Dienstag, 7. Juni 2011

Mentor Thaqi: PLAGË MËRGIMI



PLAGË MËRGIMI

 Mërgimtar më thonë,
lindur në kohë t´pa kohë
dhe rritur skutave,
në tym t´hutave!
Po po,
u linda në kohë t´keçe
e famëkeçe,
të Brioneve e shablloneve
dhe n´djep i ndjekur
prej eshaloneve,
si babai
në kohë të Mukjes,
a t´Bujanit,
në teh t´zhdukjes,
por, n´ballë t´Vatanit!

Eh, medet!
Atje u gatuam e poçëm,
këtu,
sharruam e u dogjëm,
atje lash Mëmën
e k´tu kam nëmën,
vitet mi hëngër malli
e rininë ma mori djalli!
E vështirë, qebesa,
një ditë të lën dhe shpresa,
e t´mbulon myku dhe harresa!
Pastaj, eh pastaj,
n´daç gjëmë e n´daç vaj,
se rëndë e kemi,
të lëvrosh në arë të huaj
e të mbjellësh faren tënde,
si të heshtësh,
po ec e thuaj,
se dhe këngës,
ti vie erë gjëme!

Plaçkat n´krah,
kokën pas,
Boten n´sy,
pa ditur ku,
dhe s´din kah,
t´vie të plasë,
n´borxh ke hy,
me f´mijtë e tu!

Eh, eh, eh!
Dikurë
kishe edhe emër,
edhe pse në kohë t´pa kohë,
dhe në vuajtje,
por,
vrullin n´zemër,
e sot nga vrulli,
s´mbet një trohë!

Pashë njatë strajcë
me plaçka t´vjetra,
të fëmijërisë
mbetur peng,
dhe njatë çantë
mbushur me letra,
se do t´vdesim,
a t´bie n´mend?!

Ev, ev,
malli e halli,
po po,
atje lamë zemrën,
na kruhet balli,
morëm veç brengën!
Lamë dhe melodinë e fyellit,
në bjeshkë e v´rri,
bashk me hijen e pyllit,
me dhenë e dhi!

Atje të ndjekur,
këtu të tretur,
këmbët vuam n´shërbim t´ikjes,
atje hallin,
këtu mallin,
Dinjitetit i vuam pikën!
Veç shpresë mbajmë,
ajo na mbanë,
askujt s´i ngjajmë,a
skush s´na ngjanë,
jemi të mjerë,
jemi të ndjerë,
ofruam vlerë,
s´na u njoh njëherë!

Eh,
Mërgimtar,
ti o shtegtar,
me shpirtë të vrarë,
nga Trungu ndarë,
ti ke një Zemër,
Shtëpi të Kombit,
por, t´mohuan emër,
atë emër t´Zotit,
që ai të dha
si Trungut tënd,
dikush t´ka vra,
sot dhimbje, ndjenë!
Po po,
ti mbaje Shpresën,
t´paktën, pashë Besën,
se, ajo për besë,
e fundit vdes!!!


VS/Brühl, 03.06.2011

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen