|
Ajet Shala |
NËN HIJEN E PLISIT
(Kushtuar Babait)
Mes rrudhash të babait të shtrenjtë
Lundrojnë nëntë dekada krenarie.
Në ugare kullon djersa si vesë
E ndwr vite mbillet farë e florinjve.
Nën hijen e plisit borë të bardhë
Currili nuk ndal kurrë gurgullimë
Rrodhi djersa si rrëkeja në ujëvarë
Rrjedh lumi që freskon ardhmërinë.
U zgjuan krismat e luftës së gjatë
Në shtigjet e zymta të sfidave
Mbete dëshmitar i historisë së pafat
Ndër fushëbeteja, si mes vetëtimave.
Nga mermerët e reja u zgjua liria
Hapi krahët dhe bijtë e saj përqafon
I miri baba merr urime me mijëra
Me bastunin drejt yjeve heronjtë numëron.
Në vitet e tua përherë e prekëm jetën.
Preka ëndrrën e re që nesër do të kem.
Gjithë lulet e bardha që mbushin degën
Për ty të bëhen fruta në çdo mëngjes.
Për ty thuren ditëve sa e sa urime
Që gdhenden tek kujtesa kohë pas kohe.
Në ditët që prekën fëmijët nëpër vite
Me ty morën krahë të fortë shqiponje.
SHANDANËT E DHIMBJES
Si një kalorës i vonuar erdha mbi kalin e çalë
Ishe hapi i dhimbjes së bardhë në hullitë e ferrit të egër
S’i ndihej tringëllima para portës së kalasë
Vetëtimat e ndjenjës shkrepën fotografi në zemër.
Yllnajave në veshët e shurdhër kaherë ju pëshpërtita
U tretën ëndrrat e bardha në qiellin e trishtë
Pa u zgjatur duart e lamtumirës kur niste dita
Nën qerpikët e dhimbjes u fikën shandanët e dashurisë.
Dora më dridhej tek kërkoja dritën në udhë.
Kur dhe dielli ishte fshehur pas reve të zeza sterrane
O jetë shandanin e dashurisë mos ma fik kurrë
Bëmë njeriun që betohet për fjalën mentare.
RËNKIMI I LAHUTËS
U rrënuan njëri pas tjetrit tre muret e kullës së bardhë.
I katërti shtatprerë rri vertikal, bash përballë me sokak.
Pullazin ia kishte djegur dora mizore e shkjaut barbar
E lahuta rënkon, s`mund të rrijë mbështetur mbi oxhak.
Oborrit të mirë s’i mungon vetëm kulla me gurët e bardhë
I mungon zjarri se oxhaku u shemb në rrokullimë.
Mungon hija shekullore dardhës së djegur gjysëm të tharë.
I mungon dhe qeni besnik, se hijenat Karpate e patën vrarë.
Kishin djegur tonelata grurë e misër në kosha e hambarë.
Kishin djegur shtëpinë dhe gjithçka ishte në oborr.
Lopës duke pjellë ia hodhën plumbat në ballë
E kush tjetër mund ta bënte vetëm se dorë e shkjaut barbar?
E lahuta mes plagësh mes psherëtimave vetëm rënkonte.
E teli sikur ka njomur me gjakun e freskët çdo lule lëndine.
Po kulla është prapë e fortë e dotë jetë e tillë në mote
Në dritaret e saj vjen historia e vrullshme me gjëmime.
HIJA E HESHTJES
Me ethe të virusit fillikat jam në karantinë
Nga Convid 19 izoluar mes muresh të thara
Prushi i mallit ma ringjallka nostalgjinë
E unë bëhem hije e ëndrrave të bardha.
Në orët e ditës heshtja merr memecërinë
Hija e fjalës së pathënë ngre ujëvara shpirti
Vdekja e ftohtë sikur troket pa mbarim
Vargun e mbajtur peng do e marr si filizi.
Do e bëjë abazhur të shndrisë natën e parë
Për lotin tënd kristalor dikur derdhur në Kala
Heshtjen e varrit e thyen ajo fjalë e rpa thënë
Është kurorë dashurie e ngrirë në çdo damar.
PËRBALLË VIRUSIT
Ah, Atdheu im i dashur mbaju qëndro vertikal si rrap bjeshke
Prek majat e virgjëra në hapësirën kaltroshe prek rreze lirie
Qëndrove i pathyer ndër shekuj s’u përule në jetë të jetëve.
E degët e tua nuk u përkulën në dallgë historie.
Sheshet, parqet, rrugët jan zbrazur, po nga dritarja preken.
S`preken xixëllonjat e lulet me duart e fëmijërisë.
Janë mbyllur çerdhet, lodrat kanë mall për hapat e të vegjëlve.
Heshtja e shkumësit i ka dhënë shkollave shurdhërimë.
Të prek nga largësia, ta ndiej dhimbjet e plagës së hapur.
Edhe pse jam i mbyllur mes muresh të ftohta në largësi.
Mendjen s’e kam tek vetja, as tek familja ime e dashur
Gjithçka ke të mirë e të ligë, unë, biri yt, ti mbaj në gji.
Të luftojmë së bashku ta mundim armikun e paparë.
Vrastarin dinak së bashku me kokën lart do e dëbojmë.
Do ia kthejmë gazin shkollave, teatrove, lisave të lartë
Dëshmorëve lule të freskëta prap do ju dërgojmë.
Atdheu im, mos e vraj mendjen për neve mos mbaj as zi
Jemi të gjithë edhe më shumë në numër me lindjet e reja.
Të betohemi se në pragjet e tu do të kthehemi sërish.
Të ndiejmë e të këndojmë si në betejat e reja.
“RRI N`SHPI”
S`meriton për besë, kjo botë këtë kalendar të ri jete.
Ndonëse stinët rrjedhin, përherë lënë gjurmë mbi supe.
Dhjetra mijëra dashuri po shuan kohë e zezë me vdekje.
Kufomat presin arkëmortet pa këmbana e pa tufat me lule.
Stinët lidhur doradorë bëjnë kurora në vallen e një djalli.
Edhe sa mijëra të pafat presin në radhë askush s’e di.
Jemi në skenat e Hamletit, tërrorr ku kërruset dhe mali
Jemi në arenat e dhimbjes më bajlozët e mortit Pandemi.
Jami ballë ëndrrash të vdekura larg jetës së lumturuar
Detyrimisht “Rri n`shpi” apo i vetëizoluar në karantinë
S’dihet sa fatzinj presin duart e lamtumirës drejt amëshimit
Në vend të lirisë se qiellit, blerimi na sjell mërzinë.
Presin parqet e lodrave gjyshërit e fëmijët e lumtur
Presin malet e brigjet hapat, detet e udhëtarëve
E ne ah, mes muresh të ftohta jemi futur
Në pritje të një jete ku të hapen kanatet e dritareve.
KËMBANA E DHIMBJES
(Yllit të Skenës Rikard Ljarja)
Sot të gjitha plagët mbajnë vetëm një emër, Rikard
Zambakët e bardhë lotojnë nën rrezatimin e hënës.
Në Kalanë e Rozafës skalitesh, si gur i art
Emocioni, ndjenja dhe krenaria na vënë mes ëndrrës.
Në fushën e artit buzëqeshjen skenike ti rrezaton
Erërat e forta zgjohën, shkundin kujtimet e mira
Sikur dëgjojmë ende fjalën tënde që cicëron
E atë zë nuk e shuan as dimri i gjatë me ngrica.
Me ylberin e artit pushtove gjithë zemrat shqiptare
Shkronjat e mësuesit lartësove bukur në piedestal
Dedë ku je, sikur piskojnë gjamat bjeshkatare
Me qerpikët e dhimbjes qiparisët nxjerrin lotin kristal.
Lamtumirë Rikard, dimrat na pëshpërisin në vesh
Për ty sot zemrat këmbojnë si këmbanat e deteve
Do mbetesh piktor kujtimesh të bardha mes nesh
Si shandan i ndezur do ndrish në jetë të jetëve.
Në sytë tanë sot zgjohet dhimbja dhe mirënjohja
Zërat e dritës se artit dëgjojmë në fushën e skenës
Fjala jote e ëmbël njihte vetëm gjuhën që ka toka
Vajton era nën qiellin me re, në palcë të pranverës.
Ra ora e diellit në horizontin e lartë të artit
Në xhepa zemrash zgjove këmbanën e simfoninë
Mjalti i shpirtit të bëri zog mes dallgëve sa mali
Në hambarët e zemrave tona ti përherë trokëllin.
KUJDES !
Për vendin mund të thuhet se është në rrezik
Kur poshtërsia keqbërëse bëhet zot konaku
E amanetet e heronjve hidhen në greminë
Dhe ëndrrat e tyre vyshken tek pragu.
DHËMBËT E SHPRESËS
Për atdheun të presësh nga dikush me shpresë
Kur për lirinë s`bëri mund, s`derdhi gjak as djersë.
Është njëlloj si të shtrihesh nën hijen e një lisit.
Dhe të presësh të pikë dardhë apo pjeshkë pranë plisit.
KOPILIQ -
KALA MBI KRESHTA
Kur të thërras më rritet zemra
Me një zë që vjen nga bjeshka
Tek ti vjen kaherë pranvera.
Kopiliq, kala mbi kreshta.
N’Fushë të Llazit rrezja ndrit
Dorë më dorë të ledhaton.
Më të mirët djemt Shaljan
Kokën lart besnik qëndron.
Sjell një ehoo lart nga bjeshka
Kur nis këngë, gëzohen kullat
Në Jutbinë po zgjoj shkrepa
Kur n`lahutë këndojnë burrat.
Me djem trima shtatin lisa
N’dorë të tyre valon flamuri
Përmbi maja ndalon shqipja.
Syrin pishë, me zemër burri.
Armët n’dorë gati i kanë
Kur Ballkanin mbuloi zija
Bijtë e tu therën Sulltanë.
Për ta shkroi dhe historia.
Valë t’u bëfsha në breg lumi
Ku rrjedh kroi nën lajthi
Ballë mullirit bluhet gruri
Kopiliq, ooo t’mbaj në gji.
Qofsha ujë n`burim, për trima
T`freskojn ballin ngurrë të bardhë
Nderuan kullat mbrojtën pragjët
Çdo anmiku i bënë ballë.
Qënkam bërë sot zanë e malit
Përmbi brigje ku shoh lisat.
Qënkam bërë sot zog shqiponje
Që nga lart po numëroj plisat.
Do këndoj do këngë të gjata
T`i përcjelli me krenari
Ku hedh dielli rreze t’arta
Nëpër shekuj dhe lashtësi.
Do puth shkurrat në lëndinë
T`prekë me dorë, plisa, pragje
Kënga imë bëhet currilë
Ku kukam gjenin e të parëve.
Gur më gur do të prek kullat
Do të zgjoj gjithë shqiptarinë
Fisin Shala nderuan burrat
Ëndërrbardhë për lumturinë.
Në Kopiliq do të puth djepet
T`përkund foshnjat në konak.
Fjalë më fjalë amanetet
Do dërgoj o prag më prag.
NDJENJË
Në dritaren e syrit ta lexoj heshtjen e zemrës mistike.
Ajo mban ngjyrën e ndjenjës, bukurisë hyjnore
Në tragjeditë e Sofokliut prek qelizën e dhimbjes
Fjalën e pathënë do e pikturoj në kaltërsinë qiellore.
Do të lundroj në rrugën e qumështit sa dhe yjet t’i prek.
Simfoninë e zogjve ta ndjej në hapësirën e pambaruar.
Prushin e gjakut ta shuaj me lotin kristalor që rrjedhë.
Të derrdhën ujëvara shpirti në pellgun e trazuar.
Mos u çudit kur të vesh rrobat e polumbarëve
Mbase do shoh sytë e ty në thellësitë e deteve
Në gjoksin tënd do bëhem kërkues i mineraleve
Atëherë nga ndjenja polen dashurie do të derdhet.