Donnerstag, 18. April 2013

Haxhi Morina: TRIMAVE TË GJAKOVËS

 
TRIMAVE TË GJAKOVËS
( Nga diaspora e vendi )

Këtu na ke Gjakovë
kem ardhë nga Diaspora,
se ta dëgjuam vajin largë ,
dënesjen dhe ofshamën e shpirtit,oj Nënë!

Dhe shumë shokë me vete kam marrë
për me ardhë e Zot me t ' dalë.

Kam marrë "Abejen" e Sadedinin,
Bardhylin e Ben Gaxhën
e Besë Bistazhinin ,

Besnikun nga Amerika,
djem që s 'dinin
çka është frika .


Të të themi mos ke frikë
se gji na dhe nga trupi ytë
këtu i gjetëm shokët tanë
që do vdisnin për Vatanë.

Ish Përmeti, ishte Ylli
ish Iliri e Eltoni
ish Hyseni dhe Benoni
e shum të tjerë.

Do të mbajmë në duar, Nënë
t' mos rrëzohesh
e nga dhëmbja
t' sakatohesh


Nënë e dashur, po ti ç'ke ?
të betohem n'gjakun tonë,
mos u quajt as gjak as Gjakovë
të humbur mbetshim përgjithmonë
nëse t ' lamë të biesh përdhe !

Erdhëm shpirtin të ta falim,
Nënë e dashur, tokë e vjetër,
morrëm vajzën edhe djalin
se më shumë nuk patëm tjetër !.

Fatmir Gjestila: HIJE

 
HIJE

Lëviz si hije në erë…
Kërkon diellin,
T’i falë një teshtitje – kënaqësi e çastit,
Dhimbje e së nesërmes.

Apshuuuu!

Kënaqësi e hedhur tej
Nga harku i një sekonde…

Apshuuuu!

E…
Dielli në punë të vet,
Ai në punë të vet,
Rrugëve të hallakatura të kryeqytetit,
I papunë.

Apshuuu!

Ende lëviz si hije.

Shqiptar Oseku: ULKONJA

 
ULKONJA

na mori lumi

s'e mposht dot ujin
rashë copë nuk shkon

lypet bishëri
më rëndojnë këlyshët

na mori lumi

t'i lëshoj
këlyshët e mi

vdesin

të bie me ta

i mbroj nga rënia
thehem nën ta

na mori lumi

po bie me ta
po bie me këlyshët

rashë
rënie e lirë

u bëftë mirë

Donnerstag, 4. April 2013

Adem Gashi: QYSH M’DEHU ERA E PRANVERTË

 
QYSH M’DEHU ERA E PRANVERTË

Ajkunshëm m’zuni çasti i lig
i prendimit të t’gjallit
e pashë qysh m’bishin fjalët e mishta
kofin mbas t’vjelni mbetë
sall asht qi lëshon tingull vaji
për njat pemë t’egër
qi u hutue kur e pa pranverën e pavaktë
n’krahnor t’çikës
e muer kaluer harrimit

tue desht m’u shlirue kthetrash
t’pllumit qi u ba sorrë
e gjeta dashninë e fshehtë t’gjyshes
n’arkën me erë t’ftonit
ai i ligi çast m’u ba shekull
e ma muer shtagën e fëminisë
me mercedes t’hekurt e kambë gume
e gja mbas shpirti nuk m’la
veç mallit t’përvajmë Halilshëm.

Dienstag, 26. März 2013

Pesë poezi nga Ymer Nurka

 
I VARFËRI GJITONI IM

Përmëndësh ke mësuar rrugët e qytetit,
Herët në mëngjez me sy mbyllur çohesh,
Vonë në mbrëmje, koke-ulur më kthehesh,
O punëtor i papunë, ku dhe shpresën ta kursejnë!
Ja dhe milingona në cepin e shtëpisë tënde
(marrë me qera)
Më tepër gaz po çoka në folen' e saj,
Fytyra jote, dikur një diell i shndritshëm,
Lind e perëndon zymtë në familje...

Mbrëmje, më mbrëmje,
Tek vështron ekranin në heshtje,
Më e madhja përqeshje, të përplaset në fytyrë
Kyy sy gjigand i tmerrshem, si pasqyrë,
Çuditërisht ngjan me shumë-qelizorët
E në fakt përbëet nga mijra sy-qorrë
Të kërrusur nga pesha e “mirnjohjes“
Mbajnë ekuilibrin, me patericat e pushtetit,
E lëshojnë reklama, për sofrat e mbretit
Në kulm te qametit.

Në vatrën tënde të mekur nga uria,
Mbuluar nga hiri i shpresave të djegura,
Me sy fëmijësh që pikojnë në heshtje,
O Zot, ç'paradokse sjell në horizonte,
Si mund të përqafohen kështu,
Luksi dhe verbimi.?

Ata që thonë; “Nuk jemi në kohë skllevërish„
Ndërsa gjithçkaje i vënë çmim:
Me kohë të paskan shitur,
I varferi gjitoni im.
Tek vërtitesh të bësh xhiron e kotësisë,
.Në udhëkryqin tënd,
Humbur paskam fillin e vështrimit.
 
 
 
 
O MJALTI NË HOJË

Dora gjë s'të prek, këmba gjë s'të shkel,
Ta mbuloka shtatin, fustani me tel,
Tash që hyri Vjeshta dhe Vera po del,
O mjalti në pite, vallë kush të vjel?

Si në mijra lule, gatuar nga dora,
E pjekur nga Dielli, freskuar nga bora,
Njëzet vitet shkuan, ja tek erdhi ora
Nga ç'princ prej qielli, do vihet kurora?

Cili e ka fatin, kush do të provojë,
Të të shtrydhë me buzë, të të shkrijë me gojë?
Si melhem për shpirtin , pika të pikojë,
O mjalti me pite, o mjalti në hojë!

Kur të rrjedhësh tinë, moj u bëfsha enë!
Në një cep të Botës, atje le t'më venë!
Ne të rrimë zgjuar, kur të tjerët flenë
Tretur të dy bashkë, si malli me ngenë...
 
 
 
 
KËNGA E TRETË

Agu erdh 'e zbardh Sarajin, ndriti dhe kalanë,
Kush guxon dhe zgjon Pashain, o Zot gjen belanë...
Ja tek rrinë ashtu pas dere, me zemër në dorë,
Presin me të verdhën çehre, dyzet shërbëtorë...

Të dyzetët mbajnë radhë, me ndere të larta,
Veshur me kostum të bardhë, të bardhë, si karta,
Pjatat plot me mjaltë në hoje, vën' mbi tabakara,
Me shurupët lloje-lloje, plot kupat e lara...

Ndihet brënda koll' e rëndë, hungërrimë luani,
Gjithë Janina brof më këmbë, ditën çel Divani,
Kryet unjin yzmeqarët, servirin sherbetet,
Ja Veziri pret Të Parët, me gjithë salltanetet

Vijnë hafijet mbi postiqet, të sjellin oguret,
Dhe kur japin sihariqet, prap mbushin poturet,
Një nga një fjalët shkoqiten, të drojtur nga gafat
Luten kokat, se mos priten, me satër nga qafat...

Nëpër oda s'ka më urdhër, s'ndihen as nallanet,
Veç qatipët, si kukudhër, po shkruajnë fermanet.
Rrëshket pena e argjendë, rrëshket, pas çdo shkronje,
Gjersa shtrin hijen e rëndë, shtati i një zonje...

E kush tjetër është kjo zonjë, veç Vasiliqisë,
Që dhe pse nuk është leonë, Plakun mban në sisë,
Teksa fal dy, a tri naze, prapë fjala gjen fillë,
Karafil i çelur taze, buza jep këshillë,..

Dhe levendi prap çuditet, nga fjalët e thëna,
Ndërsa vajza pran' avitet, e qeshur si Hëna
“Më kot folkan njerëzia, kur gjërat s'i dinë
Gjoja s'paska bukuria, motër mënçurinë!„

Tek Pashai me ngadalë, derdh hiret e saja,
Peng lë belin porsi ngjalë, mbi duart e mëdhaja,
Si ndër putrat e ariut, ja drenusha lutet,
Nëpër shpullat e Aliut, hepet e s'këputet...

Fërgëllon sa për nën mjekër, gusha e fildishtë,
Dor' e trimit porsi kthetër, zë gudulis mishtë,
Tek tërheq flokët e gjatë, të çmëndur si jelet,
Pëllëmba që mban një shpatë, bukur dhënka dhelet..

Iku ditë e trëndafiltë, muzgu merr Sarajin,
Sikur çel e shkon e prilltë, endrra që zgjon Majin,
Nëpër rrugë ndizen fenerët, ndizen dhe shandanet,
Ndërsa gazi lëshon frerët, brenda në hamamet...
 
 
 
 
MARGARITAR...

Këmbë-shkelura në vesë,
Ç'deshe, që më re në pjesë
E ma bëre ditën ters?!
Më le peng e më dhe shpresë...

Unë një hap e ti hedh pesë,
Më lodhe mike, për besë,
Më bëre burim, në djersë,
Më ndave rrugën, në mes...

Pritmë moj, që të të pres...!
Shuamë, që prapë të ndez !
Si top-bore, do të tres,
Do të lë, veç syt' e zes...

E për perla, do t'i shes,
Të blej dit' e të mos vdes...
 
 
 
 
UNË LËVDOJA MAJIN

Udha për thëllëza, shtegu për bilbilë,
Pse ky fat për mua, çne ky fat i tillë?
O me katër gjethe, ç'ma deshe tërfilë?
Moj ç’ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë..

Unë dridhem në ethe, ti më ndez kongjillë,
Pse ky fat për mua, çne ky fat i tillë?
Të puthsha sokakun, që çel trëndafilë!
Seç ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë.

Detet t’i dhashë blu, ti m’i do jeshilë,
Pse ky fat për mua, ç’ne ky fat i tillë?
Unë lëvdova Majin, ti më shave Prillë,
Moj ç’ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë.

Unë të zgjova ëndrrën, ti më flake trillë
Pse ky fat për mua, çne ky fat i tillë?
Ç’naze i bën botës, lëri për bandillë!
Seç ç’ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë.

Me një rreze syri, ç’ma dogje fitilë,
Pse ky fat për mua, çne ky fat i tillë?
Po më shteri vaji, ç’e dua kandilë?
Moj ç’ma prishe mëndjen, ç'ma këpute fillë.

Dienstag, 5. März 2013

Ardi Omeri: STINË DASHURIE

 
STINË DASHURIE

Shpirti nuk ka stinë të ndara,
shpirti është një stinor...
E ndjen kur të flet dhe të çmëndet zemra,
aq sa nuk do të rrijë në kraharor!

Mos loz me ëndrrën,
moj pëllumbeshë flokë artë!
Por puthe,
Puthe me epsh dhe pije me fund,
kur e ndjen të zjarrtë...

Kam lindur me katër njësha,
Ndaj gëzohu që rrembeve një poet!
Linda të këndoj pa moshë e breza,
më bëri të tillë, Perëndia vetë!

Këndomë me zërin e çdo stine,
Bëmë dhe një herë të fluturoj...
Kam kohë që nuk hipi mbi re,
dhe për dashurinë,
Asnjë perëndi si unë, s’di të këndojë!

Mittwoch, 23. Januar 2013

Irena Gjoni: ATDHEU IM


 ATDHEU IM

Atdheu im,
Ti ke erën e lisit
Ku mbi ty një zog me zë njeriu,
Kumtoi kumtin profetik
se aty i duhej ngritur një orakull Zeusit.

Ti jeton në shpirtin e lisit
qyshkur bota vuri gurin e parë.
Unë ha prej teje Zoti im pellazg
vallanidhe e lënde ëndrrash të tua.
I përtyp e bluaj me mokrat e shpirtit
për të rrojtur prej miellit tënd
e gatitur bukën e Diellit.

Zhurmërima e vijës së ujit,
janë lotët e frymëmarrjes
dhe fëshfërima e gjetheve të tua,
që mendon edhe në gjuhët e vdekura
përqafime degësh e rrënjësh në largësi.

E fatthëna përmes frushullimës së tyre,
Më thotë se edhe kur mos të jem,
sërish do bulosh vallanidhe ëndrrash për mua
e do të vish me erën e lisit...