këmbë të prekin udhën
Kalldrëmeve të ngjeshura pluhur
Fyelltarët guximshëm shkelin lodhjen
Me pikëllimin e strukur nën sqetull
Vetëm ata kanë mushkëri deti
T`i ngulfasin qyqet gjëmët e zeza
Koncerteve të buzëmbrëmjeve
Tek përmallshëm përbirojnë mallin
Ku reshin e palohen luspa purpuri
Mureve prej guri me gulshe drite

( Aachen, korrik,1996)