Mittwoch, 17. Juni 2015

Gani Xhafolli - ZEMREN E KAM PLOT OQEANE




 ZEMREN E KAM PLOT OQEANE 

UNË JAM gani xhafolli
Zemrën e kam plot dritare
zemrën e kam plot unaza
zemrën e kam plot oqeane
zemrën e kam plot ajër
e plot diell
e kam plot dete
e plot zogj
e kam plot rrugë
e plot pemë
e kam plot lule
e plot dashuri
e kam plot bletë
e plot këngë
nuk e kam
asnjë miligram
urrejtje
 
 
 
KAM FLUTURUAR
       SHPESH
 
Erdhi koha të kthehem
në atdhe e t’u marr erë luleve
+ pemëve në degë
shtëpinë e kam parë shpesh
ëndërr
kam fluturuar mbi
pemë e mbi kroje
duart e gjyshes i kam
vizatuar çdo javë
do të pi ujë çdo orë
do të ha pemë të vendlindjes
çdo ditë
diellin do ta fotografoj
çdo mëngjes
 
 
DASHURIA U DUHET
TË GJITHA FAQEVE
 
Shumë bëhem nervoze
kur në mbrëmje
ndalet rryma
e librat mbesin në terr
nuk ka faj Luli që
nganjëherë i ha gishtat
zemra ime kërkon
sa më shumë këngë
JAM shumë e vogël
për nervozë
dashuria u duhet
faqeve e të gjitha luleve
 
 
NUK DI PSE GAFORRJA
       EC MBRAPSHT
 
E kam pyetur gjyshin
më ka thënë NUK DI
e kam pyetur një vajzë
në Francë
 
PYETE LUMIN
në vendlindje e
kam pyetur një ditë
GAFORREN në
Danimarkë
nuk di pse iku prej meje
kur unë nuk jam polic
 
 
 
DIELLI SHKRUAN
 PROZË NË FAQE
 
Kur e përqafojmë gjyshen
në mbrëmje
zgjohemi më të ëmbël
në mëngjes
e dielli shkruan prozë
në faqe
që mund të lexohet
vetëm me puthje
edhe hëna shkruan poezi
me buzë moderne
 
 
 
PJESHKAT I KA
 ZËNË GJUMI
 
Pjeshkat në katund
i ka zënë gjumi
presin dorën time
të butë
nw ëndërr i lexojnë
vargjet prej rëre
gjethet këqyrin
mos po më shohin
në rrugë
u kujtohet kur isha
zog mëndafshi në degë
dhe ylber në mollë
 
 
 
JAM BËRË SI
LEJLEK I LODHUR
 
Kam kohë tepër pak
të shkruaj vjeshta
është ulur mbi flokët e mia
dhe u jep krejt ngjyrë
bryme
 
jam bërë si lejlek i lodhur
 
ENDE nuk e kam harruar
MOLLËN në Toplicë
të gjyshit e gjyshes
 
më kujtohen të gjitha
dyert me zog flamuri
 
JAM lodhur shumë
prej malit në mal
prej trenit në tren
më duket 1000 vjet i kam
 

DËSHIRË GJATË NJË
NATE KUR FLUTURA
ISHTE NË MËRGIM
 
Ah sikur ta kisha një kalë
të bardhë
një kalë të bardhë
që fluturon përmbi pyll
e përmbi fusha
 
ah sikur ta kisha një mollë
një mollë të artë
një mollë të artë
një mollë të artë të Çamërisë
ose të Shkodrës
do të isha nisur
drejt fluturës
 
 
 
DY JAVË KA QARË DEGA
 
Mos ua thyeni pemëve duart
sepse mërziten tepër gjethet
e nuk i merr gjumi
dhe qajnë në heshtje
 
edhe shiu nuk e ndjen
veten mirë
 
një qershi është ankuar
shumë
kur një djalë ia ka thyer
pesë gishta
dy javë ka qarë dega
 
 
 
DASHURIA ËSHTË
ME SHUMË ZEMRA
 
Dashuria është e ëmbël si molla
E përqafon një ylber të vogël
Kënaqesh
Dashuria është me shumë zemra
I duhet lumit
I duhet detit i thua MERRE
Me dashuri e hap derën
Kur vjen dikush dhe i qet kafe
Me dashuri zgjohesh
Në mëngjes për një përqafim
Të diellit
E katër përqafime të nënës
Dashuri është edhe kur mbyll
Derën kur shkëlqen hëna
 
 
 
ÇDO DITË
FLET ME DIELL
 
Kur erdhi Skënderbeu
Në Prishtinë
Motra lindi djalë
Emrin e mori Trim
Skënderbeu në KALË
Diçka i thoshte dielli
HIJE I KA SHPARA
KALI i këqyri retë
E kishte marrë malli
Për krejt Dardaninë
ENDE s;e merr Gjumi
As KALIN as Gjergjin
të flet me DIELLIN
 
 
 
     DIKUR EDHE
TREGIMET PLAKEN
 
Sigurisht e keni parë
Peshku ha pa duar
Noton pa këmbë
Dimrit nuk di a nerth shumë
Dhe a ia di emrin botës
Edhe unë kam qenë peshk
Në barkun e nënës
Tash jam gjysh me mjekër
Edhe unë çuditem qysh i
Shkruaj vjershat e reja
E di: dikur edhe tregimet plaken
Pikëpyetjet a i lexon dikush
Plaket edhe banesa dikur
Plaket edhe nëna
Edhe makina e shkrimit
Dielli pikëpyetje a plaket
 
 
 
KUR FLUTUROJNË
BUZËQESHJET
 
E njoh një vajzë
I ka dy bylbyla
Në zemër
Këndojnë kur ajo
E vizaton diellin
Dhe mbjell lule
 
Këndojnë kur ajo
E shkruan fjalën
atdhe
 
këndojnë kur nëna lind djalë
dhe fluturojnë buzëqeshjet
 
 
 
DIÇKA MË KA DHËNË
        NJË KËRMILL
 
Jam munduar shumë
Ta shkruaj një vjershë
Të verdhë në vjeshtë
I kam lutur të gjitha
Lulet të më ndihmojnë
Edhe lumin
Edhe hënën
Diçka më ka dhënë deti
Diçka më ka dhënë pylli
Diçka më ka dhënë kërmilli
Diçka një patë e egër
Diçka më ka dhënë
Një vetull e një vajze
Diçka një krah i një fluture
Diçka më ka dhënë
Një buzëqeshje xheloze
 
 
 
      VJERSHAVE
U RRITET BUKURIA
 
Flokët i rriten Lises
dhëmbët i rriten Gentit
duart i rriten hënës
këmbët i rriten Yllit
e pëllumbave u rriten
krahët
 
plepave u rriten gjethet
dardhave u rritet bishti
mua më rriten vjershat
vjershave u rritet bukuria
 
 
 
KAM HARRUAR
SI DUKEJ SHTËPIA
       E VJETËR
 
Kam harruar si dukej
shtëpia e vjetër
me dy dhoma e një kuzhinë
me pak lugë e tri dritare
do ta pyes Agim Devën
dhe tash e shoh pak
Shtëpinë e Re
nuk di a ka dritë mbi kulm
nuk di si duken pikturat
e mia në terr
dhe a mërziten
që nuk i shoh mirë
të martën do të shkoj
në spital
kam menduar se do të shihja
edhe pa dritare
nuk di si duket as liria
as fletorja e parë
e bukurshkrimit me një zog
 
 
 
LETËR MOTRËS
 NË GJENEVË
 
E vogël ishe
kur të puthte era
kur të buzëqeshte
shiu
nën kumbulla dhe degë
fustanin e kishe
me ngjyra
 
e vogël ishe atëherë 
kur u ke kënduar
gjetheve
dhe një cope buke
flamurin e ke vizatuar
tinëz në shuplakë
 
mos i harro ëndrrat
mos e harro nënën
as hijen tënde të vogël
 
MË KUJTOHET kënga JOTE:
ende ka shumë borë


.   .   .
Biografia e shkrimtarit Gani Xhafolli

Gani Xhafolli u lind në fshatin Drenofc, afër Prishtinës, më 25 nëntor 1942. Ka kryer Akademinë pedagogjike në Prishtinë. Ka punuar në arsim: në Drenofc, Barilevë, në Lipjan dhe në Magure, si mësues. Mëpastaj ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës prej vitit 1979 redaktor në programin për fëmijë deri në 1990, kur pushteti okupues i Beogradit e dëboi me dhunë nga puna së bashkume 1340 punëtorë të RTP-së. Ka fituar shume çmime letrare.
Gani Xhafolli ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare në Prishtinë, më 16. 06. 2015

 

Disa nga veprat e botuara:

  1. TE PORTA E EDHAVE.
  2. ZOG SHIU (poezi) 1979.
  3. ËNDRRA NË SHUPLAKË (poezi) 1981.
  4. ZOGJËT FLUTUROJNË MBI LULE (poezi) Tiranë,1984.
  5. VJERSHEN S’E ZË GJUMI (poezi) 1985.
  6. LULE MA JEP DORËN (poezi) Shkup,1986.
  7. KROI THËRRET DALLËNDYSHET (poezi) 1987.
  8. SHTËPIA ME KULM TEPOSHTË (roman) 1988.
  9. PLESHTI HA ME DY LUGE (poezi) 1990.
10. KUQ E ZI (poezi) Cyrih, Zvicër,1990.
11. LEJLEK I SYRIT (poezi) Shkup, 1992.
12. PO (roman) Shkup, 1996 (i shpërblyer me çmimin e dytë).
13. TË DUA (roman i shpërblyer me çmimin e parë,1997).
14. NUSE NËN MOLLË (dramë) 1997.
15. GJEOMETRIA E SYRIT (poezi) 1999 ( e shpërblyer për veprën më të mirë nga LSHK ).
16. GISHTI IDIOT (poezi) 2000.
17. PRINCESHA E VOGËL (poezi) 2000.
18. SHTEPIA ME KULM TEPOSHTË (roman) Shkup, 1999 (ribotim) .
19. DIELLI ME TRI DRITARE (monografi letrare) 2000.
20. NË GOJË TE GJARPRIT (roman) 2000.
________
Fotografia e shkrimtarit Gani Xhafolli është bërë nga mjeshtri Sadri Miftar Hadergjonaj

Imri Trena - Memorie


MEMORIE
(Aktorit të madh Bekim Fehmiu)


...Në tokën ILIRE kam lindur
Në dejet e mia qarkullon,...
I njohuri gjaku im famëlartë,
I heronjve të shquar.
Vendi i lavdisë së përjetshme,
Ku fjala e dhënë
Më e rëndësishmja se jeta është
Që shkëlqimin e sojit të vet,
E dëshiron mbi të gjitha...


Dëshmi kjo e Bekim Fehmiut,
Në librin e tij me kujtime,
Pa lamtumirë princi i artit shqiptar,
Lamtumirë veç ndër vegime.


I madh aktor shqiptar
Në gjuhën shqipe shkolluar
Me bukuri apolloniane
Si Orfeu i talentuar.


Mbi 50 filma regjistruar,
Role kryesore legjendë:
"Odiseu", "Dezertori","Leja për të vrarë",
"E dashura ime Libera", "Salon Kitty",
"Mbledhësi i puplave" e më tej
Krah aktorëve me famë botërore
Emri s`pranove të ndryshoje
BEKIM
Bekuar në trojet arbnore.


Më 1987 protestove
Ndaj propagandës antishqiptare,
Ndaj dhunës së popullit tënd;
Demostratisht le shfaqjen "Madame collotenj"
Sa ishin në sallë ngrinë në vend.


Tërhequr nga skena
Në atë kohë,
Ti yll i artit ndërkombëtar
Heshtur e malluar për Dardani,
Shprehur në librin - dëshmi.


Një mesqershori në symbyllje,
Me vetvrasje jetën ndale,
Dhimbje në popullin tënd, trishtim,
Krenari e artit shqiptar, BEKIM!

Mittwoch, 3. Juni 2015

Haxhi Muhaxheri - Nesër...


Nesër...

Nesër do jem edhe për një vit më i moçëm
Një vit do ikën tinëzisht nga jeta ime
Dhe më afër do jetë dita e lamtumirës
E miqët do të më urojnë si përhera...


Nesër do dehëm e xurxull do të bëhem
Për ti harruar të kqijat e kësaj bote
Dhe gjithë të dashurat do ti sjell në mendje
Që dashuria të mbretëroj në shpirtin tim

Nesër edhe dita do të jetë më e ngrohtë
E dielli ka për të lozur me ëndërrat e mia
Nesër veç muzat do më bëjnë shoqëri
E veten kam për ta shpallur mbret
___________
E çastit, 03. 06. 2015 / 11:30 h